Pse nuk isha në takimin e qeverisë për të përndjekurit

Jun 24, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

Tomorr AlizotiTOMORR ALIZOTI*

Dy ditë më parë në Tiranë, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj premtoi të financojë ndërtimin e memorialit kombëtar për ish-të përndjekurit politikë. Në takimin që u mundësua nga instituti shtetëror për të përndjekurit, morën pjesë edhe funksionarë të lartë shtetërorë, si ministri Blendi Klosi apo Avokati i Popullit Igli Totozani.

Kryetari i Bashkisë u shpreh se “jemi borxhlinj ndaj viktimave dhe trashëgimtarëve, që të mësojmë dhe njohim vuajtjen e secilit prej tyre dhe të afërmve të tyre”. Ministri Klosi tha se “memoriali i shërben kujtesës së përbashkët.

Në drejtim të kësaj qeverie, gjatë kësaj qeverie, është vendosur një rend përparësie”. Edhe Avokati i Popullit nuk i kurseu fjalë të tilla pa ngjyrë, të përgjithshme dhe hipokrite. Një memorial për të përndjekurit është pa dyshim një gjë e lavdërueshme. Një takim ku flitet për vuajtjet e tyre është pa mëdyshje një gjë që meriton nderim, por respekti për vuajtjen, shndërrimi i saj në memorie kombëtare nuk mund të jenë akte hipokrite.

Duket një pohim i rëndë që vjen nga një i përndjekur, nga një kategori njerëzore që do të duhet të ishte më shumë se asnjëherë mirënjohëse për vendimin e Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës. Unë kisha një ftesë për në atë takim dhe nuk shkova. Nuk shkova pikërisht për shkak të hipokrizisë. Të përndjekurit e kanë pasur shumë të vështirë në këto 25 vite liri të integrohen, t’i rikthehen jetës, të rigjejnë ritmin e zakonshëm të saj.

Ata vinin nga internimet, nga burgjet, kishin plagë të rënda me familjarë të pushkatuar, masakruar, zhdukur. Që, në ditët e para të dhjetorit të 1990-s e më pas, ata ishin ndër përkrahësit më të thekshëm të rrëzimit të komunizmit dhe të rendit të ri që po fekste në sfond. Në mjaft raste ata u dëshpëruan me zhvillimet, u ndjenë të tradhtuar, u ndjenë të paaftë për t’ia dalë, u ndjenë më të aftë se shumë të tjerë, por nuk gjetën hapësirë, por edhe u ndjenë të vlerësuar. Ish-të përndjekurit i kanë përjetuar të gjitha llojet e emocioneve.

Ata, me instinkt, i qëndruan larg Partisë Socialiste. Pavarësisht disave, ata shihnin tek ajo Partinë e Punës, e cila i kishte terrorizuar çdo çast të jetës, u kishte marrë gjithçka, deri edhe trupin. Ky instinkt u provua në anën e të drejtës. Gjatë viteve 1992-1997 pati një qasje dashamirëse ndaj ish-të përndjekurve. Pati masa për t’i ndihmuar të arsimohen, të strehohen, të punojnë, t’i dëmshpërblejnë etj.

Shumë ish-të përndjekur ishin në detyra të rëndësishme, ishin në Parlament, në Polici, në Qeveri etj. Me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste, në vitin 1997, pati një rikthim të fortë të makthit të vjetër. Në institucione erdhën jo thjesht ish-funksionarë të lartë të Partisë së Punës, por njerëz që ishin dalluar për zell në regjimin komunist. Në Gjykatën Kushtetuese u vu në krye Fehmi Abdiu, ish-gjyqtar që kishte dënuar me vdekje poetë, edhe kur komunizmi po shembej.

Anëtarë në këtë gjykatë, gradualisht Partia Socialiste emëroi ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë famëkeq të regjimit të dikurshëm. Në Gjykatën e Lartë erdhi Thimio Kondi, nga një familje mjaft e njohur e nomenklaturës së komunizmit. Anëtarët e kësaj gjykate, po ashtu, ishin gjyqtarë dhe ishprokurorë apo hetues të regjimit komunist. Në Polici, Burgje, administratë, pati një rikthim të turpshëm. Në qeveri erdhën njerëz edhe nga ish-Byroja Politike e Partisë së Punës.

Pas vitit 2005 pati sërish një lehtësim, ndonëse gjërat kishin shkuar shumë larg. Rinisi dëmshpërblimi i të përndjekurve, pati një afrim të njerëzve nga kjo shtresë në administratë dhe qeveri, por sigurisht tashmë koha kishte bërë të sajën. Këto tri vite vazhdon procesi i dëmshpërblimit. Këto tri vite vazhdon nënzëshëm një ligjërim dashamirës ndaj ish-të përndjekurve. E vërteta është se në substancë kemi sërish një rikthim. Në Polici kanë riardhur njerëz që vijnë nga ish-Sigurimi i Shtetit.

Vetë zëvendësministri i Brendshëm, Ilir Mustafaraj (që doli në pension vetëm pak kohë më parë), ka qenë zëvendësministër në qeveritë e fundit komuniste. Ish-shefi i Policisë Kriminale në Shkodër dha dorëheqjen publikisht, pasi shef personeli ishte emëruar njeriu që i kishte torturuar babanë para viteve ‘90. Ministria e Mbrojtjes ka dekoruar deri edhe ish-anëtarë të Byrosë Politike.

Qeveria në çdo 5 maj, 24 maj, 29 nëntor zhvillon homazhe “e shoqëruar” nga “veteranë” dhe portrete të Enver Hoxhës. Kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë në 22 vitet e mëparshme. Ministria e Arsimit ka dërguar nxënës në varrezat e Përmetit, të cilët nderojnë me grusht. Në Pezë, në festimet apo përkujtimet e Konferencës, ku shkon edhe kreu i Bashkisë, Erion Veliaj, shihen djem dhe vajza të FRESH-it që vishen me veshje partizane, me yll të kuq (Konferenca nuk është organizuar apo drejtuar nga Partia Komuniste, ajo thjesht e vodhi atë.

Në Partinë e sotme Socialiste, njeriu më i rëndësishëm pas kryetarit është ish-ministri i Brendshëm i fundit i diktaturës komuniste. Një deputet nga Myzeqeja thotë gjithë mburrje në Parlament se është krenar për Lenka Çukon. Ishdeputeti Koço Kokëdhima e thotë gjithë brohori se Enver Hoxha ka qenë një burrë i madh shteti etj., etj. Lista është shumë e gjatë dhe qëndrimet e Kryeministrit Rama, kryebashkiakut Veliaj dhe të tjerëve në PS mbi këtë listë janë asgjë, janë justifikime apo edhe banalitete të ndyra, deri te “fajin e ka Saliu”.

Një ish-i përndjekur politik është në burg, sepse akuzohet se ka thyer bunkerin ose ka marrë pjesë në thyerjen e tij. Bëhet fjalë për bunkerin e ndërtuar pas Ministrisë së Brendshme. Kësisoj, financimi apo ndërtimi i një memoriali, fjalët mbi respektin për dhimbjen dhe vuajtjen, janë hipokrizi. Sigurisht Veliaj, Klosi, Rama dhe kushdo në PS ka të drejtën të jetë antikomunist, ka të drejtën të jetë në anën e të përndjekurve, por kjo duhet të dëshmohet.

Tërë thelbi i demokracisë është i mbështetur mbi llogaridhënien. Llogaridhënia ka ardhur si një vlerë e feve abrahamike dhe në zemër të saj ka faljen. Falja, sakrifica, pendimi janë akte parësore në këto fe. Njerëzit mund t’i falin ata që i kanë lënduar, ata që kanë bërë një dëm apo edhe një krim, kur ata e pranojnë atë që kanë bërë.

Ata nuk thonë thjesht “po e bëra këtë gjë”, por pendohen dhe përpiqen ta rregullojnë dëmin, të kompensojnë njerëzit që u dëmtuan. Ish-të përndjekurit nuk duan hakmarrje, as kanë dashur ndonjëherë, por faljen e kanë dashur, e duan ende. Falja nuk mund të ndodhë pa pendimin. Dhe pendim nuk ka. Nuk mund të ketë pendim kur ekziston lista e mësipërme. Për cilën gjë ka shprehur pendim Rama? Po Veliaj?

Historiani Alan Chals Kors, profesor i Universitetit të Pensilvanisë, thotë se duhet pritur për mea culpa, ndonëse ajo nuk do vijë, nga ata që thonë se nuk e dinë se ç’krime ka bërë komunizmi apo nuk pranojnë të mbajnë qëndrim të sinqertë mbi to.

Ai sjell në vëmendje poemën “Requim” të Ana Ahmatovës (e persekutuar nga komunizmi) që thotë: “Unë do t’i kujtoj ata gjithnjë dhe gjithmonë, nuk do t’i harroj, çfarëdo që të ndodhë. Trupat kërkojnë një pendim të sinqertë, një falje një llogaridhënie, pa këtë nuk mund të ketë asgjë…..”

Ajo e ka fjalën për intelektualët që nuk mbajnë qëndrim, merre me mend se ç’do të thoshte për PS-në, Kryeministrin Rama, për kryebashkiakun Veliaj. Për këto arsye, për këtë hipokrizi, unë nuk isha në takimin e Institutit qeveritar të të përndjekurve.

*Drejtor i Departamentit të të Përndjekurve në PD

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura