Pse Kosova s’na i ka borxh intrigat tona elektorale

Nov 17, 2020 | 13:00
SHPËRNDAJE

gjekmarkaj

AGRON GJEKMARKAJ
Në prag zgjedhjesh poli tike jemi mësuar të dëgjojmë akuza rrëqethëse ndërmjet palëve politike. Më pas një pjesë e tyre harrohen përgjithmonë, disa të tjera bien në koma për t’u rikthyer në jetë në prag votimesh! Të tilla ndodhi kanë ndihmuar ende më që serioziteti i tyre të relativizohet skajshmërisht.

Sot mund të mohohet çdo gjë apo të besohet çdo gjë me lehtësinë e një shikimi! Prej disa vitesh po shfaqen në tregun politik të Tiranës akuzat me sfond patriotiko-tradhtar në kurrizin e Kosovës, duke shfrytëzuar njerëzillëkun e pamerituar të saj ndaj nesh!

Rasti është që t’i themi dy fjalë. Qysh kur trojet shqiptare u copëtuan në vitin 1913, Shqipëria dhe shqiptarët e saj boll pak kanë pas në dorë me e ndihmue çështjen e Kosovës, por jo kaq pak me i prishë punë asaj! Liria, Pavarësia dhe shtetformimi erdhën kryesisht nga vullneti politiko-ushtarak i fuqive perëndimore, me SHBA-në në krye. Që ato të ndërhynin, sigurisht, kontribuuan një sërë faktorësh, rezistenca paqësore e Rugovës, shteti i tij paralel, për të kulmuar me luftën e UÇK-së, dëshmorët e saj, por edhe dëbimi masiv etnik. Masakrat e Millosheviçit po ashtu ndikuan në psikologjinë e vendimeve të mëdha. Nëse liria ka një emër, ai përbëhet nga disa kompozita me SHBA-në të paren e të tjerët me radhë. Por edhe propaganda e ka një emër.

Mos t’ia vjedhim lirisë së Kosovës të vërtetën, mos ta ngushtojmë atë, e mbi të gjitha, mos ta shtrydhim si një limon për interesa pushteti sidomos këndej nga ana jonë. Dhe me pikat e tij të lagim indet e thara të qeverisjes. Ajo (liria) mund të duroje deri diku folklorin tipik të Prishtinës, abuzimet e përfitimet e protagonistëve të saj, të panjohurat, e më shumë se gjithçka, krenarinë e ligjshme të tyren! Po këto intrigat tona elektorale Kosova s’na i ka për borxh. Nuk mund të ndyhet gjaku i derdhur për të me stërkalat covid-iane nga të sëmurët moral të qytetit tonë.

masakra e Krushes-Gjekmarkaj

Tepër të përkorë e të duruar janë politikanët, intelektualët e mediat e Kosovës, që nuk ua shfaqin publikisht përbuzjen disa tipave të Shqipërisë loke për paternalizmin dhe “atdhetarizmin”. Ta çosh debatin atje për votat këtu, është thjesht një poshtërsi.

Publicisti i njohur shqiptar nga Kosova, Enver Robelli, me sqimën etike dhe profesionale që e karakterizon i ra kësaj kambane që të mos përdorej Kosova dhe tragjeditë e saj për t’u tallur shakllabanet tanë të sokaqeve.

Kjo po ndodh me akuzat ndaj Luzim Bashës për një kasetë, e cila po del se është shfaqur në kohën e luftës, e cila gjendet aty-këtu nëpër arkivat e televizioneve të mëdha europiane. Pra s’paskësh humbur! Me subjekt masakrën tronditëse të Krushës aludohet sikur ky e paskësh marrë e zhdukur, për t’i ngulur thikën pas shpine Kosovës. Ndonëse pjesë e administratës së UMNIK-ut, produkt i fuqive aleate të Kosovës, Lulzim Basha (i cili mohon çdo gjë me këmbëngulje), ende djalosh, paskësh shkuar atje t’i bëjë gjëmën së ardhmes kombëtare e të tjera nga këto histori mejhanesh që nuk i ha as qeni. Bindja ime subjektive nuk nënkupton që nuk duhet hetuar për çdo gjë në kërkim të vërtetash. Hetimi nuk duhet të kursejë sidomos një person që mëton të bëhet Kryeministri i ri i vendit. Por kjo pa bjerrë logjikën dhe jo si bukë e propagandës elektorale.

Ish-prokurori Uillson i EULEKS, mjaft kompetent e personazh në vetë të parë në hetimet e pasluftës, ua tha shqeto që janë tema pa lidhje me Bashën, që nuk i korrespondojnë së vërtetës. Lulzim Basha ka rreth 16 vite në politikë, tetë prej të cilave është Edi Rama Kryeministër i gjithëpushtetshëm. Nëse Rama, i cili po e sponsorizon këtë akuzë që u shfaq edhe gjatë vitit 2010-2011 kur po konsumohej beteja për Bashkinë e Tiranes për t’u lënë mënjanë siç rëndom veprohet, do ta kishte seriozisht apo brengë në zemër fatin e kësaj kasete, do të bënte hetime serioze në vitin 2013, 2014, 2015, 2016, 2017, 2018, 2019 edhe me ndihmën e Hashim Thaçit Kryeministër dhe President në Kosovë, por as iu kujtua ndonjëherë. Mos të harrojmë se Kosova de facto është zonë e ndikimit të plotë amerikan, gjithaq Shqipëria. Amerikanët do t’ua kishin gjetur anën politikanëve të cilët paskëshin lundruar kundër interesave të tyre, sidomos kur bëhet fjalë për të mbuluar krimet e Serbisë, kundër të cilave ata hynë në luftë.

Për hir të së vërtetës, Partia Socialiste e Shqipërisë edhe pak e kompleksuar nga aksioni politik i paraardhëses se saj, PPSH-së dhe Enver Hoxhës, trashëgimi më të cilën u nda vonë formalisht dhe asnjëherë në mënyrë kirurgjikale, është shfaqur e ftohtë me Kosovën në fillim të viteve ‘90 e më pas apatike duke përjashtuar këtu kohën kur Kryeministër ishte Pandeli Majko. Edi Rama, me natyrë shumë më tepër kozmopolite sesa nacionaliste, ka qenë për shumë vite i painteresuar për çka ndodh në Kosove. Pa pyetur për emocionet dhe pezmin që shkaktoi ai kur i dha “Çelësin” e Tiranës Bregoviçit, autorit të këngës kriminale e antishqiptare “kallashnikov”. Kur u bë Kryeministër, iu desh të impenjohej pak më tepër, se ia lypte puna, por mbeti dytësor në preferencat e kosovarëve.

Marrëdhëniet e tij me Kryeministrat e Prishtinës qenë tejet të paqëndrueshme e të këqija, me Isa Mustafën, Ramush Haradinajn e Albin Kurtin, duke e dobësuar kësisoj peshën e faktorit shqiptar në rajon, ndërkohë që Presidentin serb, Vuçiç, në çdo rast e thërriste “miku Aleksandër”. Nga andej e këtej nuk munguan as akuzat që e shihnin të përfshitë Edi Ramën në projektin e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë, ide kjo që shkaktoi zjarrmi të madhe kombëtare e ndërkombëtare. Si kryesues i OSBE-së, Edi Rama mund të kërkonte një hetim për shqiptarët e zhdukur e për varret e tyre masive në Serbi, por nuk gjeti kohë.

Në mesin e pandemisë, por edhe të fushatës elektorale, Rama nëpërmjet zëdhënësve të tij propozoi një komision parlamentar për të hetuar në fillim Bashën, por më pas u tërhoqën se e gjykuan se është një marri e padobishme për të bërë kinse se kanë objekt raportin e Dik Martit dhe rezolutat që e pasuan për të nxjerrë në shteg Sali Berishën! Komisionet tona parlamentare, si ato të PD-së, si ato të PS-së, kanë përfunduar të gjitha si komedi, por këto me fokus ndërkombëtar pos qesharakes kanë brenda edhe banalen deri në veleritje.

Përkeqësimi i treguesve të menaxhimit të pandemisë, si dështim edhe qeveritar, shndërrimi i saj në pandemi ekonomike me ndikim elektoral të sigurt, si nuancë shtesë për keqqeverisjen tetëvjeçare, e shtynë Kryeministrin drejt pseudo-debatit për të spostuar vëmendjen. Në këtë kontekst, ai ndalon me policë dhe shpie në komisariat në mënyrë skandaloze edhe për shfryrje inatesh personale një politikan të njohur si Kastriot Islami, ish-Kryetar Parlamenti, ish-ministër e deputet, profesor universiteti, se vrapon pa maskë te Kodrat e Liqenit në kryeqytet, kur gjysma e njerëzve lëvizin lirshëm pa maska. Policët e tij ndalojnë forcërisht si rrezik publik Kastriot Islamin, a thua se nuk e paskëshin njohur. Kudo gomarët kur e morën vesh këtë lajm ia dhanë së qeshurës me zali, pastaj edhe ata u trishtuan!

Ai s’e llogarit koston që merr në raport me zhurmën që i duhet të prodhojë llogari e çon te poterja. Po kështu, ai thërret në kauzë një kasetë “misterioze” dhe xhiruesin e saj, i cili tregon variante si përrallat e “një mijë e një netëve”, për të akuzuar Bashën, pikërisht personin i cili rrezikon t’i marrë karrigen e pushtetit më 25 prill 2021. E bën këtë për ta detyruar kundërshtarin që të harxhojë kohë në mbrojtje dhe të mos merret me problemet reale të vendit dhe fushatës. Kosova s’na e ka borxh kaq hipokrizi e përdorim; lufta, dëshmorët e viktimat e saj civile, jo e jo! Petullat e pushtetit nuk mund të ngjyhen në gjakun e Kosovës. S’ka kasetë që e përligj një të tillë akt.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura