Pse Rama duhet t’i kërkojë falje gazetares Ambrozia

May 24, 2018 | 20:01
SHPËRNDAJE

mentor-nazarkoMENTOR NAZARKO

Ambrozia, në mitologjinë greke është ushqim i Zotave, Perëndive. Por për mediat, meqenëse ajo nuk u bë dot “ushqim i Edi Ramës” në konferencën e tij të shtypit pas ardhjes nga Sofia, ajo po bëhet ushqim i një narrative të re, që e kapërcen apo e pasuron narrativen ekzistuese ditore apo të momentit politik.

Pikërisht ditët e fundit, mediat, në përpjekje për të injektuar ide dhe fytyra të reja, narrativës tashmë të vjetëruar që po ekziston me çështjen Xhafaj, krijuan me të drejtë fabulën e gazetares së guximshme Ambrozia Meta, e cila u duk se e gozhdoi kreun e qeverisë me pyetje-përgjigjen e saj.

Megjithëse kjo fabul është klasike pasi është përdorur edhe në raste të tjera, sërish në të mund të gjesh elemente interesante që e bëjnë atë të duket si ajo e Davidit që përplaset me Golian. Nuk ka asnjë dyshim se Rama zgjodhi aty për aty (më vonë u duk se i ra pishman) një rrugë të gabuar të përplasjes publike me gazetaren e re. Pse? Nëse do të mbështetesh te pyetja që bëri ajo dhe qëndrimi i saj i mëpastajmë, duket se nuk ka pasur asgjë të qëllimshme.

Pyetja e saj ishte në të vërtetë, një pyetje që Ramës do të kishin dashur t’ia bënin gazetarët me eksperiencë apo politikanët e krahut tjetër. Ishte një pyetje sugjestive me brenda qëndrimin apo përgjigjen, nga ato pyetje që gjykatësit ua ndalojnë avokatëve dhe prokurorëve që t’ia bëjnë të pandehurve në një proces penal. Në thelb, ajo mbetej një pyetje që po artikulohej masivisht, por pa marrë fuqi morale në banaqet mediatike që janë shumëfishuar së fundmi.

Në këtë kuptim, Ambrozia, si gazetare, nuk u shqua për cilësinë e pyetjes, por për qetësinë, me të cilën i qëndroi stoike presionit të Kryeministrit, duke e ripërsëritur pyetjen, me gjithë këtë presion, i cili në fakt nuk kishte në fokus atë, sesa pronarin hipotetik të medias ku ajo punonte. Në këtë rast mund të supozoj se Rama ka pasur referencë të atypëratyshme dhe zgjodhi të shigjetonte përmes Ambrozias, pronarin e kësaj mediaje, “Faxnews”.

Ose ndoshta duke zgjedhur personin e gabuar, duke dashur ta përdorë fiks gazetaren e re si “ushqim” për paravolitë e tij, Rama deshi t’i përgjigjej pyetjes sugjestive që e kishte përgjigjen brenda, me një pyetje tjetër sugjestive që e hidhte pataten e nxehtë nga vëllazëritë politike, tek ato mediatike apo dhe ato të njerëzve publikë në përgjithësi, ku nuk përdoret dot parimi biografik. Kësisoj, ai nuk iu përgjigj Ambrosias, por njerëzve të mediave që e kishin përdorur këtë pyetje të formuluar më parë, të cilën gazetarja e gjeti të gatshme.

Kjo rimarrje, ky ripotencim i saj nuk është ndonjë mëkat: gazetarët e rinj marrin pyetje të gatshme, nga tryezat apo banaqet mediatike. Nga shprehja e palëvizshme e fytyrës së saj  nuk u duk ndonjë hile, pra, ajo nuk duket se ka dashur ta potencojë helmin që qëndronte prapa asaj pyetje nga autorët e saj fillestarë. Kësisoj, Rama gaboi në shënjestrimin e një gazetareje të re, e cila siç u duk në shfaqjet e saj të mëvonshme publike, ishte një figurë interesante profesionale që i rezistoi presionit, nuk tregoi emocion, tregoi identitet, formim të përgjithshëm relativisht solid dhe hëpërhë dhe.. pavarësi gjykimi.

Me sjelljen e saj në atë moment dhe më vonë, ajo dëshmoi se nuk ishte një pyetje e mësuar përmendsh qëllimisht nga një pronar apo gazetar më me përvojë, diçka e paqortueshme megjithatë, por u duk që Ambrozia e ka përftuar atë pyetje autentike në mënyrë krejt natyrale me metodën e ripërtëritjes së përsëritjes. Ndaj, edhe Rama gaboi në qasjen e tij, kur e ftoi atë të vijonte konferencën nga podi i drejtuesit të saj, sepse “nuk po pyeste, por po mbante qëndrim.” Dikush mund të thotë se gazetarja zgjodhi vendin më të papërshtatshëm për atë pyetje, duke qenë se tema e konferencës nuk kishte lidhje me pyetjen.

Tema kryesore, siç thoshte me një shqetësim të dikujt që ka punuar në punë të shtetit, ish-zv/kryeministri Kopliku, ishte “a do të merrte Shqipëria statusin e vendit kandidat në qershor?”, ndërsa Ambrozia, sipas tij, bëri sakaq një pyetje prej militanteje. Nuk mund të jesh dakord me këtë puritanizëm: ka plot raste kur gazetarët i shfrytëzojnë konferencat tematike të politikanëve për të dalë jashtë teme, ndaj nuk mund të thuhet se Ambrozia bëri një gabim deontologjik. Ajo thjesht përsëriti një pyetje sugjestive, i dha pavetëdijshmërisht besueshmëri publike asaj pyetjeje, i dha spektakularitet përplasjes me Kryeministrin. Pse besueshmëri?

Sepse Kryeministri nuk qëndroi. Pse spektakularitet? Pse, sepse shfaqja vazhdon dhe sot. Këtë pyetje edhe opozita do t’ua përplasë turinjve Qeverisë dhe Kryeministrit: shikoni se ministri i Brendshëm ka një vëlla që akuzohet se bën ende sot e kësaj dite trafik droge dhe për pasojë ai nuk mund të rrijë në këtë detyrë pasi nuk mund të luftojë kundër të vëllait. Në fakt, opozita donte të potenconte vetëm se ai bën dhe aktualisht trafik, se nëse do shkonte te biografia e shkuar e vëllait të ministrit, atëherë çfarë hedh te tjetri, të bie në fytyrë. Kësisoj, gjithë ata opinionbërës, apo opozita, gjetën çlirim te shfaqja e saj, dhe strehim te fytyra e saj e pafajshme apo te soliditeti i saj psikologjik në përballjen e saj me Ramën.

NDËRRIMI I BREZAVE, SHPRESA SE GAZETARIA DO NDRYSHOJË

Shfaqja e Ambrozias solli në mjedisin publik frymën e freskisë që vjen nga terreni real. Ambrozia nuk është një yll që ra nga qiellin tonë mediatik dhe pastaj s’ka më yje të tjerë, por ajo është shembull i ndërrimit brezor të këtij profesioni që nuk vdes kurrë. Kjo ngjarje nxiti gazetarët e tjerë të kuotuar që t’i bëjnë jehonë pyetjes dhe qëndrimit që ajo mbajti përballë Kryeministrit, duke u munduar ta metaforizojnë figurën e saj në mënyrë të qëndrueshme.

Ambrozia, siç u dha rasti kur u shfaq në emisionin e Zhejit, në një intervistë edhe jashtë kësaj teme, tregoi se ka identitetin e saj intelektual, qe nuk bie pre e grackave të gazetarëve me eksperiencë, që nuk rreshtohet politikisht as në njërin krah dhe as në tjetrin, duke hedhur poshtë të gjitha pretendimet e atyre që e konsideruan si një militante. Është tamam një profil profesional, që çdo botues do të duhet ta vlerësonte. Tek ajo shumë prej nesh panë atë që duhet të jenë dhe që nuk e kanë. Hëpërhë të paktën. Po rritet një brez që arsyeton politikisht jashtë dy kampeve kryesore, jashtë preferencave politike të prindërve, krahinës, etj., etj.. Bash për këtë arsye, këtij profili profesional i pafajshëm dhe jo i prodhuar nga politika, z. Rama do të duhet që të gjejë një mënyrë për t’i kërkuar falje. Ambrozia tregoi edhe pas konferencës se nuk ngjante e ndikuar nga interesat e pronarëve, ndaj dhe Rama duhet ta falënderojë për modelin e mirë që ajo dha.

GAZETARIA INVESTIGATIVE SI TEST I INTERESAVE MEDIATIKE

Rasti i Ambrosias na çoi apo erdhi te ne për shkak të së ashtuquajturës gazetari investigative, bisedës së përgjuar me vëllain e ministrit Xhafaj. Është krejt e qartë se për të bërë një gazetari të tillë, do të duhen mjete të fuqishme financiare, redaksi të mëdha, do të duhet investim në vetë të parë i atyre që janë pronarë të mediave, të cilët kanë interesat e tyre në raport me shtetin dhe të singjashmit, dhe për rrjedhojë për këto interesa dhe mund të konfliktohen, duke përdorur jo rrallë investigimin si moment presioni.

Pa këto kushte, ngjan e vështirë për një gazetar që të investigojë duke vënë në rrezik jetën e vet pa suport profesional, moral dhe material. Me këtë nuk dua të paragjykoj interesin e redaksive të caktuara për të investiguar apo për të goditur veprimtarinë e narko-trafikut ku ka pasur arritje të kësaj gazetarie dhe dua të veçoj punën e portalit Birn, sepse në panoramën mediatike shqiptare ka subjekte të financuara nga Perëndimi, që do të inkurajojë këtë lloj gazetarie në Shqipëri. Por ndërkohë, e kam të vështirë që të mendoj se këto raste, pra, dhe ky i fundit me Babalen, kanë qenë iniciativa të një gazetari të vetëm.

Dua ta vlerësoj publikisht Jetmir Olldashin për kurajën profesionale në shumë raste, por më duket çudi, se pse ndonëse Jetmiri ka punuar në shumë redaksi, asnjë prej tyre nuk ka dalë që të marrë në mbrojtje ose të flasë për këtë iniciativë të tij, si pjesë të një projekti apo emisioni. Në një rrethanë si kjo, e quaj normale që ai të mbrohet duke u mbështetur tek opozita. Megjithatë, kjo është një temë tjetër. Midis figurës së Jetmirit dhe Ambrozias ka të përbashkëta dhe dallime. Ambrozia është e re në profesion, ndaj le të shpresojmë që në të ardhmen të mos i duhet që për hir të marrjes në mbrojtje të interesave të pronarëve të bëjë diçka, për të cilën të pendohet. E ka nisur mirë, kjo ngjan e sigurt.

Konica.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura