Pse nuk ulet çmimi i naftës

Aug 26, 2015 | 12:56
SHPËRNDAJE

reila
REILA BOZDO

Tema mbi çmimin e naftës në vend, prej më shumë se një viti, rikthehet në rend të ditës. Megjithëse duket si një temë e ricikluar, motivet pse çmimi i naftës në Shqipëri ribëhet shpesh objekt diskutimi dhe denoncimi janë shumë.
Qytetarët e ndiejnë peshën e çmimit të lartë në xhepin e tyre. Është e thjeshtë të bësh llogarinë se nëse nafta do të ishte më e lirë, brenda të njëjtit buxhet të dedikuar për pushimet, në vend që të paguanim për karburant, do t’i shpenzonim ato para në një hotel, për një ditë pushime më shumë, apo në një restorant, për një pjatë më cilësore.

Pa folur fare për kursim, veprim i cili po bëhet gjithmonë e më i vështirë që të ndodhë, po arsyetoj mbi konsumin dhe se si paratë që shkojnë në pak kompani karburantesh, do të injektoheshin në ekonomi përmes shumë bizneseve të lidhura me turizmin. Ky konsum, paralelisht, do t’i gëzonte njerëzit më shumë sesa lekët e shpenzuara për të mbushur serbatorin e makinës.

E lehtë ta kuptojmë se çmimi i lartë i një të mire na privon një ose disa të mira, të cilat do mund t’i kishim përfituar nëse ato para do të ishin në xhepin tonë.
Tema e çmimit të naftës rikthehet dhe qytetarët tashmë e kanë kuptuar se, pavarësisht çmimit në tregun ndërkombëtar apo kursit të këmbimit dhe abuzimit me të, pasojë e çmimit të naftës në vend është vendosja e një takse të re nga “Rilindja”. Por këtij puzzle i mungon një pjesë.

Në internet, te http://autotraveler.ru/en/spravka/fuel-price-in-europe.html#.VdhM2vmqqko, datë 21 gusht 2015, gjendet informacion mbi çmimin mesatar të naftës në vende të ndryshme të Europës. Në kolonën Naftë (Diesel), Shqipëria renditet e 7-ta për nga shtrenjtësia. Përpara Shqipërisë, gjenden në rend nga 1 në 6 vendet: Britani e Madhe, Itali, Norvegji, Zvicër, Maltë, Suedi.

Aplikimi i taksave të larta nuk është një shpikje e Rilindjes. Është e thjeshtë ta kuptosh si mekanizëm (edhe pse Rilindja e keqpërdor). Ta kuptosh është një gjë. Ta mirëpërdorësh kur e zbaton është një gjë tjetër. Dhe të mos bashkohesh fare me filozofinë e taksave të larta në kushtet e Shqipërisë është pastaj çështje vizioni.

Çfarë ka që nuk shkon? Çfarë e bën çmimin e lartë të naftës një çështje kaq problematike?
Shumë është arsyetuar për këtë, por ajo që nuk shkon nuk është thjesht çmimi i lartë i naftës. Problemi është më i madh, kur çmimi i lartë i naftës analizohet në raport me Produktin e Brendshëm Bruto për frymë bazuar në PPP (Purchasing Power Parity – pariteti i fuqisë blerëse), sipas të cilit PBB konvertohet në dollarë duke respektuar norma të paritetit të fuqisë blerëse. (*PBB është një tregues i cili mat performancën ekonomike të një vendi. Në anglisht GDP).

Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar mbi GDP për frymë bazuar në PPP, Shqipëria, në 2014-n, renditet në vendin e 95-të, me 11.377 USD. Nëse krahasojmë këtë tregues me çmimin e naftës për 7 vendet në krye të listës së naftës më të shtrenjtë që paraqitet më lart, kuptojmë se përveç rastit të Shqipërisë, vendet e tjera janë ato me mirëqenie të lartë.

Respektivisht: në rend nga 1 në 6 vendet: Britani e Madhe – vendi i 27-të, me 39.511 USD/frymë; Itali – vendi i 29-të, me 35.486 USD/frymë; Norvegji – vendi i 6-të, me 66.937 USD/frymë; Zvicër – vendi i  9-të, me 58.087 USD/frymë; Maltë – vendi i 33-të, me 33.216 USD/frymë dhe Suedi – vendi i 17-të, me 45.986 USD/frymë.

Në lidhje me çmimin e naftës, ne shqiptarët po krahasohemi me vende si Norvegjia, që performancën ekonomike vetëm sipas këtij treguesi të marrë në analizë e ka 6 herë më të lartë se tonën.
Shqipëria ka çmim të lartë të naftës, ca nga taksa dhe ca nga abuzivizmi me çmimin për shkak të mungesës së kontrollit të vazhdueshëm, por nga ana tjetër, ka tregues ekonomikë më të ulët krahasuar me “shoqet e veta” në listën e çmimit të naftës. Krahasimi i dy variablave duhet të ketë një logjikë normale mes tyre. Por, në këtë rast, vetëm për normalitet nuk flasim dot.

Ne si konsumatorë paguajmë më shumë, kur në fakt nuk kemi më shumë. Ne e paguajnë çmimin e naftës sikur jemi të pasur, në fakt të pasur nuk jemi.
Ajo që nuk shkon është filozofia me të cilën po ecim. Rilindja e injoron xhepin tonë të varfër, kur na kërkon ta paguajmë naftën si të jemi të pasur.
Ata që drejtojnë na detyrojnë të paguajmë atë që nuk kemi. …dhe ajo që nuk ke, është diçka që mbarohet shpejt…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura