Pse kjo heshtje për dëshmorët e UÇK-së nga Shqipëria

Jan 23, 2023 | 13:25
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ

e88c649c-a1e6-4227-b83e-b47b51645423

Për herë të parë, gazeta “Panorama” para disa ditësh bëri të ditur numrin e dëshmorëve të UÇK-së  nga Shqipëria.

Janë 69 të tillë nga të gjitha krahinat e vendit, duke filluar nga Kavaja, Hasi, Tropoja, Berati, Shkodra e deri nga Skrapari i largët. Me moshën mesatare 25 vjeç. Reagimet e para në redaksi ditën e botimit të listës ishin nga më të ndryshmet. Tërhiqte vëmendjen një lloj mosbesimi për numrin jo të vogël të martirëve. Kishte që pyesnin qortueshëm për nderimet e munguara për ta.

Lajmi me sa duket zuri disi në befasi jo vetëm opinionin, por edhe autoritetet zyrtare. Pas kaq vitesh, këto të fundit nuk kanë ende listën e plotë të dëshmorëve të UÇK-së nga Shqipëria. Nuk e posedojnë atë as autoritetet e Kosovës. Emrat e të rënëve në luftën kundër okupatorit serb rezultojnë vetëm në arkivat e zonave operative dhe në kujtesën brilante të bashkëluftëtarëve.

Një harresë e dhimbshme kjo për një çështje kaq të rëndësishëm. Ndodh kësisoj kur qeveria e Shqipërisë, por dhe ajo e Kosovës kanë zyra të veçanta për statusin e dëshmorëve dhe veteranëve të luftës, ku shërbejnë zyrtarë të paguar goxha mirë. Mirëpo, deri tani nuk ka qenë fare në axhendën e tyre fati i dëshmorëve të UÇK-së. Nuk është konstatuar as përpjekja më e vogël së paku për të krijuar dosjen përkatëse. Pa fol këtu për kujdesin ndaj familjeve të tyre, të cilat jetojnë në skajet më të largëta të qendrave urbane, shumica në kushte mjerimi të thellë.

Nuk është vendi për të sjellë këtu vlerat e jashtëzakonshme të aktit heroik të këtij brezi të rinjsh që u vetëflijuan në ballin e luftës për lirinë e Kosovës. Në fund të fundit, ata bënë atë që menduan se ishte më e mira dhe më e dobishmja për kombin. Heshtja jonë, harresa e dy shteteve që flasin shqip ndaj veprës së tyre është tejet e dhimbshme. Janë bërë mbi dhjetëra herë mbledhje të përbashkëta të dy qeverive përkatëse. Së fundi u bë dhe një seancë e përbashkët e Parlamentit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës në Tiranë. Për çfarë nuk është fol e debatuar në to, po për martirët, të rënët nuk është përmendur asnjë.

Thua se kemi zyrtarët pa kujtesë dhe institucione dritëshkurtra?! Të harrosh gjakun e të rënëve, kontributin e martirëve është më shumë se një mallkim i zakonshëm. Kur do kujtohen institucionet e shtetit këtej dhe matanë kufirit së paku të përmendin shifrën e plotë të tyre. Kur do kujtohen të fillojnë nga nderimi për veprën e tyre. Kur do kujtohen t’u shkojnë te porta familjarëve të dëshmorëve e t’u japin një dorë për t’i nxjerrë nga skamja. Sa më shumë vonojnë, aq më turp për to.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura