Pse i the që të thashë? Si ta shtyj në punë amani?

Sep 10, 2012 | 13:24
SHPËRNDAJE

Si fillim kam një merak të madh të di kuptimin e asaj reklamës ku del Jonida Vokshi se nga se, s’e kuptoj, dhe shikon nga kamera!!! Në fillim, kur e hasja duke ndërruar kanalet, s’e kuptoja. Kujtoja se e ktheja gjithnjë në momentin e gabuar, kur o kishte kaluar fillimi, o ishte drejt fundit. Vendosa mos ta lëviz derisa të jepej disa herë e të kuptoja se ç’ngjiste. Çfarë donte të thoshte Jonida me atë lëvizjen buzë uji, që s’del as nga uji, as hyn, vetëm i vjen përqark shkëmbit?! Asnjë pjesë nuk kisha humbur, e pashë disa herë me radhë. Jo, kurrgjë! Po me siguri është faji im. Kush e ka kuptuar, të na sqarojë…. Iku shqetësimi i parë se më gërryente prej kaq kohësh, po kisha harruar t’jua them. Tani kam një mundim tjetër që më bluan. Me një të njohur, që punon prej vitesh në administratën shtetërore (një biçim ministrie), seç na pleksi një ditë bashkë e më kërkoi një libër për të lexuar. Pasi më bëri të ditur preferencat, i dhashë librin e me atë timen as e prisja më mbrapsht, siç janë këto punë… kur s’kalojnë as dy ditë, më merr prapë. “Rrofsh për atë librin! Po s’e pate bezdi të më gjesh një tjetër, por vetëm shiko, po deshe, kije parasysh që të jetë ca më voluminoz”. (Ua!!!) Po kjo, ku e gjen kohën të zhytet në lexim gjithë ditën, xhanëm?! Fëmijët nuk se i ka aq të rritur, kanë ende nevojë që e ëma t’u qëndrojë mbi kokë! Po punë e saj, mbase ashtu është gjendur bosh ato dy ditë e ka pas kohë për literatura. E lashë në harresë kërkesën e radhës me shpresën që as ajo s’do të kujtohej më, o së paku s’do më thoshte më se do t’i vinte një çikë si zor. Jo mi, pse?!
Mori prapë.
– Aman, atë librin, po deshe, se nuk di si ta shtyj, trashem gjithë ditën.
– Po pse, nuk je më në punë?
– Po në punë praaa, se mos të isha në punë e gjeja unë si ta mbushja kohën, po aty si i bëhet hallit? Imagjino, të shkosh që në tetë, se na shohin dhe me dylbi tani. Ja pive një kafe, ja e hëngre dhe ndonjë byrek. Po pastaj? Deri në katër që fillojmë bëjmë gati plaçkat, nuk shtyhet. Edhe atë librin ndaj e mbarova aq shpejt, gjithë ditën këtu. Na lodhën dhe llafet lart e poshtë, zyrë më zyrë, s’lamë njeri pa marrë nëpër gojë, tani sikur jam në një fazë tjetër, dua të lexoj.
Ja, kështu e kishte hallin ajo, që thatë ju. Nuk ishte në fazën e pagjumësisë gjatë natës, nuk ngelej vetëm pasdite në shtëpi dhe s’i dilej, kishte një problem më të madh: nuk kishte si ta mbushte kohën në punë! Dhe ky, që të jemi të sinqertë, jo se është hall i vogël dhe as afatshkurtër, të paktën këto vite nuk ka qëlluar të jetë i tillë, nusja kish tetë vjet që i ziente koka. Po meqë këto kohë ishte në muzë për aktivitet të tjetër lloji, natyrisht që si zgjidhje kishte vetëm bibliotekën, vetëm abonimi në të mund ta shpëtonte. Ia propozova dhe u ndje më e qetë, u çlirua. Edhe unë!
Aaa, se mos harroj edhe një gjë. Na ishte mërzitur Bleona me nja dy llafe këtu. Ia fut kot, ne muhabet bëjmë! Ti ke qejfin tënd… ta thotë dhe kënga “Kam qejfin tim”, që në versionin anglisht, sipas faqes zyrtare të saj, bën “I Run My Own Game”.
Ose, se e kam fiksim dhe këtë dhe e mbylla, “Ti nuk di as me ma lyp”, që, po referuar faqes, bën “You weren’t Man Enough for Me”.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura