Pse ishte në Durrës ditën e atentatit? Avokati i Redjan Rrajës kërkon shpjegime në Prokurori, ja provat që gjeti organi i akuzës

Nov 9, 2019 | 14:52
SHPËRNDAJE

Redjan Rraja1-Atentati

I arrestuari i vetëm për atentatin ndaj prokurorit të Durrësit, Arian Ndojës, Pëllumb Muharremit dhe Andi Malokut, kërkon lirinë në Apel. Redjan Rraja nuk është dakord me masën e sigurisë së caktuar nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda, duke e çuar në Apel, ku do të kërkojë zëvendësimin e saj me argumentin se nuk ka asnjë provë, si dhe duke i qëndruar dëshmisë mohuese të dhënë më herët në Prokurori. 

Ndërkohë, shoferi i makinës së prokurorit, Andi Maloku, ndërroi jetë në Spitalin e Traumës këtë të enjte, duke rënduar bilancin e atentatit dhe pozitat për Rrajën.

Burime nga Prokuroria thonë se janë duke kryer veprime hetimore në funksion të zbardhjes së plotë të atentatit dhe arrestimit të personave të tjerë të implikuar.

Në funksion të këtyre hetimeve, gjatë orëve të fundit, janë kryer kontrolle të shumta në disa zona, por ende nuk ka asnjë të arrestuar.

AVOKATI Në përgjigje të interesit të mediave, avokati Besnik Çerekja, duke dalë nga Prokuroria për Krime të Rënda ku kishte kërkuar nga Akuza që t’i bëheshin të ditura të gjitha aktet me të cilat synojnë të provojnë se klienti i tij ka pasur lidhje me ngjarjen kriminale ka thënë:

“Nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen, nuk ka asnjë lidhje me gjurmët e gishtave të pretenduara të gjetura te syzet dhe me të gjithë njerëzit e përfshirë në këtë histori”.

Rraja vazhdon t’i mohojë akuzat që ka ngritur Prokuroria dhe ka shpjeguar se ndodhej atë ditë në Durrës, për shkak se kishte punë të vetat personale me makinën.

Por nga ana tjetër, Prokuroria thotë se ka prova që e lidhin të dyshuarin me atentatin, e konkretisht gjurmë papilare dhe qelizat telefonike të tij, që tregojnë vendndodhjen në momentin kur u zhvillua atentati në mbikalimin e Shkozetit.

Redjan Rraja u vu në pranga ditën e martë, më 5 nëntor, ndërsa është ndaluar me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda. Kjo e fundit ka përqendruar hetimet në detyrën e prokurorit, proceset gjyqësore të pronave dhe lidhjen e personazhit të njohur me emrin “Rrumi” me këto procese.

NGJARJA Pasditen e së premtes së 1 nëntorit, makina ku ndodhej prokurori Arian Ndoja, Aleksandër Laho (Pëllumb Muharremi) dhe që drejtohej nga Andi Maloku do të përballej me breshëri plumbash në mbikalimin e Shkozetit. Pak orë më pas, Policia do të sinjalizohej për një makinë tip “Benz” e braktisur dhe gati për t’u djegur në rrugën e Ishmit, pranë varrezave.

Nga breshëria e plumbave, mbetën të plagosur prokurori Ndoja, Aleksandër Laho dhe në gjendje më të rëndë shoferi i makinës, një ish-polic, Andi Maloku, i cili ndërroi jetë 6 ditë pas atentatit. Policia, me vendim të Gjykatës, ushtroi kontrolle në tri qytete për zbardhjen e atentatit, në Tiranë, Krujë dhe Lushnjë, ku sipas burimeve zyrtare janë gjetur prova të rëndësishme për dokumentimin e atentatit.

Zyrtarisht, Policia tha se provat e gjetura janë duke iu nënshtruar analizës nga ana e grupit hetimor dhe një pjesë tjetër e tyre është dërguar për ekzaminim në Laboratorin e Policisë Shkencore. Policia ka identifikuar të paktën 3 persona që kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në atentat, ndërsa janë duke u kryer hetime për të gjetur persona të tjerë të përfshirë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura