Pse “Luarasi”, universiteti i Dritës, zgjodhi dy Drit-anë për nderim akademik

Nov 22, 2021 | 9:50
SHPËRNDAJE

ethem-ruka-1-770x433

NGA ET’HEM RUKA

Jemi mbledhur në këtë cere moni akademike për akordimin e dy titujve të lartë honorifikë, “Doktor Honoris Causa”, për dy personalitete të shquara: të trajnerit të talentuar shqiptar nga Kosova, Driton Kuka, dhe zëvendëskryeministrit të Republikës së Malit të Zi dr. Dritan Abazoviç, që gjithashtu etnikisht i përket kombit shqiptar. Mirë se ardhët zoti Driton Kuka dhe dr. Dritan Abazoviç në universitetin tonë! Ju jeni të ftuarit e të përzgjedhurit tanë specialë, që do të nderoheni sot nga Senati Akademik i Universitetit “Luarasi” me titullin e lartë honorifik “Doktor Honoris Causa”. Faleminderit zotërinj ambasadorë të Republikës së Kosovës e Malit të Zi për praninë tuaj. Faleminderit zoti Irfan Hysenbelliu, President i Grupit “Hyseunbelliu”, ku bën pjesë edhe universiteti “Luarasi”. Faleminderit miqve nga Kosova e Mali i Zi që na nderoni si mysafirë në një ditë të tillë.

Vendimmarrja e Senatit Akademik të Universitetit “Luarasi” për akordim titujsh honorifikë nuk ka qenë dhe nuk është aspak e lehtë dhe as e rastësishme. Pas një shqyrtimi të gjatë e të përgjegjshëm në identifikuam dy personalitete të veçanta, zotin Driton Kuka dhe Dr. Dritan Abazoviç. Studiuam karrierat e tyre profesionale në sport e politikë, karriera që shërbejnë si modele për të rinjtë universitarë që aspirojnë të ecin në rrugën e suksesit.

Koincidencë e bukur të nderosh në të njëjtën ditë nëntori, të këtij muaji të shenjtë për ne shqiptarët, dy personalitete që kanë thuajse të njëjtin emër, Dritonin e Dritanin, dy emra të bukur arbënorë që në gjenezën e tyre kanë fjalën dritë, këtë fjalë hyjnore që përkon me misionin universitar për të shpërndarë dritën e dijes si e vetmja armë për të ndërtuar të ardhmen e sigurt të të rinjve tanë.

Modelet e suksesit nuk gjenden edhe aq lehtë.

Ne gjetëm Driton Kukën, këtë kampion në sport, kampion si trajner; kampion si njeri, frymëzues për të rinjtë dhe kampion në promovimin e imazhit të Republikës së Kosovës dhe kombit të vet.

Dikush mund të thotë se pse një universitet, një vatër akademike dijesh, zgjedh të nderojë një sportist si Dritani. Thjesht e gjetëm përgjigjen në këtë thënie të mençur:

Përgjatë jetës sonë në xhudo gjejmë shumë kundërshtarë, por armiku ynë i vërtetë është vetë uni ynë. Armiku gjendet në personalitetin tonë. Aty gjenden shumë djaj, si frika, dembelizmi, injoranca, egoizmi, egocentrizmi etj. që duhen mundur.

Po, është e vërtetë. Lufta më e vështirë është me veten… pastaj me kundërshtarin. Kampionët që shoqërojnë Dritonin, produkt i punës së tij të pashembullt, por edhe i talentit të tyre, luftojnë çdo ditë me vetveten për tu përsosur.

Zoti Driton Kuka mori dritën e shkolle sportive aziatike të xhudos dhe e solli në botën shqiptare, duke ndërtuar shkollën e vet kosovare të kësaj disipline sportive. Imagjinoni që edhe japonezë kanë ardhur këto ditë të marrin përvojë nga Dritoni… Kjo është një përvojë unikale dhe historia ka filluar të flasë e do të flasë më shumë për Dritonin.

Po ashtu, dr. Dritan Abazoviç, është një personalitet tjetër, një model tjetër suksesi, por në një rrafsh tjetër. Ai ka zgjedhur të luftojë për një shtet të fortë dhe kundër të fortëve, të flasë me pasion për modelin më të mirë të bashkëjetesës në një shoqërie multietnike e multikulturore, ku duhet të respektohen të drejtat e njeriut dhe identitetet kombëtare, përfshirë këtu edhe ato të shqiptarëve të Malit të Zi.

Vetëm një njeri mendjehapur mund të luftojë për parime të tilla, që janë të shenjta për filozofinë tonë të përbashkët europiane. Ballkani ka nevojë për përvoja të tilla, ka nevojë për aktivistë të tillë, ka nevojë që të rinjtë si Dritani të bëhen promovues të palodhur të garantimit të bashkëjetesës dhe shprehjes së identiteteve multikulturore e multietnike.

Dr. Dritan Abazoviç, si një politikan i ri, ka startuar një karrierë të shkëlqyer politike, duke na dhënë një model të qartë suksesi për të rinjtë që duan të angazhohen në politikë. Ai sot është zëvendëskryeministër i Republikës së Malit të Zi, që me bindje të thellë ka mbrojtur e vazhdon të mbrojë orientimin euro-atlantik të vendit të vet, si orientimi i vetëm për stabilitetin e rajonit dhe prosperitetin e vendeve tona.

Ne si universitet kemi hedhur hapat e para të bashkëpunimit universitar me Malin e Zi. Urojmë që Dr. Abazoviç ta përçojë e ushqejë këtë frymë që ofron më shumë mundësi bashkëpunimi e shkëmbim përvojash akademike për të ndërtuar një Ballkan më të hapur e pa paragjykime.

Universiteti “Luarasi” është një model suksesi në arsimin e lartë shqiptar, është universitet me besueshmëri të lartë publike, është universitet që mban një emër domethënës në historinë e arsimit shqiptar. Ne të gjithë së bashku, në emër të këtij universiteti, po japim bekimin tonë për vazhdimësinë e suksesshme të karrierave të Dritonit e Dritanit.

Nuk më mbetet gjë tjetër veçse në emër të akademikëve e studentëve të ‘Luarasit’ si dhe të Presidentit Hysenbelliu të shpreh edhe një herë gjithë mirënjohjen tonë për praninë tuaj. Ju na nderuat shumë në këtë ditë të veçantë nderimi për dy miqtë më të rinj të këtij universiteti, të zotit Driton Kuka dhe Dr. Dritan Abazoviç.

* Fjala e rektorit të “Luarasit” në ceremoninë e nderimit akademik me “Doctor Honoris Causa” nga universiteti “Luarasi” të Driton Kukës dhe Dr. Dritan Abazoviç

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura