“Pse kaq pak femra në ‘Nobel’, a u tradhtua themeluesi i çmimit?!”

Dec 18, 2020 | 11:46
SHPËRNDAJE

SUADA IMERI

Çmimi “Nobel” nuk është i plotë pa femrat! Sapo lexova disa materiale mbi Alfred Nobel, duke filluar që nga jetëshkrimi i tij, shpikja e famshme mbi dinamitin e deri te themelimi i fondacionit më të rëndësishëm në të gjithë botën. Alfred Nobel u lind me 21 tetor 1833 në qytetin e Stokholmit. Ai ishte një kimist, inxhinier dhe industrialisti suedez më i njohur i të gjitha kohërave.

nene tereze

Lexova me vëmendje jetëshkrimin e tij, që nga lindja në Stockholm e më pas zhvendosja në San Peterburg, Rusi, bashkë me familjen e tij prej 10 anëtarësh. Alfred Nobel vinte nga një familje e thjeshtë, të paktën që nuk aspironte kaq shumë në shkëlqimin e një gjeniu në familje, i cili, pa hezitim, do linte një emër shumë të madh e të pazëvendësueshëm në mbështetjen e shumë gjenive, që do të vinin pas vdekjes së tij. Pasioni, idetë e shumta si edhe dhuntia e pafundme që kishte për mëndafshin artificial, motorët me gaz dhe teknologjinë e saldimit, bëri të numërojë plot 355 patenta të ndryshme në të gjithë botën. Përmes testamentit të vitit 1895, pasuria e tij do të përdorej me një çmim “për ata që i kanë dhënë njerëzimit përfitimin dhe kontributin më të madh në fushat e fizikës, kimisë, mjekësisë, letërsisë dhe paqes”

Fatkeqësisht, më 10 dhjetor të vitit 1896 bota humbi një nga njerëzit më me influencë e mendje brilante, kontributi i të cilit nuk do harrohet kurrë, nga askush. Por, pikërisht kjo datë përkon, për shumë vite me radhë, si dita e falënderimit dhe e mirënjohjes nga mbreti i Suedisë, i cili momentalisht është Madhëria e tij, Carl XVI Carl Gustaf Folke Hubertus, Mbreti i Suedisë, Duka e Jämtland, nderon me çmim dhe medalje të përzgjedhurit që kanë bërë një punë të palodhur dhe kanë dhënë e japin kontribut të madh në fusha të ndryshme për vite me radhë. Duke filluar nga shpikjet më të rëndësishme për njerëzimin e duke lënë një mesazh të patjetërsueshëm në historinë e njerëzimit. Plot 930 persona gëzojnë këtë titull në jetëshkrimin e tyre që nga viti 1901 deri në 9 dhjetor 2020. Me këtë çmim janë vlerësuar edhe 25 organizata në mbarë botën.

Por sa femra janë mes tyre? Vetëm 57!

Po e nis me Selma Ottilia Lovisa Lagerlöf, një autore dhe mësuese suedeze, që botoi romanin e saj të parë, “Saga e Gösta Berling”, në moshën 33 vjeç. Selma Lagerlöf rinovoi prozën narrative, të frymëzuar nga simbolika dhe modernizmi, fitoi famë botërore dhe u përkthye në shumë gjuhë. Ajo ishte gruaja e parë që fitoi çmimin “Nobel” në Letërsi, që iu dha në vitin 1909 dhe u bë anëtare e Svenska Akademien (Akademia Suedeze) në 1914.

Ndërsa Marie Curie gëzon, edhe pse pas vdekjes, 2 çmime “Nobel”; njëri ishte në vitin 1903 në Fizikë, dhe në vitin 1911 në Kimi.

Me krenari veçojmë nderimin me çmimin “Nobel” për Paqen, me motivacionin “për punën e saj për t’u ardhur në ndihmë njerëzve që vuajnë”, Shën Nënë Terezës. Me prejardhje shqiptare, ajo ishte Udhëheqëse e Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta. U bë nënë, motër edhe një mbështetëse e hekurt për të varfrit, një shembull frymëzimi për mbarë njerëzimin në këto kohë të trazuara që po kalojmë.

Por është impresionues edhe nderimi i vajzës më të re nga Pakistani, në historinë e çmimeve “Nobel”, Malala Yousafzai. Në vitin 2014, ajo ishte vetëm 18 vjeçe kur u dekorua me motivacionin “për luftën e tyre kundër shtypjes së fëmijëve dhe të rinjve dhe për të drejtën e të gjithë fëmijëve për arsim”.

Ka shumë e shumë femra që janë në listën e gjatë të të nderuarve që gëzojnë çmimin “Alfred Nobel” e nuk mundem t’i përmend të gjitha. Por kam zgjedhur vetëm disa prej tyre. Sa më shumë lexoj, kuptoj se sa shumë i kanë dhënë shoqërisë sonë… Shembull edhe vlerë e madhe, qoftë edhe kur përmendim emrin e tyre.

Shumë nga gratë që arrijnë suksese në fusha të ndryshme të sportit, të politikes, paqes, mjekësisë edhe shkencës janë pa dyshim një model për të gjitha gratë e vajzat e botës. Ato nuk janë me fat, por janë të zgjuara, kanë talent. Shfrytëzojnë përparësitë e mundësive që u vijnë përpara edhe punojnë vërtet shumë fort për të arritur synimet, ëndrrat edhe qëllimet e tyre. Nuk dua ta pranoj faktin që ato janë të lindura e të krijuara vetëm të krijojnë familje, të lindin dhe të edukojnë brezat.. Në një bisedë me një mikun tim, sa i përket faktit që isha pak e shqetësuar se pse ka kaq pak femra, të cilat kanë arritur të kenë një numër të vogël në listën e fituesve të çmimit “Alfred Nobel” apo çdolloj çmimi tjetër në botë, ai u shpreh se nuk është e lehtë, pasi kanë familjen edhe s’munden t’i bëjnë të gjitha përnjëherësh. Karriera kërkon përkushtim edhe sakrificë! Duke qenë dakord me pjesën e fundit, nuk më bën të ndihem fare komode fakti që impakti i parë që u vjen meshkujve në mendje për femrën, është ajo piktura e saj në familje, në kuzhinë apo duke përkundur fëmijën e larë rrobat! Unë mendoj dhe besoj fort që femra është një forcë e madhe, që dora e saj është kudo, qëndrojnë pas çdo suksesi, duke filluar nga një President e duke mos përfunduar kurrë.. Misioni i saj është i pakufishëm

Vlen të theksohet që për shkak të shumë steriotipeve ndaj gruas, ka qenë një pengesë që ky numër të mos jetë më i lartë. Duke mos e bërë të duket më e kompletuar në mesazhin që jepet përditë, kudo! Ai i barazisë mes gjinive.

Femra po e fiton ndër vite këtë barazi, por nuk është shumë e lehtë të pranohet për botën maskiliste… Por jam dakord me thënien që diamanti përgatitet nën presion edhe trysni shumë të lartë, sepse ndryshe nuk e merr as bukurinë e as vlerën që ka. Ka mjaft gra që kanë lënë e po lënë çdo ditë e më shumë gjurmën e tyre e po e shkruajnë historinë.

Disa statistika:

• Midis 1901 dhe 2019, 219 individë janë vlerësuar me çmimin “Nobel në Mjekësi”. Vetëm 12 prej tyre ishin gra, rreth 5.5%.

• Ndërkohë, në Fizikë, nga 213 persona që kanë fituar, vetëm tre – më pak se 2% – kanë shkuar te gratë. Dhe vetëm pesë gra kanë fituar çmimin në Kimi. Kjo është arsyeja pse viti 2018, kur Donna Strickland fitoi në Fizikë dhe Frances Arnold fitoi në Kimi, u konsiderua një vit flamur për fitueset e Çmimit Nobel për femrat.

Sipas një interviste të Göran Hansson, nënkryetar i bordit të drejtorëve të Fondacionit Nobel, i cili pyet se pse kaq pak gra fitojnë çmimin Nobel, ai u përgjigj: “Jemi pak të zhgënjyer duke parë perspektivën më të gjerë se shumë gra nuk janë vlerësuar. Të kthehemi pas në kohë për të identifikuar zbulimet. Duhet të presim derisa të verifikohen dhe vërtetohen, para se të mund të japim çmimin. Atëherë kishte një paragjykim edhe më të madh ndaj grave. Kishte shumë më pak gra shkencëtare, nëse kthehemi 20 apo 30 vjet mbrapa. Por nuk jam i sigurt se ky është shpjegimi i plotë. Ne dhe institucionet e tjera që japin çmime kemi marrë masa. Nëse shikoni komitetet e Çmimit Nobel, ka gra që kryesojnë tri nga gjashtë komitetet. Ka gra shkencëtare në të gjitha komitetet. Kështu që unë nuk mendoj se ka ndonjë paragjykim të konsiderueshëm, shovinist mashkullor në komisione. Komitetet kanë ftuar – kanë bërë përpjekje të veçanta për të identifikuar – gratë shkencëtare që do të nominohen për çmimin. Por kjo ka filluar këtë vit, sepse jemi të shqetësuar se mund të mos marrim nominime të mjaftueshme për gratë shkencëtare. Unë dyshoj se ka shumë më tepër gra që meritojnë të konsiderohen për çmimin. Prandaj, ne kemi filluar të identifikojmë gratë udhëheqëse shkencëtare dhe kemi ftuar që ato të nominohen. Ne, duke filluar nga viti i ardhshëm, do të tregojmë në ftesën tonë për të nominuar gra shkencëtare dhe për të marrë parasysh diversitetin etnik dhe gjeografik. Më në fund, do të kemi një konferencë këtë dimër me komisionet e ndryshme të çmimeve për të diskutuar këtë çështje. Pra, ne jemi të shqetësuar dhe po marrim masa. Shpresoj që për pesë vjet ose dhjetë vjet do të shohim një situatë krejt tjetër”

Në 20 vitet e fundit, relativisht po aq gra morën një Çmim Nobel në shkencë, sikurse gratë në shekullin e parë të këtyre çmimeve. Po përparohet shumë ngadalë në drejtimin e duhur. Unë mendoj se ka shumë shumë gra të mira që mund të marrin Çmimin Nobel.

Përfaqësuesit e Nobel kanë thënë në vitet e fundit se ata po përpiqen të rrisin numrin e grave dhe larminë racore të kandidatëve që emërohen, duke përfshirë, për shembull, më shumë gra në mesin e atyre të ftuar për të paraqitur nominime.

Por nominimet ende mbahen konfidenciale, kështu që është e pamundur të dihet se sa gra konsiderohen në të vërtetë.

DUHET TË JEMI TË VËMENDSHËM NË ÇDO VENDIM QË MARRIM PËR TË TJERËT. PËRPARA NESH ËSHTË NJË MISION PËR T’U PËRMBUSHUR. SE SA DO T’IA ARRIJMË, HISTORIA DO TA TREGOJË.

Stockholm, Suedi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura