Pse SHBA e kërkon kaq shumë Reformën për Drejtësi

Oct 16, 2017 | 11:45
SHPËRNDAJE

lavdrim litaLAVDRIM LITA

Aktivizimi i ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, është e paprecedentë në historinë e përfshirjes së një diplomati në shtyrjen përpara të një “Reforme për Drejtësi”, që të gjithë e duan me fjalë, por jo të gjithë me vepra. Ambasadori i SHBA në Tiranë, Lu, mendon se, korrupsioni, krimi i organizuar, bandat dhe ndikimi politik në sistemin e drejtësisë, kërcënojnë shëndetin e shoqërisë dhe dobësojnë aleancën.

Si aleat i NATO-s, është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara, që Shqipëria të jetë një demokraci e fortë dhe e sigurt. Stabiliteti i vendeve të Ballkanin Perëndimor është interesi i parë në sistemin e aleancave të politikës së jashtme amerikane. E vërteta është se Shqipëria, si anëtar i NATO, është i vetmi vend relativisht i stabilizuar në rajon, edhe pse ajo ka të gjithë dobësitë strukturore që kanë vendet e tjera përrreth. Në konferencën e Sigurisë së Munihut, të dy viteve më parë, ish-sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, e paralajmëroi gjendjen aktuale të rajonit, kur tha se, “Fakti është se ne shohim tendenca shqetësuese në shumë rajone të Europës Qendrore dhe Lindore, si dhe në vendet e Ballkanit.

Aspiratat e qytetarëve po shtypen dhe po shkelen nga interesat e oligarkëve të korruptuar, interesa këto, të cilat përdorin paratë për t’i mbyllur gojën opozitës politike dhe kundërshtarëve, për të blerë politikanët dhe entet mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjykatave dhe njëkohësisht, ata përdorin trysni duke abuzuar me të drejtat e organizatave jo-qeveritare për të ekzistuar dhe për të vepruar”, në ambientin e tyre.

Edhe bosi i ri i ambasadorit Lu, Ndihmës Sekretari i ri i Shtetit për Çështjet EUropiane dhe të Euroazisë, A. Wess Mitchell, ka kritikuar qeverisjet autoritare dhe korrupsionin në rritje. “Korrupsioni, në çdo shtet në tranzicion, mbetet një problem i sigurisë Sonë kombëtare. Ka faktorë të jashtëm gjeopolitikë që po përpiqen të shfrytëzojnë problemet e qeverisjes në këto shtete.

Do t’i kërkoj Moskës, t’i japë fund aktiviteteve destabilizuese në Ballkan”, tha ai në Senatin amerikan. Është e qartë ,që amerikanët nuk mund të lejojnë që një vend anëtar i NATO-s të shkojë në destabilitet, si pasojë e dobësisë strukturore dhe kësisoj, zhvillojnë antikorpe ligjore dhe kushtetuese. Për të realizuar këtë mision fisnik, SHBA përkrah fuqishëm levën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Procesi i vetingut për sistemin e drejtësisë, që është një nga komponentët kryesorë të Reformës në Drejtësi, dhe rezultatet e saj të para, do të mundësojnë çeljen e negociatave me BE.

Kjo e fundit ka ndryshuar në strategjinë e zgjerimit të saj renditjen e kapitujve negociues, pra, të fillojë me kapituj 23 dhe 24, që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Në qoftë se vendet kandidate, si Shqipëria, nuk tregojnë progres në lidhje me këto kapituj, atëherë nuk mund të hapen kapitujt e rinj, madje procesi i negociatave mund të ndalet plotësisht.

Sido që të jetë, një gjë është e sigurt, si asnjë herë më parë, komuniteti ndërkombëtar është i interesuar për Shqipërinë në kohë paqeje dhe normaliteti. Presidenti i SHBA, Sekretari amerikan i Shtetit, Presidenti i BE, kreu i KE, shefja e Politikës së Jashtme dhe liderja politike dhe Ekonomike e Europës, Angela Merkel, dhe një duzinë zyrtarësh të tjerë kanë shpenzuar fjalë pro Reformës në Drejtësi, duke sinjalizuar një interes të komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund tranzicionit në Shqipëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura