Pse integrimi nuk është më në dorën e qeverisë

Oct 21, 2019 | 10:00
SHPËRNDAJE

RIGELS LENJA rigels-lenja

Para disa javësh, Kryeministri Rama pati një takim me Kancelaren e Gjermanisë, Merkel. Përgjigjen e asaj se çfarë Merkeli i kishte kërkuar e morëm vesh me 9 kushtet e famshme. Sot, Merkel dhe liderët kryesorë të BE-së ndodhen përballë një rruge që askush nuk e ka shkelur më parë, si në rastin e BREXIT. Në planin e brendshëm, CDU është në rënie konstante, duke performuar në nivelin e saj me të dobët që nga zgjedhja e Merkelit si Kancelare. E përsëri, Kancelarja gjeti kohë të merret me hapat e integrimit të Shqipërisë, i cili është një proces që ka ngecur prej gjashtë vitesh, kokë e këmbë faji i lidershipit politik shqiptar.

Mosintegrimi i Shqipërisë në BE është një turp për klasën politike të 28 viteve të fundit. Sot, Shqipëria e sheh veten në listën e vendeve jo anëtare mes ish-republikave të Jugosllavisë, që vetëm 10 apo 20 vite më parë ishin në mes të një luftë civile me qindra-mijëra viktima, si në rastin e Bosnjës, Malit Zi, Kosovës dhe Serbisë, që ishte në rolin e agresores. Maqedonia e Veriut, e cila pati një krizë të gjatë me Greqinë dhe probleme pafund etnike. Ukrainës, që ka gjysmën e territorit jashtë kontrollit. Apo Turqisë, që po anon përherë e më shumë drejt ngritjes së një republike me nuanca fetare.

Moshapja e negociatave është pa diskutim dështimi më i madh i qeverisë Rama. Të 9 kushtet e Parlamentit gjerman kanë shumë pak gjasa të plotësohen edhe në 10 vitet e ardhshme. T’i kërkosh sot ekzekutivit shqiptar të plotësojë kushtet gjermane, është e barasvlershme si t’i kërkosh dorëheqjen, pasi të 9 kushtet kërkojnë një shtet të së drejtës. E që në fundament qëndron në kahun e kundërt të asaj se si sillet dhe vepron, jo vetëm të ekzekutivit aktual, por edhe paraardhësit e tij. Qëndrimi i Parisit zyrtar ishte i pritshëm, Macron është mbështetës i vijës së reformimit e në një fazë të dytë zgjerimit. Pa harruar që performanca jashtëzakonisht e dobët ekonomike e Shqipërisë, pothuajse e njëjtë me atë të një shteti të dështuar “format Afganistani”, gjë e cila ka prodhuar mijëra emigrantë ekonomikë, ku një pjesë e madhe janë drejtuar drejt Francës. Franca, për arsye të numrit shumë të lartë të refugjatëve nga zonat e luftës, disa prej tyre ish-koloni të saj, ka një politikë më të ashpër ndaj emigracionit të jashtëligjshëm sesa Gjermania. Shtuar dhe faktin që kjo e fundit ka mungesa të theksuara në krahun e punës.

Refuzimi i Holandës u pa që me kërkesën e tyre për të rikthim vizash për Shqipërinë. Një kërkesë kjo, e cila në rast se do të ishte aprovuar, do ta kthente Shqipërinë në një Irak të Europës.

Duhet të pranojmë që integrimi në BE nuk është më në dorë të qeverisë Rama e po ashtu, vështirë të kryet edhe nga kabinetet që mund ta pasojnë atë. Ka dy arsye pse. Së pari, vendet e rajonit që sot janë pjesë e BEsë, me përjashtim të Kroacisë, nuk e kanë merituar integrimin. Greqia u bë anëtare në 1981, vetëm 6 vjet pasi qe qeverisur nga një juntë ushtarake. E arsyeja e pranimit të saj ishte më shumë mbështetur mbi faktin që ishte e vetmja nga vendet ballkanike jo pjesë e bllokut komunist. Bullgaria e Rumania u bënë anëtare në vitin 2007 e sot janë vende me korrupsion më të lartë e të fundit për nga zhvillimi ndër vendet anëtare të BE-së. Arsyeja e pranimit ishte frika e një shtrirjeje të dominimit rus. Duke qenë se Rusia ishte në anën tjetër të Detit të Zi e në kufi me Rumaninë ndodhej Ukraina e Janukoviçit, e cila në atë kohë ishte një aleate e bindur e Putinit.

Fatkeqësisht apo fatmirësisht, për rastin e Shqipërisë nuk ka një rrezik për rritje të influencave ruse apo kineze. Pasi Rusia nuk është një aleate e Shqipërisë, ajo ndjek një vijë pro sllave. Kurse Kina ka shumë pak interesa në Shqipëri. Loja me Shengen ballkanike nuk pi ujë në Bruksel. Shqipëria nuk është i njëjti rast si Serbia, ku BE-ja i druhet se mund të nxisë destabilizim në Bosnje.

Por, si është në realitet gjendja në Shqipëri dhe a i meritojmë realisht ne negociatat?

Shqipëria është pa diskutim vendi i vetëm kandidat për në BE, ku zgjedhjet kryen me një parti dhe pa një garë reale. E megjithëse ishte një parti përballë një grupi partish format OJQ, përsëri niveli i votimit ishte i ngjashëm me atë të ndonjë nga Republikat e Afrikës Qendrore, ku nuk përputheshin votat me votuesit. Shqipëria nuk ka një sistem gjyqësor efikas. E ashtuquajtura Reformë në Drejtësi po ecën me hapat e një breshke. Deri më sot, asnjë i dënuar për korrupsion apo shpërdorim detyre nga zyrtarët e lartë. Me çështjen e ish-ministrit Tahiri u pa qartë që reforma nuk është akoma në gjendje të japë një vendim të pavarur ku vjen puna te peshat e rënda. Teoria se reforma do kapte peshkun e madh, për momentin është mjaftuar vetëm me leshterik. Papunësia është në nivele alarmante ose më saktë, emergjencë kombëtare. Tenderimet e punëve publike nuk përmbushin asnjë kriter nga ato që aplikohen nga vendet e BE-së. Liria e medias është përherë edhe më shumë në rënie. Pushteti i Kryeministrit është pothuajse absolut. Për të qenë të drejtë, kjo jo një atribut vetëm i Ramës, po një krijesë e errët e vitit 2008. Qeveria, aktualisht kontrollon Parlamentin në pothuajse 100%, po ashtu edhe pushtetin lokal, ka emëruar me votat e veta një Prokurore të Përkohshme, që me gjasa do bëhet e Përhershme e Përkohshme. E së fundmi, kërkon shkarkimin e Presidentit. Nuk ka Gjykatë të Lartë e as Kushtetuese, pra pa arbitër. Si pasojë e prishjes së urave të komunikimit me opozitën, kjo e fundit në një akt të paprecedent braktisi përfundimisht Parlamentin, duke sjellë një ngërç me pasoja për demokracinë. Duke lënë Parlamentin pa kuorumin e nevojshëm prej 140 deputetësh. E ndër të tjera ka një mal me probleme për sa u përket rasteve të lidhjes me persona nga bota e krimit, disa kryetarë bashkish, deputetë dhe zyrtarë të lartë. Pa harruar publikimet e një tabloidi gjerman me 3 milionë lexues si “Bild” e që sigurisht, nuk mund t’i kenë shpëtuar pa u lexuar ose së paku pa u informuar qoftë në Berlin, qoftë në Bruksel dhe Paris.

Me problemet që ka sot Europa, vështirë që performanca tepër e dobët e ekzekutivit shqiptar të marrë një PO edhe për vitin tjetër. Mbase në kohë të tjera, Europa mund ta mbyllte një sy e të na pranonte. Gjë të cilën e ka bërë disa herë, së fundmi me Rumaninë dhe Bullgarinë. Ngelet si e vetmja shpresë, një triumf i palës pro zgjerim në drejtimin e BE-së e që Shqipëria të bëjë një minimum të minimumit që t’i hapet drita jeshile. Njësoj si ai nxënësi që për të kaluar, profesori i kërkon t’i shkruajë vetëm emrin në fletën e provimit. Problemi i vetëm në këtë opsion, për momentin grupimet pro zgjerimit janë në rënie konstante.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura