“Pse nuk e vrau mjeku diktatorin?”- Berisha flet për miqësinë me Isuf Kalon: Edhe unë do ta mjekoja Enverin, por…

Sep 27, 2019 | 14:29
SHPËRNDAJE

“Enver Hoxhën nuk e kam vizituar, se nuk më ka thirrur kush. Po të më thërrisnin, do ta vizitoja. Është betimi i Hipokratit”.

berishakalo

Kështu është shprehur ish-lideri i opozitës dhe ish-Presidenti i Republikës, Sali Berisha, në studion e gazetarit Çim Peka.

I ftuar në lidhje me hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, ndër të tjera, Berisha është pyetur edhe për pjesëmarrjen e tij në promovimin e librit “Blloku” të Isuf Kalos, ish-mjekut personal të Enver Hoxhës.

Gjatë promovimit të librit, disa muaj më parë, prania e Berishës nuk ka kaluar pa u vënë re. Me këtë rast, ish-Kryeministri Sali Berisha tregoi miqësinë e tij të ngushtë me mjekun e njohur, për kohërat kur dëgjonin së bashku lajmet te BBC etj.

Sali Berisha, gjatë promovimit të librit të Isuf Kalos
Sali Berisha, gjatë promovimit të librit të Isuf Kalos

“Isuf Kalo është një mik i imi që në vitin e parë të karrierës sime mjekësore. Kemi qenë në një klinikë dhe kemi pasur që në fillim një shoqëri e miqësi, që nuk është lëkundur kurrë. Në ato vite, me Isuf Kalon, dëgjonim emisionet e zgjatura të BBC, rusisht, që ishin më antikomunistet e kohës. Ka qenë mjek i diktatorit Enver Hoxha. Nuk gjen një njeri që të thotë se, Isuf Kalo më tradhtoi. Ka qenë një mik luajal. Unë respektoj zgjedhjen e njeriut. Ai ka shkruar një libër. por miqësia është miqësi. Dhe e fundit, ka qenë një jetë e gjatë në diktaturë. Nuk ka njeri të thotë se pësova gjënë më të vogël nga Isuf Kalo. I kam shkuar dhe do t’i shkoj”, u shpreh Berisha.

Nisur nga përgjigjja e tij se, asokohe të dy dëgjonin një radio antikomuniste, gazetari e pyeti se përse nuk e vrau Kalo diktatorin Hoxha. Berisha u shpreh se në mes është betimi i Hipokratit dhe se edhe atij, nëse do t’i ishte kërkuar të vizitonte Enver Hoxhën, do ta kishte bërë.

“Mjeku nuk vret. Ata që presin që mjeku të vrasë të sëmurin, e kanë gabim. Enver Hoxhën nuk e kam vizituar se nuk më ka thirrur kush. Po të më thërrisnin, do ta vizitoja. Është betimi i Hipokratit”, u shpreh ish-Kryeministri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura