Pse i the që të thashë? Tralala me bishta prasi

Sep 24, 2012 | 14:11
SHPËRNDAJE

Sa na këpusin shpirtin kot me këto të bërtiturat: “Po afrohet X factor… bëni si të bëni merrni frymë dhe këto ditë’; “Juria këtë herë dilematike…por ne do bëjmë çmos”; “Fillon gjiganti… i papari i paarriri”, Klani do kish bërë mirë të na linte të shihnim edhe ca atë tralalan a lalalan ç’e kish! Jo se la njeri mendjen pas tij jo, po të ngacmohej pa sforco e qeshura. Këngëtaret a prezantueset në tentativë për t’u dukur seksi, me tylëra me lëkurçe, xixa, teminëra e ç’t’u gjendej. Por kjo është pjesa më e mirë. Se tek e fundit, në kohën kur janë xhiruar pamjet, ashtu ishim të gjithë, sajohu këtu, sajohu atje. Problemi që ngrihet është më delikat se kaq :P Asnjë nga hundët, buzët, cicat (nuk vlen të përmendim flokë e kështu gjërash tani) mollëzat, nuk janë ato aktualet. Jo, njerëzit që shfaqeshin atëherë dhe ata që shfaqen tani në ekran janë po ata, vetëm se kanë ndryshuar veglat e punës. Si fillim njëherë, u çuditëm që na nxorën edhe Ajola Xoxën në versionin prezantuese. Askush s’e mbante mend që edhe kjo paskërkësh pasur aq talent, sa kish tërhequr vëmendjen e Grabockës. Pastaj çoç do ketë ndodhur, Ajolës s’do i ketë pëlqyer pazari, dhe ka vendosur të bëhet vajzë mësonjëse e të largohet nga Tirana për studime. Se e gjithë kjo mesele paska ndodhur më parë. Ndoshta, i bie e njëjta kohë kur do jetë shfaqur Alketa Vejsiu, se kush i mban mend tani. Seç ka qenë në radio pastaj prapë aty, është gjendur regjisorja, për ta bërë bashkëpunëtore për jetë e mot. Se edhe Alketës i eci pastaj. Nejse, se ky është muhabet tjetër që s’rrëfehet, po Alketa duhet thënë se i ka bërë vetes jo pak “ndere”. Kthehu, rrotullohu e shkundu, duke kërcyer në ballore e profil por jo, është e pamundur të gjendet ndonjë shenjë prej vajzërisë së saj. Të gjitha relievet janë skalitur… Një tjetër emër që duket ca si në tranzicion këto kohë, është Ami, që zinte gjysmën e transmetimeve të lalalalas. Thua të ketë ndonjë plan Vera?! Booo, nga ta dimë?! Ami ashtu si e hutuar, si e harruar si biçim balerine si biçim këngëtareje jo se merret vesh mirë, po të paktën sikur ngjan me atë që është sot. Nga ato që herë kanë lidhje me aktualitetin e herë jo (si tha ai, herë më bëhej si burrë, e herë si grua) me Rovena Dilo, Aurela Gaçe, Mariza, pastaj këto të voglat, Çiljetra, Zajminra nga këto. Ah se mos harroj, te Rudina Magjstari, vitet sikur nuk kanë punuar. Përveç veshjes, është OK në shtrirjen kohore! E që mos t’jua zgjasim… Ca nga këto grari (ka dhe të tjera plot që s’përmendëm ne ëëë, po ju e keni parë vetë, ç’t’ju themi) paskëshin marrë flakë e ishin bërë dhe se pse i nxirrnin në atë gjendje në televizor. Ç ’ishin ato pamje monstruoze, ç ’ishin ato buzë, ajo hundë! Skandal! Si mund të jetë njeriu ashtu njëherë! Ishin çjerrë te programacioni që thoni ju, po çe do, pasi kishin kaluar ca pjesë. A thua se po të mos i shfaqnin ata, ne kemi harruar se si kanë qenë këto sharmantet që ju ngeli sharmi në gojë ju ngeli. Jo për gjë po dëgjojnë edhe këto të rejat, e ja sharmi, klasi…(e ca të tjera si nga këto llafet) e marrin për kot. Tani ç’ishte për të bërë u bë, mos u mërzisni se njerëzit nuk e kanë aq afatshkurtër kujtesën, vetëm se duhen ca ngacmime të jashtme për t’jua aktivizuar. O i hyni arkivit e fshini ç’të gjeni, mbani vetëm veten e sotshme, o mos bëni dërr-dërr kot. Por mos harroni: pas 10 vitesh, përsëri nuk do jeni kjo që dukeni sot!
[portfolio_slideshow]
ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura