“Pse rikthimi i dosjeve të Strasburgut është dështimi i qeverisë”- Ish-Avokatja e Shtetit analizon reformën e pronave: Gjyqtarët janë nën presionin e…

Jan 27, 2021 | 14:41
SHPËRNDAJE

NGA LEDINA MANDIA

ledina-mandija-fotoNeni 181/1 i Kushtetutës përcakton se: “Kuvendi brenda dy deri në tre vjetëve nga hyrja në fuqi e kësaj Kushtetute, nxjerr ligje për rregullimin e drejtë të çështjeve të ndryshme që lidhen me shpronësimet dhe konfiskimet e kryera para miratimit të kësaj Kushtetute, duke u udhëhequr nga kriteret e nenit 41”.

Këtë detyrim kushtetues ka pasur për qëllim legjislatori, kur në vitin 2004 ka miratuar Ligjin nr. 9235 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, ligj ky i konsultuar dhe i draftuar nën ekspertizën e ndërkombëtarëve.

Në këto 12 vite, referuar rregullave të përcaktuara në atë ligj, janë trajtuar me mijëra dosje, për të cilat tashmë ekzistojnë vendime përfundimtare që duhet të ishin ekzekutuar, përveç vendimeve të mëparshme të KKKP-ve, referuar ligjit të pronave të vitit 1993, të cilat janë finalizuar në rrugë administrative dhe gjyqësore dhe që sipas GJEDNJ-së referuar çështjes Ramadhi K. Shqipërisë dhe çështjeve të tjera në vijim përbëjnë tituj ekzekutiv.

Ka qenë detyrim i shtetit shqiptar të bëjë ekzekutimin e këtyre vendimeve duke iu referuar hartës së vlerës referuar çmimit të tregut në rastet e vendimeve pa faturë financiare referuar çështjes Vrioni K. Shqipërisë. Pra, është konsideruar si një borxh i pashlyer i shtetit ndaj një grupi të diskriminuar dhe nëpërkëmbur në vitet e diktaturës. Mosekzekutimi i këtyre vendimeve përbënte jo vetëm një cenim të nenit 6/1 të KEDNJ-së, sa i takon procesit të rregullt ligjor, por edhe cenimit të së drejtës së pronësisë referuar nenit 1, Protokolli 1, të KEDNJ-së.

Meqë ligji nuk përcaktonte një kohë të caktuar në lidhje me përfundimin e ekzekutimit të këtyre vendimeve, nuk ekzistonte një faturë e saktë financiare bazuar një hartë vlere që reflektonte çmimin e tregut, GJEDNJ përmes Vendimit pilot “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, kërkoi një skemë efektive, e cila do të ndërtohej duke referuar në një database të vendimeve përfundimtare të pronave qoftë administrative apo gjyqësore, ku do të përllogaritej fatura financiare referuar një harte vlere që reflektonte çmimin e tregut. Në këtë proces kërkohej përmbyllja e procesit të regjistrimit fillestar, dhënia prioritet kthimit fizik, kompensimit fizik dhe formave të tjera të ngjashme dhe në fund kompensimit financiar.

gjykata e strasburgut

* * *

Me vendimin “Beshiri dhe 11 të tjerë kundër Shqipërisë”, GJEDNJ konsideroi se ligji i pronës i vitit 2015 është gjetur si një mjet efektiv në drejtim të përmbylljes së çështjes së pronës dhe të kompensimit të pronarëve. Në këtë mënyrë, GJEDNJ ktheu për trajtim të kompensimit të pronarëve në rrugët e brendshme referuar skemës së paraqitur nga qeveria.

Referuar këtij vendimi, GJEDNJ me vendimin “Gjergo dhe Babicenko dhe 76 të tjerë kundër Shqipërisë”, ktheu dhe të gjitha këto raste të mbyllura sa i takon shqyrtimit, por që prisnin për një vendim përfundimtar. Gjykata ka gjetur se aplikantët kanë detyrimin t’u drejtohen autoriteteve të brendshme në zgjidhjen e çështjes së tyre të kompensimit, ndërkohë që çështjet e tyre të adresuara nga viti 2006 e në vijim janë në pritje të një vendimi në Strasburg prej gati 15 vjetësh.

Kjo do të thotë se procedurat në lidhje me ekzekutimin e vendimeve të kompensimin do të fillojnë rrugëtimin e tyre nga e para dhe do të presin zgjidhjen nga autoritetet e brendshme. Gjykata ka vlerësuar se Gjykata Kushtetuese ishte ajo që vlerësonte dhe përcaktonte interesin publik më mirë se një Gjykatë Ndërkombëtare në rastin konkret, ndërkohë që shumica e anëtarëve të asaj Gjykate janë shkarkuar përmes procedurave të vetingut apo ishin të influencuar nga qeveria. Vendimmarrja në Gjykatën Kushtetuese u nda në një votim 5 me 4.

Gjykata ka pranuar se nuk është e qartë se si është përcaktuar shuma 50 bilionë lekë dhe afatet e ekzekutimit në 10 vjet, por nga ana tjetër, ka vlerësuar se shteti ka një vlerësim të tijin se kush quhet interes publik referuar nenit 1, Protokolli 1, të Konventës dhe veçanërisht kur implementohen politikat ekonomike dhe sociale, duke pranuar se skema vendos në balancë disa interesa.

Gjykata, në ndryshim nga standardi i vazhdueshëm dhe konsekuent që ka mbajtur prej vitit 2006 deri në prill 2016, me disa formacione të ndryshme gjyqësore për ekzekutimin e vendimeve të pronës, në maj 2020 ka njohur ligjin e qeverisë, i cili ka zeruar vendimet e njohjes dhe të kompensimit të pronës, të cilat nuk kanë një vlerë, duke rinisur procedurat në vlerësimin e pronës sipas kritereve të papërshtatshme dhe një harte vlere që nuk reflekton çmimin e tregut, e vënë në dyshim dhe nga vetë Komisioni i Venecias dhe Gjykata.

pronat

* * *

Gjykata ka pranuar se vendimet e saj deri më tani kanë qenë bazuar në skemën e vjetër. Pra, ndërsa skema kishte hyrë në fuqi, vetë Gjykata ka aplikuar skemën e vjetër, duke u krijuar pritshmëri dhe aplikantëve të tjerë në lidhje me ekzekutimin e vendimeve të tyre të formës së prerë të paekzekutuara prej vitesh. Tashmë, aplikantët e tjerë të cilët mund ta kenë adresuar çështjen para Gjykatës shumë kohë më parë, Gjykata i ka penalizuar duke i dorëzuar në duart e një qeverie që politika sociale ekonomike e saj nuk ka qenë dhe nuk janë çështjet e pronësisë të pronarëve të shpronësuar gjatë regjimit komunist.

Gjykata mbështetur në informacionin e qeverisë ka pranuar se janë alokuar nga qeveria 2 bilionë lekë në vend të 3 bilionëve për vitin 2016; 1,8 bilionë lekë në vend të 3.3 bilionë lekëve për vitin 2017; 1,5 bilionë lekë në vend të 2.5 bilionë lekëve për vitin 2018. Gjithashtu, ka pranuar se me VKM qeveria ka reduktuar fondin e parashikuar, nga 50 bilionë lekë në 10 bilionë lekë për kompensimin e pronarëve në 10 vjet.

Pra, dukshëm qeveria nuk ka përmbushur pritshmëritë referuar asaj skeme që kishte ndërtuar mbi bazën e një studimi të thellë, bazuar në të dhëna të sakta, siç edhe pretendon Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka marrë në konsideratë vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila është bazuar në opinionin e Komisionit të Venecias. Ky i fundit në opinionin e dhënë në datë 17 tetor 2016 ka bërë të ditur se “amicus curiae është bazuar në publikimin jozyrtar të ligjit dhe relacionit të tij dhe se gabimet në opinionin e dhënë mund të vijnë si rezultat i përkthimit të pasaktë”.

Nga verifikimet në përkthimin e relacionit të ligjit të publikuar nga Komisioni i Venecias vërehet se ka ndërhyrje intelektuale, si dhe rezulton se i është dërguar një dokument zyrtar i falsifikuar. Pavarësisht se falsifikimi i dokumenteve zyrtare është adresuar nga ana e Presidentit të Republikës para institucioneve ndërkombëtare, përfshirë dhe Gjykatën me qëllim vënien në dijeni të shkallës së manipulimit dhe krimit të kësaj qeverie, me keqardhje konstatoj që një gjë e tillë as që është përmendur nga ana e Gjykatës në vendimmarrjen e saj, ndërkohë që relacioni ishte pjesë përbërëse e paketës ligjore mbi bazën e së cilës Komisioni i Venecias u ftua të jepte mendim.

Pra, Gjykata Europiane beson në një mjet efektiv të brendshëm të ofruar nga palë që falsifikojnë dokumente, nga gjyqtarë që janë nën presionin e qeverisë për shkak të vetingut. Gjykata ka pranuar se vendimi pilot ka ardhur për shkak të shtimit të çështjeve dhe me qëllim të reduktimit të kërcënimit të funksionit efikas të Konventës dhe për të lehtësuar zgjidhjen sa më të shpejtë dhe efektive të mosfunksionimit që ndikon në mbrojtjen e Konventës në rendin e brendshëm juridik.

Mjetet e brendshme duhet të jenë efektive jo vetëm në teori, por edhe në praktikë dhe që të jetë efektiv, duhet të jetë i përshtatshëm dhe i arritshëm. Është e kuptueshme se numri i çështjeve shqiptare është barrë për gjyqtarët dhe personelin e Gjykatës. Por kur Shqipëria vendosi që të aderojë në Konventë në vitin 1995 preokupimi ishte barra dhe shkeljet që pësonin qytetarët shqiptarë dhe zgjidhja e tyre edhe në Strasburg po të ishte nevoja.

Tani, sipas GJEDNJ-së janë gjykatat e brendshme, të cilat duhet të shqyrtojnë kuadrin ligjor, nëse është në përputhje me Konventën. Gjykata ka pranuar se ka një seri çështjesh në pritje të një vendimi lidhur me ligjin e pronës 2015 si dhe aktet nënligjore në zbatim të tij dhe që është detyrë e Gjykatave të brendshme të shprehen në lidhje me mbrojtjen e standardit të Konventës.

Kjo as ka për të ndodhur, ndërkohë që vendimmarrja e Gjykatave të brendshme kontrollohet nga ana e qeverisë dhe në Shqipëri nuk ka as Gjykatë të Lartë dhe Gjykata Kushtetuese sapo ka filluar të bëhet operative dhe është për t’u parë pavarësia dhe paanësia e saj. Për më tepër, numri i çështjeve përpara këtyre dy gjykatave është proporcionalisht shumë më i lartë sesa numri total i çështjeve të pronësisë përpara Gjykatës së Strasburgut.

Komisioni i Venecias ka marrë të mirëqenë se qeveria kishte bërë një vlerësim përfundimtar të të gjitha vendimeve dhe se në 10 vjet do të kompensonte të gjithë pronarët për vlerën 50 miliardë lekë. Në pikën 18 të VKM 223/2016 të ndryshuar parashikon se “subjektet që kanë një vendim përfundimtar të vlerësuar financiarisht, përfitojnë kompensim financiar nga fondi i kompensimit financiar, deri në masën 20% të vlerës totale të kompensimit financiar, por jo më shumë 10 000 000 lekë, sipas nenit 8/1/a të Ligjit 133/2015 dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar kompensohet fizikisht nga fondi i tokës”.

Rama Lame

Ky parashikim shkon tej parashikimit ligjor. Kjo vjen si rezultat i faktit se qeveria në momentin kur draftoi dhe me pas miratoi ligjin nuk kishte bërë një analizë përfundimtare të situatës. Ajo kishte dështuar të kishte një numër përfundimtar të vendimeve administrative dhe gjyqësore që duhej të kompensoheshin; kishte dështuar të përfundonte regjistrimin e pronave; kishte dështuar të kishte një hartë unike dhe dixhitalizim ku të përcaktohej dhe vlera e çdo prone referuar një çmimi tregu.

Akoma dhe sot qeveria nuk e di faturën financiare që detyrohet, pavarësisht vlerësimeve të pretenduara për ato vendime që ka pasur në sistem, ndërkohë që numri i vendimeve të kompensimit është shumë tepër se sa ajo deklaron: 26.000. Çdo afat, shumë monetare apo masë e vendosur në ligj apo akt nënligjor nuk është si rezultat i një analize të thelluar të bërë nga autoritetet. Gjithashtu, edhe fondi i tokës për kompensim fizik është i dyshimtë, pavarësisht se qeveria e raporton si një detyrë të kryer në masën 100%.

Mbetet e paqartë dhe e dyshimtë forma e kompensimit fizik referuar neneve 12, 13, 14 të ligjit, për sa kohë qeveria ka dështuar në procesin e kompensimit fizik.

Gjykata nuk është e bindur nëse harta e vlerës reflekton çmimin e tregut, pavarësisht se e ka gjetur mekanizmin e propozuar nga qeveria si efektiv, por nga ana tjetër, ia ka lënë detyrë gjykatave të brendshme të shprehen nëse harta e vlerës e vitit 2016 reflekton çmimin e tregut, duke vendosur përqindjen më të ulët në 10% të vlerës së tregut krahasuar me raste të tjera të shqyrtuara prej saj.

Duket qartë që Gjykata ka rënë pre e manipulimit nga ana e qeverisë duke justifikuar se një VKM mund të jetë në kundërshtim me ligjin sa i takon fondit total të kompensimit, duke e reduktuar nga 50 bilionë në 10 bilionë euro, ndërkohë që kjo tregon një paqartësi të plotë sa u takon përllogaritjeve të bëra nga qeveria dhe realizimit të kësaj skeme abuzive që e kanë prezantuar si efektive.

Në katër vjet qeveria ka ekzekutuar rreth 800 vendime dhe ka vlerësuar 25 000 vendime, ndërkohë që nuk ka përfunduar procesin e trajtimit të pronës për 7000 raste, të cilat tashmë vërdallosen nëpër gjykata. Ndërkohë që panorama është shumë më keq se kaq. Si mund të realizohet në 5 vite të tjera kompensimi i plotë i pronarëve qoftë dhe me vlerën 10% të pronës referuar çmimit të tregut?!

Tashmë së fundi qeveria ka nxjerrë një tjetër VKM ku sërish do të bëjë një rivlerësim të vendimeve të pronave duke iu referuar pragut 10% të vendosur nga Gjykata, në mënyrë që të evitojnë mundësinë e pronarëve që të adresojnë çështjet e tyre sërish para GJEDNJ-së. Një skemë e paqartë dhe e bazuar në të dhëna të pasakta nuk mund të funksionojë. Avokati i Popullit në një raport të tij të vitit 2019 ka deklaruar se deri në fund të 2019-ës janë ekzekutuar 2,2% e vendimeve përfundimtare.

Duke marrë në konsideratë përzgjatjen e procedurave në rrugët gjyqësore, ndryshimin e herëpashershëm të skemave të kompensimit, është e kuptueshme që ky proces nuk do të përmbyllet dot në 5 vitet e ardhshme. Për më tepër që harta e vlerës mbi bazën e së cilës është bërë përllogaritja nuk reflekton çmimin e tregut dhe që përbën një shkak që çështja të adresohet sërish në GJEDNJ. Vendimi GJEDNJ-së për rastin e pronave të Shqipërisë, ndryshe nga vendet e tjera, u bazua në një vendim politik të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, i cili doli me një rezolutë dhe vlerësoi pozitivisht skemën e propozuar nga qeveria.

Në mendimin tim, ashtu si dhe për shtete të tjera ish-komuniste, një çështje e tillë do të kthehet sërish në rrugëtimin e saj në GJEDNJ, për sa kohë nuk do të ketë një iniciativë për ndërtimin e një skeme të drejtë, të ndershme dhe efektive për pronarët, gjë për të cilën duhet të jetë dakord e gjithë shoqëria.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura