Pse nuk po vaksinohen studentët? Rakacolli: Kanë ndikuar deklaratat e joprofesionistëve mbi efektet e infertilitetit të vaksinave. Jam e bindur se…

Oct 19, 2021 | 14:57
SHPËRNDAJE

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, gjatë një interviste të dhënë për News 24, foli mbi vaksinimin e studentëve dhe penalitete mbi ata që nuk do të pranojnë të vaksinohen.

rakacolli

Rakacolli u shpreh se aktualisht ka një hezitim nga ana e studentëve për tu vaksinuar dhe kjo sipas saj lidhet me përmirësimin e situatës Covid në vend, por edhe me dezinformimin në rrjete sociale dhe disa media jo serioze mbi efektet e vaksinës.

Rakacolli theksoi se deklaratat e disa njerëzve jo kompetent të fushës, mbi efektet e vaksinave në problematikat e infertilitetit, ka ndikuar që studentët të mosvaksinohen. Por ajo u shpreh e bindur se Shqipëria ka të rinj të kulturuar që nuk do t’i marrin parasysh më këto deklarata dhe do të vaksinohen së shpejti.

“Dëshira jonë është për të pasur shifra më të mira vaksinimi se sa ato që kemi. Nuk ka një përgjigje ashtu si ne mendonim se do të kishte, nga studentët në lidhje me këtë. Kjo ndoshta lidhet dhe me faktin e përmirësimit të situatës Covid. Gjithashtu pati një keqinformim në rrjete sociale dhe në disa media jo serioze, nga disa persona jo profesionist, ku u përmendën dhe efekteve jo pozitive të vaksinës karshi problemeve të infertilitetit te të rinjtë. Këto janë disa nga arsyet që unë besoj se kanë ndikuar në mosvaksinimin e studentëve.

Unë jam e bindur se kemi të rinj të kulturuar dhe vaksinimi i tyre do të rritet në ditët në vijim. Duhet të shkojnë patjetër të vaksinohen, pasi është për shëndetin e tyre. Në këtë mënyrë mbrojnë veten e tyre, mbrojnë shokët e tyre dhe mbrojnë familjet e tyre. Të vaksinohem apo jo nuk është një e drejtë personale, shkon përtej personale, shkon në detyrimin që kemi për ruajtjen e shëndetit publik. Vaksinimi është një detyrim për shëndetin publik”, tha Rakacolli.

Gjithashtu zëvendësministrja e Shëndetësisë e vendosi theksin te ndërgjegjësimi i studentëve për tu vaksinuar dhe jo te masat penalizuese. Sipas saj të rinjtë por edhe qytetarët e tjerë duhet të ndërgjegjësohen se vaksinat bëhen për të mbrojtuar shëndetin dhe jo për t’u shpëtuar penaliteteve.

“Duhet të fokusohemi te vaksinimi dhe jo te penalizimi. Duhet të fokusohemi si të ndërgjegjësojmë studentët të vaksinohen dhe jo të përqëndrohemi te penalizimi për ata që nuk vaksinohen. Duhet të bëhemi të gjithë bashkë në ndërgjegjësimin e të gjithë qytetarëve, dhe jo vetëm të studentëve që të vaksinohen, pasi kur vijnë ato shifrat që publikohen çdo ditë, ata persona që kanë ndërruar jetë mund të shpëtoheshin po të ishin të vaksinuar.

Më vjen keq që shumë njerëz kanë shkuar të vaksinohen pasi kanë parë çfarë ka ndodhur me të afërmit e tyre apo miqtë e pavaksinuar”, tha Rakacolli.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura