Pse iu bashkova Lulzim Bashës

Apr 13, 2021 | 9:34
SHPËRNDAJE

korab lita

KORAB LITA

Një nga momentet më të vështira të jetës sime politike ka qenë pa dyshim kur duhet të vendosja nëse do të pranoja mandatin, pasi opozita vendosi që t’i digjte ato dhe të largohej nga Parlamenti me një akt të paprecedent si shenjë revolte dhe për të sensibilizuar opinionin publik për gjendjen ku gjendej në ato momente politika shqiptare. Për mua personalisht nuk ishte një vendim aspak i lehtë.

Përkundrazi! Ishte një moment ku kam reflektuar shumë përpara se ta bëjë atë akt. Partia Demokratike gjate gjithë jetës sime ka qenë partia së cilës i kam besuar energjitë e mia, votën time dhe angazhimet politike. Për ketë jam krenar, sepse jam i bindur që të gjitha të mirat Shqipërisë në këto 30 vite pluralizëm i ka ardhur nga Partia Demokratike, dhe që është e vetmja forcë politike që mund të sjellë ndryshimin e vërtetë.

Megjithatë, kur pranova mandatin, kam pasur shumë biseda me miq, familjarë dhe demokratë, sidomos të Kamzës, ku jam munduar t’u shpjegojë se ky veprim nuk ishte aspak kundër Partisë Demokratike, e cila ka qenë dhe është partia ime. Aq më tepër kur mendoja që betejat e saj politike në atë kohë ishin të gjitha të drejta. Arsyeja e vetëm se përse ndërmora këtë veprim ishte vetëm një: Të bëja betejën time personale dhe të ndikoja me votën time për demokratizimin e politikës shqiptare.

I vetmi qëllim ishte ndryshimi i sistemit elektoral dhe hapja e listave, si një domosdoshmëri për të instaluar garën dhe konkurrencën në politikë. Edhe për faktin se gjithmonë e më shumë kjo gjë po kërkohej nga opinioni publik. Kjo dhe vetëm kjo ishte arsyeja që më shtyu të pranoja mandatit, megjithëse e dija që shumëkush nga demokratët nuk do ta priste mirë këtë akt. Por i mirëkuptoj që të gjithë.

Gjatë gjithë kohës sime në Parlament nuk kam reshtur kurrë duke denoncuar qeverinë e Edi Ramës dhe aferat e saj në dëm të qytetarëve shqiptarë. Në asnjë moment nuk e tradhtova kauzën time për hapje e listave dhe nuk u bëra palë me qeverinë si shumë nga deputetët e tjerë që pranuan mandatet. Fjalimet e mia dhe vota kundër në çdo projektligj që ka sjellë qeveria në Parlament, të cilat janë publike tashmë, e vërtetojnë më së miri aktivitetin tim parlamentar.

E vërteta është, dhe sot mund të thuhet me siguri se opozita parlamentare nuk ishte gjë tjetër përveçse një fasadë dhe asgjë më shumë. Të gjithë ata, disa prej të cilëve sot janë në listat e Partisë Socialiste, dhe disa të tjerë kanë krijuar partiçka të sponsoriuzuara nga qeveria, u bënë shumë shpejt kukulla në duart e qeverisë. Pushteti i Edi Ramës me opozitën parlamentare u forcua më shumë seç ishte më parë dhe kjo s’ka asnjë lloj diskutimi.

Ata u shndërruan në kartonë të bindur sa herë që qeverisë për të kaluar ligje klienteliste në favor të oligarkëve dhe miqve të Edi Ramës. Tashmë, ata janë palë me këtë qevëri dhe përgjegjës njësoj për dëmet që ajo u ka sjellë shqiptarëve.

Gjatë eksperiencës sime në Parlament kam parë nga afër pushtetin manipulues dhe korruptiv të kësaj qeverie. Kam parë nga afër se si përdorte çdo mjet për të manipuluar, blerë dhe bërë presione politike të shumëllojshme, vetëm e vetëm për të arritur qëllimet e saj të përqendrimit të pushtetit në dorë të një njeriu.

Kulmi i këtij manipulimi ishin ndryshimet kushtetuese në mënyrë të njëanshme për të krijuar taktika elektorale nga ankthi që ka Edi Rama për humbjen e pushtetit. Si një njëri që ka fobi nga gara demokratike dhe e ndershme, Edi Rama, me ndryshimet kushtetuese të korrikut të vitit të kaluar, i mashtroi të gjithë. Mashtroi ndërkombëtarët, mashtroi opozitën dhe prishi marrëveshjen, përdori opozitën parlamentare si kukull për të arritur qëllimin e tij për të marrë avantazhe elektorale në tavolinë me ato ndryshime. Por mbi të gjitha, mashtroi opinionin publik duke i thënë se listat u hapën. Ndërkohë që nuk ndodhi aspak kështu.

Sot jo vetëm që listat nuk janë të hapura plotësisht, por edhe emrat e deputetëve u hoqën me urdhër të Ramës nga fletët e votimit. Të gjitha këto fakte tregojnë natyrën e vërtetë të tij. Natyrën autoritarsite dhe antidemokratike që e karakterizon.

I vetmi që propozoi lista të hapura plotësisht ishte Lulzim Basha dhe Partia Demokratike. Por me Edi Ramën përballë ishte e qartë se kjo nuk do të ndodhte asnjëherë. Lulzim Basha i qëndroi koherent deri në fund betejës së tij për demokratizimin e politikës. Sot nuk ka dyshim se kush është lideri që do garën, që kërkon përmirësimin e demokracisë shqiptare. Shqiptarët e kanë kuptuar tashmë dhe në 25 prill vota e tyre do të shkojë masivisht për Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën.

Në këto zgjedhje ndihem i privilegjuar dhe krenar që kandidoj në listën e Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës me numrin 33. Ndihem me përgjegjësi të madhe që do të kem mundësinë të përfaqësoj qytetarët e Kamzës në Parlamentin e ardhshëm, që do të jem zëri dhe ndërgjegjja e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura