Pse jam sot me “bluzë të bardhë”!

Feb 18, 2015 | 12:50
SHPËRNDAJE

LAJLA PËRNASKA

   Nuk ndalet seriali i problemeve në shëndetësi: fakte, denoncime, shqetësime, reagime, protestime… që nga ana tjetër, të gjitha ushqejnë debatin publik sa të munguar, aq edhe të domosdoshëm për funksionimin e këtij sektori jetik.
Është një realitet shqiptar, që shumëkush kujtohet për shëndetin vetëm kur ka probleme me të, kujtohet për mjekun dhe personelin shëndetësor kur ka hall dhe përplaset te to. Kjo edhe për nivelin e kulturës sonë shëndetësore, shpesh neglizhuese për shëndetin. Edhe sistemi që kemi, nuk është aq parandalues sa kurues dhe standardet mbeten të çala. Por, problematikat e mprehta të mbartura në vite brenda sistemit të kujdesit shëndetësor nuk kanë vënë asnjëherë në dyshim nivelin dhe përkushtimin e bluzave të bardha, siç po ndodh tashmë.
Për brezin tim dhe jo vetëm, Mjekësia ishte dega më e kërkuar, me një konkurrencë tejet të fortë për të fituar “të drejtën e studimeve në Mjekësi”(mundësisht me “Medalje Ari”). Për qindra studentë/mjekë, shkollimi, specializimi, kualifikimi i vazhdueshëm do të thotë energji, kohë, punë pa fund, për të kapur standarde sa më të larta. Në rrugëtimin tim profesional klinik (në Spitalin Pediatrik Tiranë) ruaj vlerësim të madh për kolegët dhe personelin shëndetësor. Dhe kur (rreth 20 vjet më parë) zgjodha jo pa vështirësi të heq bluzën e bardhë, të specializohem dhe të kaloj në fushën, shpesh të koklavitur, të politikëbërjes dhe ligjvënies, kam vazhduar të ndjek reformën (si pjesë e ekipit të MSH 1995-’97, më tej me organizatat partnere, në Kuvendin e Shqipërisë e Këshillin e Europës). Sot, si çdo shqiptar besoj, do të kisha dashur që, pas 23 vitesh “reformë”, të ishim sa më pranë një modeli europian shëndetësor, dhe s’kam kompleks në emër të cilës sigël partiake do të certifikohej suksesi, pasi nuk ka mbetur asnjë lloj partie pa “marrë në dorë fatet e shëndetësisë”!. Madje, e gjej të panevojshme tendencën e politikës për të ndërhyrë në forma jo korrekte, deri për ta trajtuar personelin mjekësor me ngjyrim partiak, si “tanët” dhe “jo tanët”. Armata e mjekëve dhe personeli që punojnë brenda sistemit të përkujdesjes shëndetësore nuk u përkasin partive, por profesionit dhe shërbimeve ku punojnë. Sigurisht, çdokush është i lirë të bëjë dhe zgjedhjet e veta politike, por kjo mbetet thjesht një çështje personale.
Besoj gjithashtu se bëj pjesë në shumicën dërmuese në këtë vend, që për bluzat e bardha përcjell respekt dhe vlerësim të lartë, për punën e palodhur e plot sakrifica (shpesh në kushte të vështira), në përmbushje të misionit të tyre në ruajtje të shëndetit të popullatës. Është pikërisht ky kapital i paçmuar njerëzor që mban në këmbë gjithë sistemin shëndetësor!
Por sa investim, sa sakrifica nga ana e mjekëve dhe personelit shëndetësor, në dekada, që sot vihen në pikëpyetje para një vendimi politik, antiligjor, pa formë e pa përmbajtje: Testim! Në pikëpyetje vihet edhe shteti ligjor, institucionet dhe mekanizmat që autorizon ligji për kualifikimin e personelit shëndetësor.
Ajo që po ndodh mes deklarimeve e masave të “reformës rilindëse” në shëndetësi, në rastin në fjalë, ka krijuar një situatë të paprecedentë, ku janë goditur njëherazi:
Në aspektin etik:
-dinjiteti dhe profesionalizmi i bluzave të bardha;
-marrëdhënia personel mjekësor – pacient;
-marrëdhënia personel mjekësor – autoritete vendimmarrëse.
Në historinë e shërbimit shëndetësor, është hera e parë që detyrohet personeli mjekësor të lërë  vendin e tij të natyrshëm, (pranë shtratit të të sëmurit) dhe të dalë të protestojë për të drejtat e tij.
Dhe kjo me një akt verbal arbitrar:
-Duke bëre monolog, në vend të dialogut me specialistë dhe konsultimeve me Urdhrin e Mjekut, grupet e interesit, komunitetin e mjekëve dhe organizatat partnere në shëndetësi.
-Me urdhër “nga lart”, pa asnjë dokument zyrtar dhe pa asnjë platformë.
Në aspektin ligjor dhe kushtetues:
-Duke rënë ndesh jo vetëm me ligjet në fuqi që rregullojnë procesin e kualifikimit në vazhdimësi, por dhe me parimet kryesore kushtetuese (si ai i “sigurisë juridike”) dhe në shkelje të të drejtave të njeriut që parashikon Kushtetuta.
Në aspektin institucional:
 -Me qëndrime përjashtuese dhe jotransparente, duke e bërë procesin joprofesional dhe diskriminues.
( Kjo ka sjellë përballjen me një situatë absurde, që kërkon të verë ne pikëpyetje kapacitetet, e për më tepër të ngarkojë me përgjegjësi personelin shëndetësor(!)  
Mos gjithë kjo tërheqje vëmendjeje dhe energji njerëzore bëhet që të spostohet fokusi nga “hallet” reale të sistemit?
Po me aspekte të tjera të reformës ç’bëhet? Sa qëndrojnë masat e shpallura nga Ministria e Shëndetësisë, për check-up, paketën publik-privat, autonominë spitalore etj.?
Po akuzat tronditëse, për sigurinë e ilaçeve dhe furnizimi me to, probleme të trajtimit të mbetjeve spitalore?
Janë shumë përgjigje emergjente që duhen dhënë nga “kostumet politike të vendimmarrjes”, dhe jo të vihet në pikëpyetje “standardi dhe cilësia e bluzave të bardha”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura