“Pse më vrave?”, si urdhëroi Enveri ekzekutimin e shokut të ngushtë, profesor Fahredin Angoni. Miq fëmijërie dhe në një dhomë në Lice

SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi/ Memorie.al publikon dokumentin arkivor të dates 5 qershor 1945, ku Enver Hoxha urdhëron ekzekutimin e ish-shokut të tij të ngushtë që nga fëmijeria në Gjirokastër, me të cilin si bashkëmoshtarë, kishte qenë shoke dhome për disa vjet ne konviktin e Liceut francez të Korçës…?!

7

Ka qenë 5 qershori i largët i vitit 1945, kur nje radiogram urgjent i firmosur nga gjeneral-kolonel Enver Hoxha, me cilësinë e Komandantit të Pergjithshëm të Ushtrisë Nac-Çlirimtare, aprovonte denimin me vdekje të gjashtë personave, gjykuar nga një Këshill Gjyqsor Ushtarak i Divizionit të III-të, të Korparmatës se Dytë, të kryesuar nga Kryetari, Irakli Bozo (major) dhe prokuror, Ziqiri Mero, kapiten i parë. Ndersa pesë prej tyre ishin ushtarakë, ish-partizanë të Brigadës së Parë Sulmuese, personi i gjashtë në listën e aprovuar nga Enver Hoxha për t’u ekzekutuar, ishte civil, dhe quhej Fahredin Angoni.

8

Ishte me origjinë nga Gjirokastra dhe pinjoll i një prej familjeve më të njohura të atij qyteti të gurtë me histori të lashtë. Madje në femijrinë e tij, kishte qenë në një lagje me Enver Hoxhën dhe shok i ngushtë i tij. Rasti e solli që miqësinë me Enverin, ai ta vazhdonte edhe për shumë vjet të tjera në qytetin e Korçës, ku ata ishin bashkë-studentë në Liceun francez të atij qyteti. Madje ata flinin në një dhomë të konviktit, ose më saktë; Fahredini e pranoi Enverin në dhomën e tij, ku ishte dhe bashkëqytetari i tyre, gjirokastriti, Selaudin Kokona, që rridhte nga një prej familjeve më të njohura të atij qyteti. Ndërsa Enveri nuk shkëlqente në mesime, Fahredini ishte një nga studentët liceistë më të mire jo vetëm në mesime, por edhe në sjellje dhe si formim intelektual.

6

Ai njihte dhe zotëronte shkëlqyer disa gjuhë të huaja, si; frengjishten, gjermanishten, anglishten, italishten, latinishten dhe greqishten. Kjo gjë bëhet e ditur veç të tjerash edhe nga librat që ka perkthyer Fahredini në ato vite, si “Berberi i Seviljes”,(i Boumarshesë) “Djaloshi gjeniail” (Moxart), “Fausti” i Gëtes, etj. Veç këtyre përkthimeve të kryeveprave të letërsisë botërore, nisur nga pikpamjet e tija nacionaliste, Fahredin Angoni në vitin 1929-1930-të, shkroi romanin “Skënderi dhe Olimbia” i cili bën fjalë për masakrat e andartëve grekë në fshatin Hormovë të Tepelenës.

5

E gjithë kjo krijimtari, i përket periudhës kur Fahredini ishte student në Liceun francez të Korçës, ku Enver Hoxha nuk ka shkruar asnje rresht. Dhe pas diplomimit në atë lice, rrugët e Fahredin Angonit dhe shokut të tij, Enverit, u ndanë përfundimisht?! Dhe ata nuk u takuan kurrë më me njeri tjetrin. Për ironi të fatit, Enveri që nuk shkëlqente në mësime, mori një bursë shtetërore dhe shkoi për studime në Francë, ndersa Fahredin Angoni një nga nxënësit më të mirë të Liceut francez, u emërua mësues në fshatrat më të thella të qarkut të Korçës.

4

Siç dihet, Enveri nuk mundi që të vazhdonte studimet më shumë se gjashtë muaj në universitetin e Montpelije-së, pasi nuk shleu dot asnjë provim, dhe Ministri Arsimit i asaj kohe, Mirash Ivanaj, ia preu bursën. Dhe kështu ai u detyrua që pas disa kohësh (pasi punoi pak kohë në konsullatën shqiptare në Bruksel), të kthehej në Korçë, ku dha mësim gjuhën frenge si i jashtëm në Liceun ku kishte qenë vetë student. Ndërsa Enveri u be komunist, Fahredini ishte nacionalist dhe me bindje thellësisht antikomuniste. Kështu ai u bashkua dhe aderoi me forcat nacionaliste të organizatës Balli Kombëtar, duke qenë një nga krerët kryesorë të asaj organizate nacionalist për Qarkun e Korçës, ku mbulonte rininë. Po kështu ndërsa Fahredini kishte krijuar familje, (u martua me Praksithe Shahini dhe lindën tre fëmijë: Lirika, Gjergji, Pirro), shoku i tij, Enveri, vazhdonte të ishte beqar.

2

Ngjarjet u rrokullisën në atë mënyrë, saqë në mbarimin e luftës në fundin e vitit 1944, dy ish-shokët e ngushtë që nga Gjirokastra, do ta shihnin veten në dy skaje, ekstremisht të kundërta. Enveri i pari i Shqipërisë, ndërsa Fahredini një njeri mëse i zakonshëm, duke u marrë me tregti në qytetin e Korçës, për të mbajtur familjen e tij. Dhe fillimi i vitit 1945 do të ishte fatal, per Fahredin Angonin, pasi ai u arrestua së bashku me një grup të madh prej 30 personash, ku një pjesë kishin qenë në formacionet nacionaliste gjatë Luftës, por shumica prej tyre ushtarakë dhe ish-partizanë të Brigadës së Parë Sulmuese të Mehmet Shehut. Të akuzuar per agjitacion e propagandë ndër rradhët e ushtrisë dhe për nxitje dezertimesh, ata u nxorrën përpara një gjykate ushtarake të Divizionit të Tretë të Korparmatës së Dytë, e cila kryesohej prej Irakli Bozos, shok shkolle i Fahredin Angonit, i cili gjatë senacave gjyqësore të improvizuara në qelitë e hetuesisë të Pallacinave (pallatet italiane në Korçë), pati mjaft debate të ashpra me shokun e tij të Liceut.

Fahredini deklaroi në gjyq se Balli Kombëtar ishte një organizatë nacionaliste dhe kishte një ideal e mision patriotik, por që fatkeqësisht e humbi luftën. Ky pohim i tij i thënë në mënyrë deklamative, do t’i kushtonte shtrenjtë, pasi nga gjashtë dënimet me vdekje, Kryetari i Gjyqit, Irakli Bozo, një e “ruajti” për shokun e tij të Liceut francez, Fahredinin….?! Gjë të cilën “nuk ja prishi” dhe shoku tjetër i tyre, Enveri, Kryetar i Qeverisë Demokratikë të Shqipërisë dhe Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë, i cili me anë të një radiogrami urgjent, që mban datën 5 qershor 1945, aprovoi dënimin me vdekje të Fahredinit. Kështu u shua jeta e Fahredin Angonit, prej dy shokëve të tij të shkollës, por sidomos prej Enverit, që ishte në krye të shtetit dhe firmosi me gjakftohtësi ekzekutimin e tij.

3

Por Fahredini nuk do ishte i vetmi nga ish-shokët e shkollës së Enverit që përfundoi në plumb…? Ai ishte i pari që u ekzektua, pasi pas tij ”rradha” i erdhi të tjerë shokëve, si; Enver Zazanit, Syrja Selfos, Abaz Omarit etj. Ndersa me burgime të rënda përfunduan, mjaft të tjerë shok shkolle të tij nga Korça e Franca, si; doktor Isuf Hysenbegasi, profesor Foto Bala, agronom Adem Beli, doktor Hasan Jero etj, për të përfunduar me Koço Theodhosin, ish-zv kryeministrin që u ekzekutua në vitin 1975. Dhe për të gjithë ata, thuhej…. se patën atë “fat”, për të vetmen arsye; se ata dinin shumë gjera nga jeta private e Enver Hoxhës…?!

1

Dëshmia e 90-vjecarit, Avni Bejkova Xhomaqi, që iu fal jeta në atë gjyq dhe u denua me 25 vjet burg politik

“Debati i Fahredin Angonit me Irakli Bozon, kryetarin e gjyqit”

Nga ai proces gjyqësor i improvizuar i zhvilluar plot 75 vjet më parë në “Pallacinat” e Korçës, ka mbetur si dëshmitar vetëm një prej të dënuarëve, të cilit iu fal dënimi me vdekje dhe iu zbrit në burgim të përjetshëm dhe më pas në 25 vjet. Disa vite para se të ndahej nga kjo jetë, në moshën 90-vjeçare, Avni Bejkova Xhomaqi, si për të dëshmuar para historisë, krimet e shëmtuara të atij regjimi që po hidhte themelet e përgjakuara që me ardhjen e tij në pushtet, midis të tjerash tregonte: “Ndërsa filluan të më torturonin edhe mua aty në dhomën e hetuesisë, Myrteza Slleusha, duke mos duruar dot dhimbjet u tha se do të firmoste gjithcka që ata do t’i kërkonin. Pasi më torturuan gjithë natën, të nesërmen në mëngjez më nxorrën në gjyq, i cili u zhvillua po aty me dyer të mbyllura. Unë nuk pranova ta firmosja akt-akuzën dhe në atë moment Kryetari i Gjyqit, Irakli Bozo, dha urdhër që të më merrnin përsëri në pyetje por, të mos më rrihnin. Pas kësaj kur më dërguan përsëri në qeli, unë i tregova gjithçka Fahredin Angonit, i cili më tha se përfundimisht unë kisha shpëtuar nga pushkatimit. Nga një gardian skrapalli, mësova se që të më falej jeta mua, kishte ndërhyrë Kolonel Riza Kodheli, dhe Emine Butka. Po atë natë, na nxuarrën të gjithëve në gjyq, i cili u zhvillua po aty në katet e sipërme të “Pallacinave”. Ai gjyq ishte krejt formal, pasi fati ynë ishte paracaktuar që kur na kishin arrestuar dhe për dy ose tre orë, na kaluan në proces të gjithë të arrestuarit, që bëheshim plot 30 veta. Gjatë atij gjyqi, Kryetari Irakli Bozo ndërmjet të tjerash e pyeti profesor Fahredin Angonin, duke i thënë: “A e pranon se Rinia e Ballit Kombëtar ka tradhëtuar?” Dhe Angoni iu përgjigj: “Jo ajo nuk ka tradhëtuar, por dështoi në misionin e saj”. E vetmja gjë që u vërtetua në gjyq, ishte fakti se Zef Sadria dhe Lec Ndoci, i kishin thënë Angonit se ata prisnin arrestimin, pasi kishin qënë me Ballin Kombëtar. Dhe Angoni u kishte thënë se më mirë të arratiseshin në male dhe të bashkoheshion me forcat Dule Alarupit, se sa të arratiseshin në Greqi, duke u bërë tradhëti të madhe. Të nesërmen në mëngjez, u lexua pretenca nga prokurori Ziqiri Mero, ku përveç meje që m’u dha burgim i përjetshëm, të 14 të tjerët u dënuan me pushkatim. Pas kësaj, Fahredin Angoni iu drejtua Irakli Bozos që e kishte pasur dhe shok klase në Liceun e Korçës, duke i thënë: “Irakli, pse më vrave?”. Irakliu iu përgjigj: “Mbahu burrë”. Angoni ia ktheu: “Unë burrë jam, ti nuk u tregove burrë, se kemi qenë dhe shok klase”. Irakliu nuk foli më asnjë fjalë dhe mori çantën nën sqetull dhe zbriti shkallët duke u larguar që andej. Pas faljes së jetës mua më dërguan në Burgun e Burrelit (ku vuajta 15 vjet), ku një ditë një i burgosur nga Korça, Ali Barmashi, më tregoi se kishte qenë prezent kur ishin pushkatuar gjashtë shokët e qelisë sime; Fahredin Angoni, Myretza Satka, Faik Tartari, Zef Sadria, Gjon Cufi dhe Lec Ndoci. Aliu kishte qenë ushtar në Zërraskë të Pogradecit, kur ata të gjashtë i kishin dëerguar atje ku dhe i kishin pushkatuar në mënyrë demonstrative, përpara gjithë ushtarëve dhe oficerëve të atij reparti. Fahredini me shokët e tij nuk kishin pranuar të ekzekutoheshin pas shpine sic ishte ligji për ata që akuzoheshin për tradhëti të lartë dhe ashtu të lidhur kishin rezistuar deri sa i kishte grirë mitrolozi i skuadrës së pushkatimit. Më pas Aliu më tregoi se aty ishte afruar prokurori që kishte asistuar në ekzekutim, i cili me revolverin e tij i qëllonte në kokat e tyre që hidheshin përpjetë nga plumbat”.

Ushtria Nac-Çl. Shqiptare. Këshilla Gjyqësore e Korpusit të II-të.

Vendim:                                                                                                       

Në emër të Popullit Shqiptar. Këshilla Gjyqësore Ushtarake e Divizionit të III-të. Korp-Armatës së II-të. Kryesuar prej kryetarit të Gjyqit të Korpusit të II-të me Kryetar Major Irakli Bozo, dhe Antar Oficer Hysen Rusi dhe Oficer Sabri Pilkati, duke qenë present Sekretari Qemal Ceka me asistencën e Prokurorit Kapiten i I-rë Ziqiri Mero.

Sot më datën 4/6/1945 u mblodh në sallën e Gjyqit për të gjykuar të pandehurit partizanë: 1)Faik Tartari, 2)Xhorxhi Nova, 3)Tef Nika, 4) Ndoc Pema, 5)Lec Ndreca, 6)Luigj Çamuku, 7)Luk Prela, 8)Filip Gaci, 9)Rexhep Demiri, 10)Zef Sadrija, 11)Alush Ahmeti, 12)Hysen Ramazani, 13)Kol Vata, 14)Cam Dedoshi, 15)Luigj Cepi,16)Frano Zefi,7) Gjon Cufi, si dhe civilat: 1) Faredin Angoni, 2)Haki Bablluzha, 3)Avni Bejkova, 4)Myrteza Sleusha, 5)Zenel Qyteza, të komplikuar me këtë dezertim, të cilët simbas akuzave të Prokurorit deklaroj këtë:

Vendim:

Këshilli Gjyqësor Ushtarak mbasi dëgjoi apologjinë e të pandehurve të sipër-përmëndur. Mbasi dëgjoi pretencën e Prokurorit, Konstatoi: Pjesërisht të pandehurit kanë qënë antarë të organizatës tradhtare të Ballit si dhe milice e xhandarë, dhe si të tillë i kanë shërbyer okupatorit deri në çlirimin e Shqipërisë. Kanë lidhje me proçesin e Syrja Zoto-s me shokë të cilët janë munduar të organizojnë një dezertim në stilt ë gjerë duke u hedhur në rreshtat e Ushtrisë Reaksionare Greke. Trupi Gjykues gjatë zhvillimit të gjyqit konstatoi se në përgjithësi këta element kanë qënë të ndërgjegjshëm për tradhëtinë e tyre të lartë dhe për këtë gjë eksponentët e dezertimit kanë bërë lidhje me civilët e lart-përmendur, për të gjetur rrugën më të plotë dhe për të forcuar lidhjet me reaksionin grek si dhe me disa kriminelë të jashtëm. Pjesërisht të pandehurit pohojnë veprën e tyre tradhëtare dhe kriminale që kanë dashur të bëjnë. Me qënë se fajet e të cilëve akuzohen të pandehurit, ato parashikohen dhe dënohen prej nenit 17 dhe ndëshkohen prej nenit të ligjit Nr.41 mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Ushtarake. Për këto arsye Trupi Gjykues pjesërisht në kundërshtim me pretencën e Prokurorit,
Vendosi:

Fajësinë penale e të pandehurve të sipër-përmendur dhe në bazë të nenit 18 paragrafi “Gj” Dënimin e Fajtorëve: 1)Faik Tartari, 2)Lec Ndreca, 3)Gjon Cufi, 4)Zef Sadrija, 5)Myrteza Sleusha, 6)Faredin Angoni. Me vdekje dhe rënien e nderit ushtarak, humbjen e të drejtave qytetare dhe sekuestrimin e pasurisë së tyre të luajtshme dhe të paluajtshme në bazë të ligjit përkatës.

Dhe 1)Avni Bejkova me burgim të përjetshëm, 2)Luigj Camuku me 30 vjet burgim, 3)Cam Dedoshi, Luigj Cepi, Tef Nika me 20 vjet burgim, 3) Rexhep Demiri, Haki Babllusha, Zenel Qyteza me 5 vjet burgim. Ndërsa 1)Xhorxhi Nova, 2)Ndoc Pema, 3)Alush Ahmeti, 4)Hysen Ramazani 5)Frano Zef Lekaj, 6)Kol Vata, 7)Luk Prela, 8)Filip Goci, me vërejtje të rëndë dhe degradim për ata që janë graduar. Të gjithë të pandehurit që janë dënuar me burgim, humbin të drejtat qytetare baraz me kohën e ndërshkimit. Ky vendim përsa i përket dënimit me vdekje, i dërgohet Gjykatës së Lartë Ushtarake për aprovim ndërsa për të tjerët është e prerë. Njëkohësisht urdhërojmë dhe lirimin e tyre prej burgut.

Kryetari Irakli Bozo, Antar Hysen, Antar Sabri Pilkati, Sekretar         Qemal Ceka

Memorie.al

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.