“Pse imunizimi në 40% do ishte barrierë e mirë ndaj COVID-19”/ Akademiku Sulçebe, rrëfimi për zbulimet e “ngërçet” në mjekësinë shqiptare

Jul 15, 2020 | 15:54
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Pak ditë pasi Akademia e Shkencave i akordoi titullin si akademik (30 qershor), profesor Genc Sulçeben e gjejmë të përfshirë në rutinën e tij të punës.

genc Sulcebej imuniteti i tufes

Është mesditë, ndërsa ai rend drejt Laboratorit të Imunologjisë, pranë 6-katëshit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Përreth ndihet situata jo e zakontë e krijuar prej pandemisë së COVID-19. Njerëzit janë më pak të shkujdesur ndaj mundësisë për t’u infektuar, edhe pse jo të disiplinuar sa duhet. Në spital masat janë rreptësuar, ndërsa mjeku imunolog nuk e fsheh shqetësimin për situatën e krijuar prej pandemisë së COVID-19. Këto rrethana të jashtëzakonshme duket se kërkojnë edhe më shumë angazhimin e tij. Kohën e ndan mes aktivitetit pedagogjik (shef i Shërbimit Universitar të Imunologjisë, Fakulteti i Mjekësisë), pacientëve dhe kërkimit shkencor, por siç tregon, nuk has vështirësi në organizimin apo përballimin e të gjitha këtyre. “Aktiviteti shkencor më jep harmoni. Vështirësitë që krijojnë lodhje janë shpesh të papriturat, pengesat burokratike dhe administrative, qoftë edhe mungesa e lirisë së veprimit. Ndryshe nga ç’ndodh në vendet perëndimore, ne kemi një sistem burokratik të tillë, që pengon aktivitetin akademik të kërkuesit”, thotë për “Panoramën”.

I specializuar në Paris dhe me një punë kërkimore disavjeçare në Imunologji, në institucionet më prestigjioze franceze, (po ashtu edhe në Gjermani në vitet 1991-1993), kushtet në të cilat sot do të zhvillonte aktivitetin e tij shkencor mund të kishin qenë të tjera… “Do të ishte e thjeshtë, por kisha dëshirën që punën, dijet e mija t’i vija në shërbim të vendit tim. Kam arritur që të realizoj një pjesë të dëshirave të mia, por vështirësia është se si do të shkojnë në të ardhmen, se nuk kemi plane për zhvillimin e këtyre fushave në vendin tonë”, shton më tej.

Si biri i Hamdi Sulçebes (1907-1993), mjekut pediatër të konsideruar për aktivitetin e tij mjekësor e pedagogjik si “një nga rastet e rralla në botë”, ndoshta në kushte të tjera do të kishte dëshiruar që edhe dy fëmijët e tij të vishnin bluzat e bardha, por qorrsokakët burokratikë me të cilët ndeshet përditë e bëjnë të jetë i kënaqur me zgjedhjen e tyre për të qenë juristë. “Duke parë se si po evoluon profesioni i mjekut, them se kanë bërë një zgjedhje të mirë. Është një punë që ka pak liri veprimi dhe duhet të sakrifikosh shumë në raport me profesionet e tjera”. Ndonëse “nuk ka kohë për pendime”, siç rrëfen, momentet e vështira nuk kanë munguar. Sëmundjet e rënda nuk bëjnë përjashtime as për bluzat e bardha dhe Sulçebe e ka provuar dhimbjen e humbjes fizike të njeriut të dashur në lëkurë. Vitin që lamë pas, bashkëshortja e tij, dr. Narina Sulçebe, u nda nga jeta nga një sëmundje e rëndë. Ajo ishte e para mjeke që vendosi diagnozën e çrregullimeve vestibulare dhe ngriti Shërbimin e Vestibulometrisë në vend. “Janë ngjarje që lënë gjurmë të thella. Për mjekun është shumë i vështirë përballimi, sidomos kur problemi është në rangun personal, pasi e njeh mirë sëmundjen dhe problemet që shfaqen pas çdo shenje…”

Siç shprehet, për të dhe kolegët, pacienti në çdo rast përbën prioritet. “Ndaj dhe mjekët janë sot menaxherët më të mirë të sistemit shëndetësor, sepse prevalon ana profesionale”, shton më tej. E ardhmja e mjekësisë dhe kërkimit shkencor në Shqipëri, vendosur në rrethanat e mungesave të resurseve bazë, bëhet shqetësuese për të, ndaj ai i bie kambanës së alarmit që politika të marrë masat e duhura.

“U bëj thirrje të gjithë atyre që janë politikëbërës që të punojnë më shumë për të zhvilluar punën kërkimore shkencore në fushën e teknologjisë mjekësore, shkencore edhe më gjerë. Këto kanë vlerë jo vetëm për të ardhmen. Nëse do kishim disa laboratorë të gatshëm për të aplikuar teste të gatshëm për COVID-19, situata do të ishte shumë më ndryshe. Do të kishim mundësi që të njihnim shumë më mirë virusin që qarkullon tani në Shqipëri. Por kjo duhet edhe për të ardhmen, sepse sfida e COVID-19 është tranzitore e do të ezaurohet me vaksinën. Të tjerat janë sfida të mëdha, që kërkojnë edhe mobilizim të të rinjve. Duhet të krijohen politika afatgjata, që të mbahen të rinjtë në qendra kërkimore. Të mbështeten të rinjtë për t’i mbajtur në vend, sepse kërkesa për tru të kualifikuar është në të gjithë botën. Nëse s’i mbajmë këtu, ne s’do të jemi gjë tjetër veçse furnizues të lëndës së parë njerëzore”, thotë më tej

Profesor Sulçebe, para pak ditësh Akademia e Shkencave ju akordoi titullin ‘Akademik’, sa ju stimulon apo ngarkon me përgjegjësi një vlerësim i tillë?

Ju e thatë drejt. Në radhë të parë, është një vlerësim që Akademia e Shkencave i bën aktivitetit tim shkencor në këto 35 vitet e fundit. Pastaj, sigurisht, që nuk është vetëm një titull honorifik, por njëkohësisht edhe përgjegjësi. Kjo, pasi duhet të zhvilloj në një nivel më të lartë aktivitetet e mia shkencore dhe njëherazi të mbështes zhvillimin e shkencës në Shqipëri. Në radhë të parë, sa i përket mjekësisë shqiptare, në fushën e Imunologjisë e fusha të tjera të bio-mjekësisë, që sot janë shumë të rëndësishme.

Krahas këtij titulli, nuk kanë munguar vlerësimet kombëtare dhe ndërkombëtare në karrierën tuaj. Në 2018-ën jeni vlerësuar edhe me dekoratën “Kalorës i Urdhrit Kombëtar të Legjionit të Nderit” nga Presidenti francez. Mirëpo, sa jeni mbështetur realisht në vendin tuaj si shkencëtar në punët tuaja kërkimore?

I jam mirënjohës Francës që më nderoi me këtë titull, dhënë nga Presidenti francez, është një vlerësim i veçantë. Unë kam bërë specializimin doktoral në këtë vend, por i kam ruajtur lidhjet edhe më pas. Ata e vlerësuan punën time shkencore që është kryer në Francë, por edhe në 35 vitet që unë jam kthyer. Sa i përket Shqipërisë, për ne ka rëndësi mbështetja që na ofrohet në bazë materiale, njerëz dhe liri veprimi, për të realizuar ato punë kërkimore që ka nevojë vendi. Unë jam përpjekur që në kushtet tona të punoj, por vështirësitë kanë qenë shumë të mëdha. Kjo, sepse puna kërkimore në fushën e mjekësisë ka qenë e mbështetur në të dhënat klinike, pasi nuk ka pasur fonde për të bërë punë të mirëfilltë bazike. Bashkë me kolegët e mjekësisë, kemi mundur të fusim ekzaminime të reja dhe të larta për pacientët dhe kemi shfrytëzuar teknologjinë e ofruar për të gjitha këto, por kjo nuk është e mjaftueshme. Duhet mbështetje për të bërë punë kërkimore më të thellë, nga universiteti tek instancat e tjera. Kam aplikuar në mënyrë të vazhdueshme dhe kam marrë projekte nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, edhe në kuadër të Paktit për Universitetin, por nuk mjafton vetëm të fitosh projekte. Realizimi i tyre kërkon një impenjim të vazhdueshëm të forcave njerëzore, që nuk ka qenë e mjaftueshme. Ne kemi aktualisht mjaft projekte për të realizuar, por pengohemi për t’i realizuar nga procesi i koncesionit. Në këto rrethana, i gjithë personeli duhet të jetë në varësi të koncesionarit. Po ashtu, ne nuk kemi asnjë mbështetje të jashtme, sepse duhet që të inkorporohemi në punën e koncesionarit të përgjithshëm dhe jo në punën kërkimore. Pra, në këtë aspekt, puna në QSUT, konkretisht në Laboratorin e Imunologjisë ku unë punoj, realizimi i këtyre projekteve është bërë shumë i vështirë. Pra, mungon planifikimi afatgjatë institucional, sidomos në fusha që nuk kanë lidhje direkt me pacientët e sëmurë. Këtu përfshihen fushat e kërkimit, laboratorët e imunologjisë, mikrobiologjisë, sëmundjeve patologjike apo të Ggjenetikës. Duhet kuptuar se krahas shërbimeve që kanë lidhje direkt me të sëmurët, edhe shërbimet kërkimore janë të domosdoshme, pasi diagnoza për çdo sëmundje, mbi 60 për qind mbështetet te të dhënat dhe studimet laboratorike. Por nuk mjafton kjo. Çdo vit dalin ekzaminime të reja edhe për të sëmurët. Pra, duhen kërkime për të zbatuar këto kërkime në fushën tonë.

Sa i përket punës suaj shkencore, kolegët tuaj akademikë vënë theksin, ndër të tjera, mbi dy momente të veçanta: studimin e lidhjeve gjenetike midis popullatave shqiptare në Shqipëri e Kosovë (si dhe ato europiane) dhe sofistikimin e metodave laboratorike për realizimin e transplantove në vendin tonë… Mund të na thoni diçka më tepër rreth këtyre arritjeve?

Është një nga pikat, ku fokusohet edhe puna ime në këto 20 vitet e fundit. Patëm fatin, që përmes një projekti INTERACT të BE-së, të gjenim mbështetje, për të zhvilluar laboratorin e transplantit edhe në vendin tonë. Ne arritëm që të realizonim ekzaminimet e domosdoshme për bërjen e transplantit, siç janë ekzaminimet e biologjisë molekulare (bëhen për të parë gjenet e përgjigjes imunitare, të domosdoshme që të tipizohen te dhuruesit edhe marrësit e transplantëve. Si dhe për të bërë provën e përshtatshmërisë së kryqëzuar ndaj dhuruesit edhe marrësit). Arritëm, që bashkë me stafin e laboratorit tim, të bëjmë një punë të konsiderueshme me mbështetjen që morëm. Praktikisht, ne aktualisht bëjmë të gjithë ekzaminimet për të realizuar me sukses trasplantet dhe jemi e vetmja qendër që realizojmë këto ekzaminime.

Mirëpo, meqenëse ne bëmë tipizimin e pajtueshmërisë indore në popullatën shqiptare në Shqipëri, këto të dhëna (gjenet), i krahasuam me popullatën në Kosovë, por edhe Ballkan e më gjerë në Europë. Një studim, i kryer për herë të parë në laboratorët tanë, vë në dukje se nga ana gjenetike popullata shqiptare në Shqipëri dhe ajo në Kosovë janë gjenetikisht identike, nuk kanë ndryshime. Vumë re gjithashtu një fakt tjetër, që më vonë u vërtetua edhe nga kolegë të tjerë maqedonas: Popullata shqiptare, sa i përket ngjashmërisë gjenetike, është shumë e afërt me popullatën greke, maqedonase dhe atë bullgare. Ndërkohë që kjo ngjashmëri, është më e largët me popullatat në pjesën më veriore të Ballkanit, siç janë popullatat kroate, serbe, rumune dhe boshnjake. Ndërsa, me popullatat europiane janë më larg. Lidhur me këtë studim është interesant fakti se popullata shqiptare në Kosovë, është më afër me popullatën greke sesa me atë serbe, për sa i përket ngjashmërisë gjenetike. Natyrisht që rezultatet e këtij studimi kërkojnë një diskutim edhe më të thellë, krahasuar edhe me studime të tjera gjenetike, që janë bërë paralelisht. Mirëpo, kjo tregon se ne shqiptarët në trojet tona, ashtu siç edhe grekët, jemi shumë të vjetër. Tregon lashtësinë e këtyre popullatave në trojet përkatëse. Siç janë edhe ato maqedonase dhe bullgare në trojet e tyre, pavarësisht shtresëzimeve kulturore. Pra, popullata iliro-pellazge ka qenë në këto troje prej një kohe shumë të gjatë (sikundër ndodh për popullësinë helene). Ndërkohë, popullatat e tjera, siç janë ato sllave, kanë ardhur më vonë. Diçka e tullë vërtetohet me anë të këtyre testeve, por e kanë konfirmuar edhe autorë të tjerë.

Sa i përket qasjes suaj me Akademinë e Shkencave, së fundmi keni bashkëpunuar edhe në kuadër të pandemisë COVID-19…

Me Akademinë në përgjithësi, por edhe me kolegë të veçantë të Akademisë, ne kemi pasur gjithmonë bashkëpunime për sa u përket temave të ndryshme kërkimore, pjesëmarrjes në konferenca simpoziume etj. Ky bashkëpunim është forcuar veçanërisht muajt e fundit, me rastin e pandemisë së COVID-19, meqenëse ndër aspekte të rëndësishme të këtij infeksioni është edhe imunologjia. Ne u përfshimë në aktivitete shkencore më intensive, jo vetëm në shkëmbimin e eksperiencave shkencore dhe në marrjen e të dhënave të fundit të literaturës shkencore lidhur me COVID-in (e cila muajt e fundit ka pasur një lulëzim të theksuar, si asnjëherë në historinë e shkencës), por edhe implementimin e saj edhe në vendin tonë. Bazuar në eksperiencat tona të mëparshme dhe punët kërkimore, me rastin e pandemisë një nga projektet që ne propozuam dhe që u aprovua nga Akademia e Shkencave ishte pikërisht studimi i prevalencës (i shpeshtësisë) së antitrupave ndaj SARS-CoV-2 në Shqipëri. Ideja ishte që të kishim një informacion paraprak sa i përket gjendjes së imunitetit ndaj këtij infeksioni aktualisht në Shqipëri. Kjo, duke shqyrtuar popullatën e rastësishme të qytetit të Tiranës, e cila ishte indikator, për të ndjekur më pas se si shkon ky imunizim i popullatës. Në rastin e mungesës së vaksinës, imunizimi natyral i popullatës ka një rëndësi të veçantë. Pra, arritja e 60 përqindëshit të popullatës me imunitet natyral ndaj këtij virusi do të shënonte njëkohësisht edhe ndalimin e epidemisë. Madje, sipas të dhënave të fundit shkencore, edhe nëse arrihet që 40 për qind e popullatës të jetë e imunizuar, do të ishte një barrierë e mirë për mospërhapjen e mëtejshme të virusit. Për këtë arsye, monitorimi, ndjekja e këtij pozitiviteti të popullatës në antitrupa ndaj SARS-CoV-2 është me kaq rëndësi.

Në kuadër të kësaj pune, ne bëmë një studim pilot te dhuruesit e gjakut të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. U gjet se në 128 dhurues, njëri doli pozitiv, çka tregon se niveli i niveli i imunizimit ndaj Sars-Cov-2, së paku për dhuruesit e gjakut, është i ulët. Por një përfundim i tillë mund të gjeneralizohet, sepse dhuruesit e gjakut konsiderohen si një kampion i vlefshëm i popullatës së shëndoshë të një vendi të caktuar. Pra, mund të themi se, aktualisht, në Shqipëri niveli i imunizimit ndaj Sars-CoV-2 është shumë i ulët.

Cilat janë shkaqet kryesore të konstatuara për imunizimin e ulët të popullatës shqiptare ndaj COVID-19?

Një rezultat i tillë është i kuptueshëm edhe prej bllokimit shumë të theksuar që iu bë aktiviteteve dhe lëvizjeve të njerëzve. Më tej, me rifillimin e aktivitetit normal, gjatë gjysmës së dytë të majit, kemi një rishfaqje të virusit, si pasojë e lëvizjes shumë më të theksuar të individëve. Ndaj, në këtë periudhë ne jemi duke shqyrtuar edhe një popullatë më të madhe në Tiranë, duke u studiuar seroprevalenca e antitrupave ndaj COVID-19. Rezultatet do t’i shikojmë për 2-3 javë. Ky studim mund të shërbejë si bazë për të monitoruar për 2-3 muaj përqindjen e seropozitivitetit me shpresën se mund të arrihet një imunizim sa më i madh i popullatës, që të pengojë përhapjen e mëtejshme të virusit. Një fakt të tillë ne po e vërejmë në disa vende të Europës Perëndimore, në të cilat nuk u vendos një bllokim shumë i madh i popullatës. Në këto vende pati një lëvizshmëri më të madhe të njerëzve dhe si rrjedhojë edhe virusi ka dhënë më tepër imunitet në popullatë, që shkon nga 5 deri në 10 për qind të popullsisë totale.

Në aspektin individual, sipas të dhënave dhe studimeve tuaja, sa i sigurt është imunizimi, mbrojtja ndaj COVID-19?

Flasim për një monitorim që duhet bërë çdo 2-3 muaj dhe që ka vlerë jo vetëm në politikat e përgjithshme që po vendosen, por edhe për çdo individ. Sepse çdo njeri nëse është i imunizuar, probabiliteti që ai të jetë i mbrojtur për një afat të gjatë është shumë i madh, edhe pse ende mund të themi absolut. Akoma nuk mund të themi që mbas kalimit të këtij infeksioni ne kemi imunitet të sigurt, sepse ka 6 muaj që ka filluar ky infeksion dhe ne ende s’kemi prova të sigurta. Por, për analogji me koronaviruset e tjerë, imuniteti duhet të vazhdojë të paktën një vit (edhe pse thuhet se mund të shkojë deri edhe në 6 vjet). Pra, përpos aspektit të përgjithshëm, është shumë e rëndësishme që seroprevalenca të shihet edhe në aspektin individual për të parë se si e kemi në gjendjen imunitare ndaj këtij infeksioni.

Profesor, për avancimin e punës kërkimore, krahas nevojave të tjera, janë të domosdoshëm laboratorët kërkimorë, resurse të tjera sa i përket bazës materiale e financiare, por edhe resurse njerëzore, me kërkues të vjetër dhe të rinj. Si paraqitet situata në këtë aspekt?

Kjo është një pyetje mjaft e rëndësishme dhe sensitive, pasi në vendin tonë kemi mungesa të theksuara në laboratorë kërkimore, në punën e lirë kërkimore krijuese, e cila po duket gjithmonë e më pak… Diçka e tillë u vu re sidomos me rastin e pandemisë së COVID-19. Vendet që kishin një sistem kërkimor shumë të zhvilluar, me laboratorë kërkimorë të avancuar, si Gjermania, Kina, Shtetet e Bashkuara apo Anglia, patën një përgjigje shumë të shpejtë teknologjike ndaj këtij infeksioni. Në këto vende u bë e mundur që të bëheshin studime dhe teste diagnostike të shpejta, duke shënuar një punë shumë të mirë kërkimi dhe punimi shkencor në këtë fushë. Sa i përket këtij aspekti, në vendin tonë ka nevojë për një reformim, për këtë ka këmbëngulur edhe Akademia e Shkencave. Madje, së fundmi është krijuar një rrjet laboratorësh bioteknologjikë në fushën e mjekësisë dhe në fusha të tjera të gjenetikës, imunologjisë etj. Një rrjet i tillë zakonisht vendoset në universitete, por duke qenë se universitetet kanë mangësi mbështetjeje, paraqitet me interes që këto laboratorë të kenë një varësi të trefishtë (ose një liri në tri hapësira): 1) Hapësira universitare, e cila ndihmon në punë kërkimore edhe me projekte të ndryshme; 2) Hapësira institucionale e dikasterit vartës, për shembull vartësia apo lidhja me Ministrinë e Shëndetësisë për laboratorët që punojnë në fushën e mjekësisë është shumë e rëndësishme. 3) Hapësira e Akademisë së Shkencave, që është shumë e rëndësishme, pasi shërben si katalizator për të realizuar projekte të ndryshme. Pra, duhet të krijohen mundësi për fonde, projekte dhe burime njerëzore, si nga universiteti, institucioni përkatës, edhe nga Akademia. Duhet që në këto hapësira të ketë liri veprimi, por edhe koordinim. Ne nuk kemi as mundësi financiare e as njerëzore për të pasur laboratorë të veçantë në secilën prej tyre, ndaj është më e arsyeshme që të kemi laboratorë të tillë, që të mbështeten nga këto 3 institucione të rëndësishme (MSH, ASH, UM). Përmes një protokolli bashkëpunues, mund të jepet mbështetja njerëzore dhe me projekte, që në këto laboratorë të integrohen njerëz që bëjnë punë shkencore, për të përballuar jo vetëm këto situatat epidemike, por edhe probleme të mëdha të shëndetit. Është e vërtetë se ne kemi një problem të madh me COVID19, që për një kohë të shkurtër kemi shumë humbje jete, por kemi më shumë sëmundje të tjera problematike, siç janë ato tumorale, kardiovaskulare, diabeti, obeziteti etj. Ndaj, laboratorët duhet të forcohen në këto tri hapësira, por duke pasur autonomi aktiviteti dhe duke u lënë mundësia për të marrë fonde dhe mbështetje, qoftë me projekte, qoftë nga dikasteri përkatës. Një ide e tillë është ngritur në Akademi dhe për këtë duhet të kërkojmë mbështetje institucionale, në mënyrë që të kemi një ngritje sa më të mirë të punës kërkimore tonën, por edhe mobilizim për të rinjtë. Është një mundësi e artë për t’i mobilizuar apo “stërvitur” të rinjtë brenda vendit. Por kjo ide kërkon mbështetje edhe përmes projekteve./ Panorama.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura