Pse ka nevojë qeveria të reklamojë kërcënime

Nov 18, 2015 | 12:07
SHPËRNDAJE

Preç-ZogajjPREÇ ZOGAJ

Pas Parisit, radhën e ka Tirana, Edi Rama, Saimir Tahiri. Mesazhi kërcënues që mori ministri i Brendshëm i Shqipërisë të nesërmen e sulmeve të tmerrshme terroriste në Paris mund të përcillet edhe kështu. Me objektivitet. Pa gramin e sarkazmës së kërkuar. Në fakt, siç e kupton dhe e ndien gjithkush, sarkazma është në vetë lidhjen apo bashkërenditjen e dy gjërave kaq pa lidhje. Që nuk i lidhi mendja e hidhur e ndonjë satiriku, por vetë publikimi nga ministri i mesazhit kërcënues. Në Paris u derdh gjak, u vranë njerëz të pafajshëm.

Autorësinë e sulmeve terroriste atje e mori përsipër ISIS-i, që përfaqëson sot kërcënimin kryesor për sigurinë dhe paqen në botë. Mesazhi që mori ministri ynë në këtë atmosferë të përbotshme lufte vinte nga “Brigadat e kuqe”, për të cilat nuk kemi dëgjuar të flitet në Shqipërinë e sotme, pale t’u njohim ndonjë akt që të provojë ekzistencën e tyre. Nuk kemi përse të dyshojmë se mesazhi që mori Tahiri ishte i rremë, ishte një shaka a diçka e tillë. E konsiderojmë të vërtetë. Por kush dreqin i tha ta publikonte? Si i ka shkuar mendja? Pse duhej ta bënte?

Si nuk është kujtuar se, duke reklamuar me cilësinë e ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë një përballje që nuk dimë të ketë lënë asnjë xham të thyer gjëkundi në Shqipëri, po parodizonte, pa dashje me siguri, masakrën e Parisit, konfigurimin e luftës së re midis fuqive më të mëdha të botës dhe terrorizmit të mbledhur rreth të ashtuquajturit shteti islamik. Momenti i publikimit të mesazhit ishte shumë i gabuar. Ai flet shumë për impulset karakteristike të këtij ministri dhe flet akoma më shumë për horizontin e vogël, dukshëm lokalist, të një perimetri interesash tepër vetjake, të kastës në krye të qeverisë. Por edhe sikur të mos kishte ndodhur masakra në Paris.

Pse i duhet bërë me dije publikut një mesazh pa kontekst, që shkrep si rrufe në qiell të kthjellët në celularin e ministrit? Nga natyra e punës, ministri i Brendshëm është kurdoherë i ekspozuar ndaj mesazheve paralajmëruese, provokuese apo kërcënuese. Publikimi i mesazheve kë- sisoj nuk mund të bëhet me shkujdesjen apo mendjelehtësinë e vedetave të pasarelave apo ekraneve, që duan të bien në sy, të tërheqin vëmendjen, të bëjnë heroin dhe heroinën. Nuk mund të përligjet madje as me nevojën legjitime për t’u mbrojtur, siç bëjnë njerëzit e angazhuar të shtypit, letërsisë dhe arteve apo edhe qytetarët e thjeshtë kur marrin mesazhe kërcënuese.

Kryeministri dhe ministri i Brendshëm janë krejt tjetër gjë. Ata duhet të jenë shumë të matur dhe kurdoherë politikë në veprimet e tyre si zyrtarë të lartë. Etika e detyrës dhe kujdesi për të evituar përhapjen e panevojshme të panikut në publik i ndalon, ma merr mendja, të publikojnë mesazhe në hava, pa filtër, thjesht nga nevoja për të rritur rëndësinë si njerëz që qenkan vënë në shënjestër të armikut.

Para se t’i tregojnë publikut kërcënimet me celular, ata kanë për detyrë të identifikojnë kërcënuesit dhe zhantazhuesit anonimë, t’i kapin, të sqarojnë natyrën e mesazheve: janë shfrime, janë lajthitje, janë shakara apo janë kërcënime të vërteta që vijnë nga celula të mirëfillta terroriste në vend. Aq më tepër kur bëhet fjalë për organizata okulte si kjo me emrin “Brigadat e kuqe”. Ministri duhet ta dijë përpara të gjithëve nëse kemi të bëjmë me një organizatë të vërtetë, apo me një organizatë fantazmë.

Ngjan komike, sportive dhe amatoreske që ai ta ketë hasur për herë të parë në ekranin e celularit të tij këtë emërtim dhe ta ketë plasur pa një pa dy në publik. Sikurse duket shumë e çuditshme që “terroristët e brigadave të kuqe të Shqipërisë” të kenë zgjedhur pikërisht ekranin e celularit të ministrit të Brendshëm për të njoftuar daljen e tyre pa bërë as çak, as bam në skenën e historisë! Dje është njoftuar ndalimi i dy prej të dyshuarve. Të shohim se çfarë do të dalë në dritë nga marrja e tyre në pyetje. Uroj të mos jem i gabuar: nuk parashikoj një xhihad shqiptar kundër qeverisë së Tiranës dhe as akte terroriste si ato që përgjakën Parisin.

Për shumë arsye, ku mbisundon ajo gjeopolitike, Shqipëria nuk mund të jetë guri i radhës i dominosë në reaksionin zinxhir të terrorizmit ashtu siç mund të jetë projektuar në letër nga krerët e ISIS-it. Mendja që ka planifikuar këto masakra çnjerëzore është në logjikën e një çmendurie që nuk ka të bëjë me budallallëkun ordiner. Në këtë kontekst, mesazhi kërcënues që publikoi ministri i Brendshëm më sjell ndër mend një fjali të paharrueshme të Shpëtim Nazarkos për një nga ministrat e Qeverisë shqiptare gjatë luftës së Kosovës, i cili, teksa po pyetej nga një media e huaj për dramën e refugjatëve të luftës, një vesh dhe një sy i mbante sa për formë nga gazetari, por me mendje dhe me zemër ishte përpirë në kulisat e KPDsë së Partisë! Kjo është e vjetër në vendin tonë.

Politikanët tanë të pakulturuar nuk dalin dot nga fshati, edhe kur merr flakë bota. Madje, kur merr flakë bota, politikanët tanë të improvizuar me tipare të spikatura oligarkësh gjejnë rastin ideal për të rregulluar punët e tyre, për të vjedhur, për të shfryrë presionin e opozitës dhe qytetarëve me alibinë sikur janë në luftë kundër terrorizmit dhe për këtë u duhet mbështetja pa kushte e të gjithëve. Sepse midis terrorizmit dhe oligarkisë, e keqja më e madhe është terrorizmi, apo jo? Publikimi i mesazhit që ka marrë ministrit i Brendshëm shkon në vazhdën e kësaj tradite të keqe.

Ky publikim, në fakt, e mbledh vetvetiu fokusin e antiterrorizmit si një çështje ndërkombëtare, ku duhet të paguajmë atributin tonë, në diapazonin e një problemi të brendshëm. Qeveria ka nevojë të reklamojë kërcënime. Këtë nuk e bën nga mendjelehtësia, siç më është dukur mua në fillim, duke e parë rastin në prizmin e parimeve të etikës, por e bën me vetëdije, me qëllime të mirëmenduara. Kësisoj i shkon mendja të caktojë një target të ri të rrezikut që kërcënon vendin, s’ka rëndësi sa real është ky rrezik, ku ajo, qeveria, do të jetë në ballë të luftës dhe prandaj minimumi duhet lënë e qetë në punën e saj; llogarit të okupojë mendjen e njerëzve me frikën ndaj armikut të padukshëm që mund të godasë kur nuk pritet; shpreson të mbulojë për disa kohë plagët e saj me luspat e antiterrorizmit e të tjerë.

Franca është goditur, por Perëndimi, SHBA, Franca vetë, qytetërimi perëndimor, lindor, verior dhe jugor do ta fitojnë luftën kundër terrorizmit të ISIS-it. Shqipëria duhet të japë, siç e ka dhënë edhe në të kaluarën e afërt kontributin që i takon në këtë betejë të re. E premtja e zezë e Parisit shënon fillimin e fundit për këtë tumor të njerëzimit, siç shënoi 11 shtatori i vitit 2001, si apoteozë e së keqes, fillimin e fundit të Osama Bin Ladenit dhe organizatës së tij terroriste.

Në këtë përpjekje epike të botës së qytetëruar, të liderëve të mëdhenj me formim demokratik dhe të ushtarakëve të përkushtuar, nuk shpëtojnë pa rënë në sy oligarkët e njohur të vendeve ish-komuniste, ata që demokracia e madhe e botës i ka piketuar për t’i larguar nga skena. Këta fërkojnë duart. U mungon vetëm thirrja “rroftë terrorizmi”, që nuk e thonë për një mijë arsye. Vetëm këta fitojnë në këtë katrahurë. Fitojnë pak kohë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura