Pse i the që të thashë? Me zellin e zëdhënëses së Presidentit!

Sep 17, 2012 | 14:51
SHPËRNDAJE

Ej, po paskeni qenë tutkuna fare! Po si s’ngeli më numër pa marrë për të pyetur kush ishte ajo tipja e administratës shtetërore që rrinte bënte gjithë ditën llogje nëpër zyra e s’kishte si ta mbushte kohën?! Po pse mo një është ajo? Ato/a ashtu janë të gjithë. Madje, për ta paraqitur situatën pak më të zbutur, u mora me literaturën, se ka të tjera në gjendje edhe më të rëndë. E kthejnë me raki gjithë ditën. Tani janë në sezon të mirë se del rakia e re, rrushërat sapo janë vjelë dhe lëngu i bardhë është taze. Se nga mesi i dimrit bën vaki hapen edhe meselera të tjera, ku të gjejmë ndonjë gjyskilësh! Por amaaaa, duhet thënë që kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Nuk është mirë t’i fusim të gjitha/ë në një thes, ka edhe të zellshëm sa të duash. Jo vetëm që punojnë gjithë ditën, po aq përfshihen në të, sa harrojnë, e vazhdojnë të punojnë edhe gjatë natës. Simptoma të tilla makabre (që shyqyr Zotit nuk janë ngjitëse!), siç duket, paskërkëshin zënë zëdhënësen e re të Presidencës, Irma Toptanin. O sepse e ka këtë punë sefte e mbase e ka marrë me sevda, o se ashtu është vërtet, nuk e dimë, por ama dimë që Irma na qenkërkësh shumë e devotshme. Në më shumë se dy-tri raste, gjatë udhëtimeve të punës jashtë Tirane është hutuar krejt. Nga entuziazmi nuk përmbahet fareee… Sipas të pranishmëve (ok, dakord ata nuk e mohojnë që u pëlqen të merren ca me llafe), befas, teksa i gjithë grupi i punës është duke zhvilluar një bisedë me temë të lirë, Irma çohet e thotë se duhet të largohet për të shkuar në zyrë. Të gjithë ngelen pa fjalë… suspansë… Irma largohet. Pak çaste më vonë, Irma kthehet…
Kur i është afruar ashensorit, ka kuptuar që nuk ndodhet në katin e 5-të të Presidencës, por në atë të një hoteli. Aty përmendet, dhe në vend që të kthehet në dhomë e të mos e nxjerrë më kokën për atë natë, kthehet sërish në vendngjarje e shpjegohet për fluturimet e mendjes. I duket gjithnjë sikur duhet të shkojë në zyrë, sikur ka shumë punë, kudo që të jetë. Nuk dimë fare si e ka të organizuar ditën e punës zëdhënësja për shtyp e Presidentit, por edhe që të ketë kaq fluks sa ta humbasë krejt, sikur është çik vështirë ta besojmë. Duke qenë tjetra mirë e bukur në hotel, t’i shkrepet për të shkuar në zyrë!!! Po kur është në zyrë, a kthehet në shtëpi vallë? Mister… po nëse këtë nuk e mësojmë dot, duhet të paktën të dimë se çfarë bënte ambulanca te mbrëmja e 15-vjetrit të Fevzos! Apo s’e pa njeri? Se kaluam degë më degë tani… po si s’e patë mo?! Ajo kaloi mu aty, përpara këmbëve, e re fringo, shkëlqente… të kenë marrë masa deri në këtë pikë vallë? Xhanëm s’i dihet, gjithë ajo ngrehje, mund ta linte ndonjërën nga parakalueset pa frymë. Shtrëngime sytjeni, këpuce, pra shtrëngime të ndryshme… le që, se mos i lanë për aty ato punë ata!

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura