Pse nuk e duam Fishtën, sa na ka dashtë ai

Oct 24, 2019 | 11:20
SHPËRNDAJE

 

FRANO KULLI Frano Kulli

Homazhi në përvjetorin e lindjes së Fishtës është ndërkohë edhe një “mea culpa”. Një kërkim ndjese i mbarë shqiptarëve kudo janë, për detyrimin që ende i kemi Fishtës. Ende sot, Gjergj Fishtës nuk ia kemi kthyer gjithë respektin për çfarë ai bëri për ne shqiptarët. Ende sot, Fishta e ka shtëpinë e lindjes në qerthullin e fjalëshkëmbimit bosh dhe tjetrën shtëpi, atë të viteve të fëminisë, pak pa u rrëzue përdhe. Ende sot, Fishtën nuk e duam sa ai na ka dashtë ne. Nuk e duan poet kur thonë se Fishta është vetëm “Lahuta” dhhe e çmojnë folklorizantë, Edhe pse ajo është kryevepra e tij. Nuk e duan as prozator kur nuk e përmendin si të tillë; as dramaturg nuk e duan. Nuk duan atë që themeloi teatrin e kultivuar në sallat e kuvendit të françeskanëve në Shkodër, me 35 a 36 melodramat e pjesët e tjera dramaturgjike, që shkroi e përshtati. As satirik nuk e duan ata që thonë se “Gomarin e Babatasit” e kishte shkruar me mllef…! As publicist jo… Atë, themeluesin e drejtuesin e “Posta e Shqypnisë” e “Hylli i Dritës”, tribuna, pa dyshim, më e spikatura e mendimit publik e kulturor shqiptar të kohës.

Edhe pse në bashkëkohësinë e vet ai ishte par exellence, siç e çmonin të gjallët e kohës së tij. Njëri prej shqiptarëve të mëdhenj, Faik Konica, sqimatar, do të thoshte për të: “Fishta i ka lëvruar të gjitha gjinitë dhe në të gjitha ka shkëlqyer”.

Fishta mbetet ende i padashtun, përderisa vepra e tij trumbetohet si e pakuptueshme në viset e jugut, sot. Teksa poeti i Liqerit, Lasgushi, në Toskëri, do të thoshte për të 80 vjet më parë: “Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar”. Kurse për satirat e tij, duke i krahasuar ato me të Molierit do të thoshte: “Kombi ynë në Fishtën ka më të madhin satirik botëror”. Ose ditunari i madh Eqrem Çabej, në atë kohë, gjithashtu do t’i shkruante Lasgushit-lirikut të papërsëritshëm në një kartolinë, e cila ruhet ende sot: “Lexova ‘Lahutën…’ dhe u mahnita. Jam gati të bëhem katolik për hir të Fishtës”.

Po nuk e duan as si atdhetar Fishtën. Ca që e ngulmojnë medoemos bashkëpunëtor të fashizmit. Ani, pse ai qe i vetmi ndër të mëdhenjtë që madhështinë e shërbesën për kombin i ndërtoi këtu në Shqipëri, me “zavalle krejet” [halle, telashe] të panumrueme. E jo i mërguar…

E as si diplomat disa s’e duan Fishtën. Ani pse pakkush si ai punoi për “Shqiptarët dhe të drejtat e tyne”.

“Shqyptarët e të drejtat e tyne”, fjalimi historik i mbajtur në Universitetin Katolik të Parisit, më 1919, që është cilësuar edhe si shërbesa e tij më e vlertë që Ai i bëri Shqipërisë dhe shqiptarëve në fushë të diplomacisë, kemi ndarë të jetë përbashkuesja jonë sot përreth Fishtës.

Kanë kaluar 100 vjet ç’prej është shkruar e kumtuar kjo fjalë në aulat europiane e për mesazhet e asohershme kemi nevojë ende sot. Dhe ne duhet të shpresojmë se nga sot, do të marrë udhë një përpjekja jonë e re, një zotim i ri edhe i autoriteteve që e drejtojnë Lezhën dhe Shqipërinë se do t‘i shpejtojnë ritmet për të kapë medoemos kohën e humbur të vendosjes së Fishtës në Panteonin e Vlerave të Kombit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura