Pse ky tapet sherri për Sekretarin e Shtetit Kerry

Feb 13, 2016 | 14:10
SHPËRNDAJE

prec zogajNga Preç Zogaj

Vizitat e shtetarëve të lartë amerikanë në Shqipëri kanë kaluar gjithnjë si festa të proamerikanizmit tonë. Kështu do të ndodhë edhe me vizitën e nesërme të Sekretarit të Shtetit, John Kerry. Shumica dërrmuese e shqiptarëve e përjetojnë me emocion të veçantë këtë vizitë. Një nderim i shtuar i shkon zotit Kerry, edhe për shkak të jehonës që kanë pasur në Shqipëri alarmi dhe denoncimet i tij të forta kundër regjimeve oligarkike në këtë pjesë të rajonit, ku qeveria e Tiranës ka shfaqur ngjashmëri të dukshme me identikitin e këtyre regjimeve. Fshikullimet pa precedentë të ambasadorit amerikan Doland Lu kundër korrupsionit dhe krimit në Shqipëri “rimojnë” me shqetësimet e Sekretarit të Shtetit për këto çështje. Siç është bërë me dije, sekretari Kerry do të pritet dhe bisedojë me Presidentin Nishani, me Kryeministrin Rama dhe me shefin e opozitës, Basha, për çështje gjeostrategjike, gjë që i bën nder Shqipërisë sonë të vogël. Por do të bisedojë edhe për çështje të zhvillimeve korrente, siç është, për shembull, Reforma në Drejtësi. E gjithë kjo në vijim të investimit konstant amerikan për forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor në vendin tonë.

 

Duam të besojmë se përtej bisedimeve protokollare, Sekretari i Shtetit vjen për të inkurajuar e shtyrë përpara orientimin perëndimor të vendit mik. Thënë ndryshe, për të nënvizuar e siguruar këtë lloj “vize të kuqe” të oksidentalizimit dhe euroatlantizmit shqiptar nga interferencat dhe influencat e kundërta. Në këtë kontekst, edhe pse e shkurtër në kohë, vizita që përkon me ditën e Shën Valentinit, i ka të gjitha sendet për të qenë historike. Mirëpo, pikërisht në vigjilje të kësaj vizite, jeta politike shqiptare është turbulluar e kapërthyer në një sherrnajë të vërtetë për Byronë Kombëtare të Hetimit. Mu sikur mollën e sherrit ta kishte hedhur në sheshmejdan qoftëlargu.

Të sqarohemi: Politikanët shqiptarë të stampës së vjetër e kanë talentin e tyre mosmarrëveshjen dhe grindjen. Por ky sherr që ka shpërthyer është një turp, sipas mendimit tim, sepse ka përzier në momentin më të papërshtatshëm dhe në formën tipike të sherrbudallenjve Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë. Për rrjedhim, duam, s’duam, gjeneron ndotje edhe ndaj vizitës së Kerry-t. Pardje në Kuvend, Kryeministri Rama thërriste pa pushim në kauzë, indirekt sigurisht, dëshminë e Ambasadës Amerikane për projektligjin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilin e reklamonte si të rakorduar me të pikë për pikë. Me këtë rast, i armatosur me rakordimin, kishte fryrë gjoksin dhe po i bënte tërbiet Bashën dhe opozitarët e tjerë që, sipas tij, duke refuzuar projektin e rakorduar treshe me amerikanët, po shkelnin fjalën e dhënë, po nxirrnin në pah dyfytyrësinë e tyre, e tjerë, e tjerë. Cili është në të vërtetë projekti i rakorduar me amerikanët?

Ai që reklamonte Rama, sipas të cilit drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit e emëron ministri i Brendshëm duke marrë pëlqimin e Prokurorit të Përgjithshëm, apo pakti që reklamonte Basha, sipas të cilit, në bazë të rekomandimit të Komisionit të Venecias drejtorin e BKH-së e emëron Prokurori i Përgjithshëm? Kjo ishte dje dhe pardje pyetja e ditës në Shqipëri. Që nuk mund të mos tingëllonte absurde duke qenë se ambasada nuk ishte në hënë, por një vrap pele larg, ndërsa vetë ambasadori, me shqipen e tij korrekte, me siguri nuk kishte nevojë për përkthyes për të kuptuar ç’po ndodhte.

Ambasada nuk foli dhe ma merr mendja nuk ka për të folur publikisht. Cilado qoftë e vërteta, ambasada e një vendi mik mund të ndiejë keqardhje që ndërmjetësimi i saj shpërdorohet për të ndezur sherre kalamajsh, por nuk investohet për t’i bërë dëm në publik njërit apo tjetrit. Nuk e dimë pra të vërtetën sipas ambasadës. Nuk e dimë a është rënë dakord për një projekt, apo është rënë dakord për parime. Por dimë disa gjëra të tjera që na lejojnë të shohim sadopak në brendinë e turbullt të ngjarjes dhe të arsyetojmë për të.

Së pari, dimë se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë e ka rrëzuar vitin e kaluar projektligjin e qeverisë për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ashtu siç e kishte konceptuar Edi Rama me juristët e tij: një prokurori e qeverisë, që do t’i mbivendosej apo do të dublonte prokurorinë e shtetit. Së dyti, dimë se partnerët amerikanë janë angazhuar dhe janë ulur me të gjitha palët për një projekt të gjithëpranuar, ndërsa Komisioni i Venecias ka rekomanduar emërimin e kreut të BKH-së nga Prokurori i Përgjithshëm. Së treti, dimë se para dhjetë-pesëmbëdhjetë ditësh, shefi i opozitës, Lulzim Basha, ka kërkuar futjen menjëherë në seancë parlamentare të projektligjit të rakorduar me amerikanët, por që, sipas tij, po zvarritej nga Rama për arsye se drafti i ri e shkëpuste BKH-në nga vartësia e qeverisë.

Dimë se pas kësaj Rama është takuar me Metën në kryesinë e Kuvendit, ku kanë rënë dakord dhe kanë komunikuar publikisht vendimin për ta çuar projektligjin e ri në Komisionin e Venecias. Të gjitha këto duken logjike, sepse rrjedhin nga një vendim i paapelueshëm i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që nuk lë hapësirë për vendime të ndërmjetme, për zgjidhje hibride, për dykuptimësi dhe lojëra fjalësh. Në çdo rrethanë, kushdo që ta rekomandojë, ligji i ri mbetet antikushtetues nëse përsërit në forma të hapura apo të fshehta klauzolat antikushtetuese të projektit të rrëzuar. Rimarrja e projektit të rrëzuar ka kërkuar domosdoshmërisht përshtatjen e draftit të ri me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kjo është elementare. Por tashmë dimë se në draftin e ri kjo nuk ka ndodhur. Kryeneçësia kryeministrore e lë litarin jashtë në pikën kyçe, që përbën thelbin e antikushtetutshmërisë së draftit të parë. Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit emërohet përsëri nga ministri i Brendshëm. Klauzola zbutëse, “merr pëlqimin e Prokurorit të Përgjithshëm”, që është shtuar në emër të kompromisit politik, nuk e ndryshon vartësinë e plotë të drejtorit nga ministri që e emëron.

“Qeni leh aty ku ha”, thotë një fjalë e urtë metaforike e popullit. Së fundi, dimë se ndërsa kishin njoftuar publikisht nisjen e projektligjit në “Venecia”, duke shmangur jo pa elegancë presionin e shefit të opozitës, Rama dhe Meta paskan pasur në mendje një gjë tjetër, si në ato taktikat mashtruese që përdoren në luftë: futjen e projektit në seancë, siç e futen, bashkë me pikëpyetjet që e rrethojnë. Pse kjo kthesë? Disa gazetarë që mëtojnë të kenë ose kanë akses në burimet e brendshme të shtabeve të Metës dhe Ramës e kanë rindërtuar pak a shumë kështu historinë. Ilir Meta ka bërë lojë të dyfishtë, duke i premtuar Berishës se nuk do ta votojë kurrë projektin e BKH-së.

Berisha ia ka bërë me dije këtë premtim të Metës kryetarit të PD-së, Basha, i cili, për ta nxjerrë Ramën në dritë të keqe, është inkurajuar të kërkojë futjen e projektit në seancë me garancinë se Meta nuk e voton! Ndërkaq, Meta e ka siguruar Ramën se do ta votojë projektin dhe ky nuk është menduar dy herë për t’i kapur të gjithë në rrjetën e intrigës, pikësëpari shefin e opozitës, zotin Basha, të cilin programi i vizitës së Kerryt e ka vënë në një rang me Kryeministrin.

Pse të mos diskreditohet edhe ky si fjalëshkelës, meqenëse vetë Rama e ka lënë një herë me gisht në gojë sekretarin Kerry për aferën e armëve kimike! Fantapolikë apo e vërtetë, kjo mënyrë të treguari e gazetarëve që mëtojnë të kenë ose kanë akses në burimet e brendshme të qeverisë, e nxjerr Metën një kryeintrigant të prishur nga smira dhe xhelozia prej të përjashtuari nga salloni i politikës së lartë. Fantapolitkë apo e vërtetë, kjo mënyrë të treguari e nxjerr Ramën një meskin që ngatërron politikën me cicimicet, intrigat dhe hiletë e vogla.

Fantapolitikë apo e vërtetë, kjo mënyrë të treguari i tregon Bashën dhe Berishën naivë dhe, çfarë është më e dukshme, kjo mënyrë të treguari evidenton një përbetim të politikanëve përfaqësojnë fundin e kazanit të tranzicionit kundër kreut të opozitës, Basha, pikërisht në periudhën e promovimit të tij në rrafshin ndërkombëtar si alternativë e pushtetit në Shqipëri. I mbetet logjikës se çdo lexuesi të përftojë çfarë është e vërtetë apo afër se vërtetës dhe çfarë është fantazi në këtë tregim. I cili na tregon gjithashtu se ligji i Byrosë Kombëtare të Hetimit u tentua të futej në seancë, siç u fut thjesht për të krijuar gjurulldi, për të provokuar edhe jo sepse ndokujt i digjet xhani për të luftuar korrupsionin në nivelet e larta.

Ndoshta është edhe kjo një arsye që ambasada nuk foli. Por ai ligj, s’ka gjasa të kalojë në formën e paraqitur. Nga gjithë kjo histori, ajo që mbeti është tapeti i sherrit për sekretarin Kerry. Dikush, me dritëshkurtësi, a kushedi pse, e pa vizitën e tij si një rast për t’i prishur punë rivalit dhe jo si një mundësi për të ndihmuar punët e vendit. Mjerim!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura