Pse nuk duhet dhoma e këshillimit!

Mar 16, 2018 | 13:00
SHPËRNDAJE

jorgo-dhrami

AV.PROF.ASOC.DR. JORGO DHRAMI

Legjislacioni Shqiptar lejon Gjykatën që, në rastet e paraqitjes së një ankese, kërkese apo rekursi ndaj Gjykatës së Shkallës së Parë është e drejtë për t’i kaluar gjykimin Gjykatës së Apelit, Gjykatës së Lartë apo Gjykatës së Shkallës së Parë për rishikimin. Në rast se, Dhoma e Këshillimit, duke gjykuar pa praninë e palëve, ankimin, kërkesën apo rekursin, e konsideron të padrejtë e pa shkaqe ligjore, vendos mospranimin e saj dhe vendimi i ankimuar konsiderohet si vendim i paankimuar. Dhe, si i tillë, është i formës së prerë, duke u vënë automatikisht në ekzekutim.

Dhoma e Këshillimit me atribute të tilla ekziston sipas legjislacionit të mësipërm, në fushën penale, civile, administrative si dhe në kërkesën për rishikim. Duhet thënë se, krijimi i kësaj Dhome Këshillimi, nuk është diçka e re. Ajo ka ekzistuar në fushën penale për Gjykatën e Lartë në rastet e kërkesave të ushtrimit të rekursit. Sipas Kodit të mëparshëm të Procedurës Penale, nenit 433 pika 2 e tij, “Mospranimi i rekursit vendoset nga Kolegji i Gjykatës së Lartë në Dhomën e Këshillimit, pa pjesëmarrjen e palëve”. Një dispozitë e tillë ligjore, krijonte premisat që në rastet kur Kolegji i Gjykatës së Lartë, për shkaqe subjektive, të përfitonte nga kjo dispozitë, për të vendosur: “Mospranimin e rekursit”.

Mospranimi i rekursit, nga Kolegji i Gjykatës së Lartë, si në rastet kur ai ishte rrjedhojë e zbatimit të drejtë të kërkesave ligjore, ashtu dhe kur ai ishte në kundërshtim me këto kërkesa, krijoi një pakënaqësi të personave të ankimuar, pakënaqësi kjo që po rritej nga koha në kohë. Prandaj, problemi u ashpërsua nga pakënaqësia e krijuar dhe kjo bëri që ekzistenca e kësaj dispozite të vihej në diskutim. Jurisprudenca shqiptare, për të mënjanuar një rrjedhojë të tillë negative, ishte gati të ndërmerrte “aksionin” për t’iu drejtuar organeve përkatëse shtetërore për shfuqizimin e dispozitës së mësipërme. Mirëpo, ndodhi e kundërta. Kjo dispozitë, në vend që të shfuqizohej, gjeti vendosjen e saj nga Parlamenti shqiptar jo vetëm në qëndrimin e saj për Kolegjin e Gjykatës së Lartë, por edhe për Gjykatat e Apeleve dhe të Gjykatës së Shkallës së Parë në rastet e ushtrimit të kërkesës për rishikim. E thënë ndryshe, në vend që drejtë- sia, siguria në dhënien e saj të ecte përpara, sipas mendimit tim, bëri një hap mbrapa. Po argumentojmë:

Duke iu referuar zbatimit të së drejtës kohore në të gjitha etapat e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, me aq sa kemi mundur ta njohim atë, marrja e një vendimi gjyqësor nga gjykata, cilado qoftë shkalla e drejtësisë së vendimit, merrej mbasi më parë të ishte dëgjuar prej saj personi i interesuar.

Mungesa e pranisë së palëve në Dhomën e Këshillimit, nga cilido motiv të paraqitet, përmban në vetvete një mosrespektim të skajshëm të të drejtave të personit për të pasur të drejtën e pjesëmarrjes së tij në gjykimin e ankimit, para gjykatës. Ndërkohë kur kjo është një e drejtë absolute e tij. Kjo, për faktin e thjeshtë se, si në rastet kur ankimi apo rekursi i përket fushës penale, civile, apo administrative, më mirë se ai, të vërtetën absolute nuk e di as Gjykata. Si jurisprudenca shqiptare apo e huaj qoftë ajo, ashtu dhe praktika e punës në fushën e drejtësisë, e ka konsideruar këtë dijeni të vërtetë reale. Prandaj, qenia e tij i pranishëm nuk është formale, por i shërben dhe ka peshë më vete në zbulimin e së vërtetës. Një pranishmëri e tillë i shërben dhënies së një vendimi të drejtë, të bazuar në ligj dhe në prova, vetë gjykatës.

Fakti që në legjislacionin përkatës, parashikohet e drejta që në rastet kur Gjykata në Dhomën e Këshillimit konkludon për të vendosur dërgimin e shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Apelit apo Gjykatën e Lartë, nuk mund të justifikojë mungesën apo privimin e personit të interesuar për mospasjen e së drejtës së pranishmërisë së tij para gjykatës. E drejta apo fati i tij nuk mund të lihet në besimin e gjykatës, me mendimin se “ajo është organi i vetëm për dhënien e drejtësisë dhe si e tillë, ajo është garantuesja e drejtësisë”. Sado e aftë profesionalisht të jetë gjykata dhe sado e ndershme të jetë ajo në zbatimin e drejtësisë, pa praninë e personit të interesuar në shqyrtimin e çështjes së ankimit apo të rekursit, premisat janë të mundshme që mund të gabojë. Dhe jeta, praktika gjyqësore, ka vërtetuar jo pak raste të tilla. Gjykata nuk mund të absolutizohet. Së pari, është ligji ai që siguron dhe garanton liritë dhe të drejtat e individit. Prandaj, Gjykata është e varur nga ligji. Në anën tjetër, duhet thënë se shqyrtimi nga Dhoma e Këshillimit të ankimit apo të rekursit, pa praninë e palëve, krijon premise për marrjen e një vendimi nga ana e gjykatës për interesa të ndryshme të saj, veçanërisht sot kur nevoja e Reformës në Drejtësi është evidente. Pa përmendur këtu faktin që evidentohet se, në disa raste bashkëshortët që janë gjyqtarë të gjykimit të rastit, njëri mund të ketë qenë gjyqtar i Shkallës së Parë apo prokuror, kurse tjetri në Dhomën e Këshillimit në Gjykatën e Apelit apo në Gjykatën e Lartë. Pa mosfyer askënd, asnjë gjykatë dhe asnjë gjyqtar qoftë, ekziston mundësia e zgjidhjes sipas “interesit vertikal”. E zbërthyer kjo, bëhet fjalë për rastet kur Gjykata e Shkallës së Parë ose shumica e anëtarëve të saj ka dhënë një vendim gjyqësor për shkaqe subjektive dhe se në Dhomën e Këshillimit, ajo ka lidhje me të ose shumicën e gjyqtarëve të kësaj dhome. Për rrjedhojë, ekziston mundësia që Dhoma e Këshillimit të mbështesë vendimin gjyqësor të Shkallës së Parë. Kjo mundësi ekziston, për të mosthënë se ka ndodhur, pasi në këtë drejtim ka “zëra” që e flasin këtë. Një pasojë e tillë, mund të ndodhë në mënyrë direkte në Dhomën e Këshillimit, pasi premisa ligjore ekziston. Pranishmëria e palëve në shqyrtimin e ankimit ose të rekursit, të paktën e mënjanon premisën ligjore si mundësi. Kur premisa ligjore për të përfituar ekziston, askush nuk mund të absolutizohet se është i imunizuar nga një mosndodhje e tillë. Ligjvënësi nuk ka pse të lerë në dilemë rastin. Dihet dhe jeta ka vërtetuar faktin se, kur në dispozitën ligjore evidentohen të “çara” ligjore, sado e vogël qoftë ajo, personit të papërgjegjshëm i krijohet mundësia për të përfituar nga kjo mundësi. Kjo ka qenë dhe është evidente. Prandaj, kërkohet që ligjvënësi të parashikojë dhe të sigurojë një korrektësi ligjore sa më të lartë, për të mënjanuar mundësinë e përfitimit nga persona të veçantë, sado të vogla qofshin ato.

Qenia si dhe zgjerimi i mëtejshëm i Dhomave të Këshillimit veç sa u tha më sipër, vjen në kundërshtim dhe me sistemin akuzator të drejtësisë te ne. Siç dihet, sistemi i drejtësisë në Shqipëri, ndryshe nga ai i mëparshmi, është akuzator. Kjo, për faktin se, si prokurori ashtu dhe i pandehuri në procesin penal, janë palë para Gjykatës, ndërsa kjo e fundit realizon dhënien e drejtësisë. Dhënia e drejtësisë nga ana e gjykatës, është e kondicionuar nga prania e palëve, pasi pa ekzistencën e tyre, ajo nuk ka çfarë të gjykojë. Ky është modeli i sistemit akuzator, e thënë shkurt kjo. Juridikisht, e thënë ndryshe kjo, mosqenia e pranishmërisë së palëve para gjykatës, shemb sistemin akuzator. Kjo do të thotë, se mbajtja dhe zgjerimi i mëtejshëm i Dhomave të Këshillimit nuk pajtohet me sistemin akuzator.

Dhe diçka tjetër që ndoshta mund të trajtohet. Dhoma e Këshillimit në këtë rast nuk mund të ekuivalentohet me “Dhomën e Këshillimit” kur trupi gjykues, mbasi mbaron hetimin gjyqësor dhe administrimin e provave, tërhiqet në dhomën e këshillimit për të marrë vendimin përkatës. Pavarësisht se bëhet fjalë për dhomë këshillimi, duke u përdorur i njëjti term, në realitet nuk ndodhemi para një koncepti të njëjtë. Në Dhomën e Këshillimit në të cilin shqyrtohet dhe merret vendimi ndaj ankimimit apo rekursit si më sipër, marrja e vendimit nuk vjen si rezultat i pranishmërisë së palëve, ndërsa në rastet kur Gjykata tërhiqet për marrjen e vendimit në dhomën e këshillimit, palët kanë qenë të pranishme gjatë gjykimit të rastit. Moslejimi i palëve dhe cilitdo personi qoftë ai, në dhomën e këshillimit kur gjykata është tërhequr për marrjen e vendimit, ndjek qëllime krejtësisht të tjera. Gjykatës, në këtë rast, i krijohen të gjitha kushtet dhe mundësitë për të dhënë qetësisht dhe pa asnjë ndikim të jashtëm një vendim të drejtë dhe të bazuar në ligj dhe në prova, sipas bindjes së saj. Palët, në këtë rast, duke qenë të pranishëm në atë gjykim, kanë realizuar të gjitha të drejtat e tyre proceduriale. Kuptohet, bëhet fjalë për një gjykim korrekt dhe profesional.

Duke u nisur nga mendimi se problemi në trajtim, pak a shumë, u ezaurua në masën e duhur, çmoj se organet përkatëse duhet të shfuqizojnë dispozitën proceduriale që lidhet me ekzistencën dhe zgjerimin e “Dhomave të Këshillimit”, si premisë ligjore që mund të sjellë paligjshmëri ose, e thënë ndryshe kjo, mund të sjellë padrejtë- si e korrupsion.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura