Pse s’është dekoruar kompozitori Limoz Dizdari? Panariti i përgjigjet akuzave të Luan Ramës: Për shkak të konfliktit që ka patur me Qeverinë, i kërkoi Presidentit…

May 10, 2022 | 14:56
SHPËRNDAJE

Drejtori i Kabinetit të Presidentit të Republikës, Edmond Panariti i është përgjigjur akuzave të bëra nga Luan Rama pse kreu i shtetit Ilir Meta nuk e ka dekoruar kompozitorin e njohur shqiptar Limos Dizdari, i cili tashmë ndodhet në gjendje kritike për jetën në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Sipas Panaritit, ka qenë vetë kompozitori Dizdari, që ka kërkuar vetë që ta shtyjë këtë dekorim në një kohë tjetër.

Arsyeja lidhet sipas Panaritit “për shkak edhe të një konflikti që ai ka patur me Qeverinë për qendrën e artit “Dea” në Ksamil”.

“Profesor Dizdari ka rëndësi të bëhet mirë dhe ne jemi gati në çdo kohë për t’i dhënë vlerësimin e merituar si një vlerë e papapërsitshme e artit dhe e muzikës shqiptare.

Është komplet e pavend dhe malinje të spekulosh në këtë situatë shëndetësore ku ndodhet kompozitori Dizdari, për më tepër që Presidenti i Republikës ka shprehur të gjithë gatishmërinë e tij për të nxitur dhe garantuar çdo ndihmë të nevojshme shëndetësore që do të kontribuojë për përmirësimin sa më parë të shëndetit të Dizdarit”, u shpreh Panariti në deklaratën për mediat.

Deklarata për mediat: 

Pyetje: Çfarë thanë mjekët, kompozitori Dizdari ishte një gjendje post-Covid. Kishte kaluar Covid më herët?

Panariti: Nga mjekët mësova se PCR kishte dalë negative për Covid. Megjithatë nuk përjashtohet, sepse ka edhe raste false-negativiteti. Pulmonia është e konstatuar dhe dyshohet se është me origjinë bakteriale. Po trajtohet me një spektër kompleks antibiotikësh për të luftuar infeksionin dhe njëkohësisht për të shtypur inflamacionin, që sigurisht do të dojë kohën e vet.

Saturimi me oksigjen i gjakut është normal, parametrat janë stabël, por duhet ende kohë për të dalë nga situata kritike.

Pyetje: Si do t’i përgjigjeni akuzave që janë bërë gjatë ditës së djeshme nga Luan Rama i cili ka akuzuar Presidentin e Republikës për mungesën e një vlerësimi ndaj figurës së Limos Dizdari?

Panariti: Nuk do të dëshiroja në këtë moment, kur ne të gjithë jemi të përqëndruar tek ajo që duhet të bëjmë dhe mund të bëjmë për të nxjerrë nga gjendja kritike profesorin e nderuar, të merrem me insinuata të tilla keqdashëse, që në thelb të tyre nuk janë aspak të vërteta.

Janë të pavërteta sepse Presidenti i Republikës ka vendosur që ta dekorojë Profesorin e mirënjohur dhe këtë vullnet të tij ja ka shprehur në mënyrë të drejtpërdrejt.

Por kompozitori Dizdari për shkak edhe të një konflikti që ai ka patur me Qeverinë për qendrën e artit “Dea” në Ksamil, konflikt që të gjitha mediat e kanë përcjellë, ka kërkuar vetë që ta shtyjë këtë dekorim në një kohë tjetër.

Profesor Dizdari ka rëndësi të bëhet mirë dhe ne jemi gati në çdo kohë për t’i dhënë vlerësimin e merituar si një vlerë e papapërsitshme e artit dhe e muzikës shqiptare.

Është komplet e pavend dhe malinje të spekulosh në këtë situatë shëndetësore ku ndodhet kompozitori Dizdari, për më tepër që Presidenti i Republikës ka shprehur të gjithë gatishmërinë e tij për të nxitur dhe garantuar çdo ndihmë të nevojshme shëndetësore që do të kontribuojë për përmirësimin sa më parë të shëndetit të z.Dizdari.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura