Pse MAS ua riktheu gjimnazeve Letërsinë

Jun 30, 2016 | 12:30
SHPËRNDAJE

agron tufaAGRON TUFA

Më në fund, një lajm shumë i mirë na vjen nga Ministria e Arsimit: pas 8 (tetë) vitesh dëbim rikthehet në gjimnazet tona lënda e Letërsisë. Pas një eksperimentimi të hidhur e tërësisht të dështuar, MAS ka vendosur rehabilitimin e disiplinës së Letërsisë.

Gjashtë vjet më parë, duke mos gjetur mbështetje në grupin e oponencës së kurrikulave pranë ish-MASH-it, pjesë e të cilit isha, dhashë dorëheqje dhe iu kundërvura publikisht me një letër të hapur këtij eksperimenti të dëmshëm, të botuar më 12.02.2010 në gazetën “Panorama”, me titullin “Funeral shtetëror për Letërsinë”. Sensibilizimi qe i madh, madje një ndër formatet më të rëndësishëm të diskursit televiziv më ftoi në studio për debat, duke marrë shkas nga shkrimi.

Por mjerisht, të nesërmen, po ai drejtues u detyra të më “ç’ftonte”, pasi përfaqësuesit e ministrisë i kishin vënë kusht: “O vijmë ne në studio, ose, po more z.Tufa, ne s’të vijmë!”. Drejtuesi i emisionit, përplot elokuencë në kësi rastesh, anoi nga zgjedhja e dytë.

Tani që është ndrequr kjo padrejtësi nën shembujt dërrmues të një përvoje tetëvjeçare, ma ka ënda të mendoj se Instituti i Kurrikulave ka ndryshuar mendim, derisa e ka reflektuar këtë në Programin Mësimor për Kurrikulën Bërthamë të Gjimnazit. Janë për t’u harruar 8 vitet e çuara dëm në një martesë artificiale “deledash”.

Dhe dua vërtet të besoj se arsyeja e rikthimit të Letërsisë në arsimin tonë parauniversitar ka qenë fuqia e pakrahasueshme edukative e saj për këto grupmosha, ndikimi i thellë që ajo ka në jetën shpirtërore të të rinjve përmes formimit të shijes së mirë estetike, edukimit humanist, tolerancës e ndjenjës së identitetit kulturor e kombëtar.

Përveç dëmtimit të pandreqshëm të unitetit shkencor që paraqiste bashkimi skllavërues i Letërsisë me Gjuhën, që atëherë kam theksuar dy elementë shumë të rëndësishëm për domosdoshmërinë e Letërsisë në programet e arsimit parauniversitar në Shqipëri:

– Letërsia, sidomos Letërsia shqipe, është përbërësi më i rëndësishëm i identitetit tonë shpirtëror-kombëtar në edukimin e brezave dhe i vetmi atribut që përfaqëson fizionominë tonë shpirtërore si popull në botën e huaj.

Me zhdukjen e saj, shndërrohemi faktikisht në anonimat pa kontur, për t’u gëlltitur pa nishan në baticën globaliste;

– brezat që vijnë, përjashto një apo dy për qind të studentëve të profilizuar filologë, nuk do të kenë më rast ta mësojnë Letërsinë si shkencë më vete nëpër fakultete. Një pjesë mund të ndalen në arsimin e mesëm.

Prandaj, mos ua hiqni shqiptarëve të vetmin shans të edukimit estetik, etik dhe kombëtar, duke e fshirë praktikisht Letërsinë nga arsimi i mesëm. Nëse e sheh kronologjikisht lindjen e saj që nga gjeneza, Letërsia shqipe, në më të shumtën, është krijuar në kontekste dramatike, kur autorit mund t’i shkonte koka në satër; ajo shpesh është ndërprerë nga sëmundjet, helmi, burgosja, internimi, linçimi publik, anatemimi, ndalimi, djegia e denigrimi.

Fletët e Letërsisë shqipe kullojnë gjak, lot, klithma e rënkime. Këto fletë shpesh janë ndërprerë me breshëri plumbash! Ajo është shkruar si vetëdënim, si dëshirë vetëprojektimi individual e shoqëror, për të tejkaluar vetveten, brenda qelive torturuese, në skamje, në privimim nga çdo lloj lirie!

Prandaj vlerat e saj janë të rënda, kanë peshën e dheut dhe kockave, kanë shijen e hidhur të fatit përndjekës, kanë etjen për një gllënjkë ajri lirie të vjedhur për t’i shpëtuar asfiksisë, sikurse kanë breroren përshkënditëse të shpirtit që shkapërcen angështinë e rraskapive tokësore.

Është për t’u përshëndetur vendimi i MAS për ta rehabilituar Letërsinë. Dhe këtë e them me gjithë sinqeritetin e njeriut që u përpoq, së paku, të kundërshtonte fort me argumente e mjetet demokratike të fjalës së lirë në shtyp. Kjo duhet parë si fitore e rëndësishme dhe si fundi i një padrejtësie të pamerituar. Por (Zoti na ruajttë!), mos ndoshta vallë nuk ka qenë ky shkaku i ndarjes së Letërsisë nga martesa me pahir e shterpë me Gjuhën?

Mos ndoshta arsyeja duhet kërkuar në kalkulime me përfitime ekonomike? Nuk duam që fëmijët tanë të jenë tabela eksperimentale qitjeje të zyrtarëve mediokër e obskurantë. Prandaj, edhe një herë po ngre, sa jemi ende në kohë, një shqetësim: mos ndoshta rikthimi i Letërsisë si disiplinë më vete në shkollë duhet parë si një tjetër libër fizik, si një numër, një tekst më shumë dhe aspak jo si rezultat i thellë reflektimi mbi një eksperiment të dështuar tetëvjeçar?

Po qe kështu, i bie se shtëpitë e mëdha botuese, të fuqishme e të lidhura me monopolin e librit shkollor, ashtu arrogante, të dhunshme, siç i njohim (me dhëmbë e dhëmballë, në fakt), e sidomos me akses të fuqishëm qeveritar, po përgatiten të hyjnë në konkurrim për “edhe një tjetër libër” shkollor. Dhe pavarësisht se cila do të jetë cilësia, pavarësisht ekspertizës, pavarësisht konceptit e aparatit pedagogjik, përzgjedhjes së teksteve, aftësisë didaktike e atraktive, mësymja drejt një libri për ta fituar me çdo kusht, tashmë është paracaktuar që në krye, që në formulën fillestare.

Të tjerat janë thjesht procedura. Sepse kush vendosur? Kush e ka çekiçin dhe arrën? Kush vlerëson? A janë publikë emrat e vlerësuesve? A kanë ekspertizën e duhur dhe a janë të gatshëm të përballen në të gjitha format e mundshme të transparencës? Këtë nuk e dimë… Edhe Guliverin e gjykuan një herë Liliputët. Dhe po t’u kishte ecur liliputëve… thjesht një ëndërr e makthshme!

Ky moment dyshimi mbetet për t’u parë kur të dalin fituesit dhe humbësit, por sidomos, përballë kujt do të kenë fituar. Nuk do të desha t’i riktheheshim kësaj çështjeje, përpos se për t’i dhënë meritën e gjithë mirënjohjen MAS.

Tash për tash më pëlqen të besoj në qiellin pa re, në gjestin e ndërgjegjshëm dhe publikisht shumë të dobishëm të Ministrisë së Arsimit, me kthimin triumfues të lëndës së Letërsisë nëpër gjimnazet dhe arsimin tonë parauniversitar. Ky është një lajm i mirë që na gëzon, pa dyshim, të gjithëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura