Pse fjala e qytetarëve është ligj, mision dhe urdhër për veprim!

Nov 14, 2022 | 15:24
SHPËRNDAJE

Ilir Meta protesta1NGA ILIR META

Në himnim tonë nuk ekziston fjala dorëzim por ekziston fjala tradhëtor ‘nga lufta veç ai largohet që është lindur tradhëtor’.

Sot tradhëtori e ndjek këtë miting të fitores, të triumfit të lirisë, të demokracisë, të shqiptarizmit nga çarteri luksoz dhe i paligjshëm dhe shumë shpejt do të jetë përpara drejtësisë, sipas ligjeve të tij, sipas firmave të hedhura nga vetë ai.

Sepse jeni ju që e mbani këtë vend në këmbë me mundin me djersën dhe me sakrificat tuaja.  Jeni ju që keni të drejtë t’i kërkoni llogari deri në një Qeverisë dhe çdo zyre në këtë shtet për gjithçka.

Jeni ju që e mbani Qeverinë dhe shtetin me taksat që paguani.  Jeni ju që keni të drejtën ta shporrni Qeverinë kur drejtuesit e saj grabisin, vjedhin dhe shesin Atdheun siç bën Rama dhe “Rilindja”.

“Rilindja” që ka vetëm një axhendë:

“Vidh – Shpopullo – Shkombëtarizo!”

“Rilindja” në 10 vite bëri të kundërtën e premtimeve që erdhi në pushtet.

Premtoi qeverisje me duar të pastra dhe transparente dhe sot jemi jo  vetëm vendi i parë në Europë, por ndër të parët në botë për korrupsion dhe i dyti në botë për ryshfet pas Ziambas. Shtëpia e tyre nuk është Shqipëria, por janë offshoret ku kanë fshehur lekët tuaja dhe të gjithë shqiptarëve, nën emrin e tyre dhe të miqve të tyre.

Premtoi 300 mijë vende të reja pune, por dëboi dhe përzuri mbi 740 mijë shqiptarë.

Sot Shqipëria ka numrin më të madh të të burgosurve në vend dhe jashtë vendit. Po kështu, Tirana është kryeqyteti i parë në botë, për numrin e gjobave që u vihen qytetarëve.

Premtoi luftë kundër varfërisë, por sot mbi 67% e popullisë jeton me të ardhura më pak se 5.5 dollarë në ditë.  Për të varfërit “Rilindja” ka vetëm dy alternativa: ose nënshtrimin, ose dëbimin.

Drejtësia e “Rilindjes” dënon me burg qytetarët që nuk kanë mundësi të paguajnë me pensionet e tyre energjinë, por nuk vepron ndaj drejtorëve të saj që vjedhin miliarda duke e shitur energjinë që prodhohet falas këtu shumë herë më lirë dhe duke e importuar shumë herë më shtrenjtë.

Drejtësia e “Rilindjes” arreston 82-vjeçaren në fshatin e Vlorës për një kotec pa leje, por garanton amnisti për katet dhe pallatet pa leje në mes të Tiranës. Legalizimin falas që premtoi para se të vinte në pushtet, e bëri vetëm për më të pasurit dhe më të fortët.

Për më të dobëtit zgjodhi ruspat për t’u shembur shtëpitë dhe nuk ua kurseu as gazin helmues nënave me foshnje për t’i nxjerrë dhunshëm në rrugë të madhe.  “Rilindja” premtoi luftë kundër drogës, por sot “bananet” e drogës janë importi më i madh në Shqipëri dhe po përmbytin dhe Europën.

“Rilindja” premtoi luftë ndaj pastrimit të parave dhe e futi Shqipërinë në listën e zezë të pastrimit të parave dhe kërkon të bëjë “amnisti fiskale” për të pastruar lekët e saj. Premtoi të pastronte qytetet, por u zhyt në babëzinë e aferës së inceneratorëve, që gllabëron 450 milionë euro taksapaguesve të Tiranës dhe Shqipërisë.

Premtoi të “rilindte” trashëgiminë kulturore, por shembi në pabesi në mes të natës dhe të pandemisë Teatrin Kombëtar, dhe po i rrëmben dhe shkatërron të gjitha pasuritë e çmuara të trashëgimisë kulturore. Ai  premtoi se do të jetë kampion i fjalës së lirë, por sot është armiku më i madh i fjalës së lirë dhe medias së pavarur në Europë.

Arsimi është pasqyra e vërtetë asgjësuese, për të kuptuar se sa shumë e urren “Rilindja” dijen dhe kulturën. Sepse ai ka alergji nga dija dhe njerëzit e ditur nga intelektualët, nga mendimi i tyre lirë dhe kritik.

Sepse vetëm një shpirtzi nuk ka dhembshuri kur sheh fëmijë 5-6 vjeç të protestojnë me lot në sy poshtë zyrës së tij, me një kërkesë: Na hapni kopshtin! Kur shikon 15-16 vjeçare që kanë vetëm një kërkesë: Na hapni shkollën! Jemi këtu për t’i dhënë fund dramave familjare ku prindërit  ulin sytë përpara fëmijëve sepse nuk u plotësojnë dot as kërkesat për lodra, për libra, për veshje dhe për ushqim.

Kur prindërit ulin sytë para fëmijëve se nuk u shpjegojnë dot pse u mbyll kopshti apo shkolla e tyre.

Jemi këtu për të kërkuar llogari deri në fund dhe ai do të japë llogari deri në një sepse ndërsa pensionistët marrin thërrime, Edi Ramës vetëm udhëtimet me chartera i vlejnë dhjetra milionë euro.

Nëse paga vjetore sipas statistikave të Bashkimit Europian e mësuesit në Malin e Zi pra të mësuesve matanë Bunës është 9900 Euro në vit, paga e mësuesit këtej Bunës në Shqipëri është vetëm 4200 euro.

Përse pedagogët në Kosovë paguhen 50% më shumë se në Shqipëri?

Përse Kosova jep qindra euro në muaj ndihmë për pensionistët ndërsa Shqipëria vetëm 1 mijë lekë të reja. Përse Kosova jep 100 euro për çdo student ndërsa Shqipëria nuk jep asgjë kur vetëm qiratë e banesave në Tiranë janë rritur në një vit 30-40%.

Sepse në Kosovë, bëhen hapa përpara në rrugën e demokracisë në rrugën e zbatimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, ndërsa Shqipëria jo vetëm në Ballkan por dhe në Europë është ndër vendet e fundit në botë për zbatimin e ligjit.  Përse ikën një qytetar nga Serbia për 1 mijë banorë, ndërsa ikin 12 nga Shqipëria për 1 mijë banorë, sepse në Shqipëri një kilometër rrugë e re kushton 6 herë më shtrenjtë se në Serbi, dhe 8-10 herë më shtrenjtë se në BE.

Përse Maqedonia e Veriut jep 6 deri 7 herë më shumë se ne mbështetje për bujqësinë dhe Kosova 3 deri 4 herë më shumë?

Përse çmimi i naftës në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Kosovë dhe në vende të tjera ku nuk prodhohet naftë është shumë më i ulët se në Shqipërinë tonë që ka prodhuar dhe prodhon naftë? Përse vaji, mielli, buka, ushqimet bazë të mbijetesës janë shumë më të lira në Maqedoni e Kosovë se sa këtu?

Përse qytetarët tanë të Peshkopisë, Maqellarës, apo të Pogradecit i blejnë ushqimet në Maqedoninë e Veriut, ku janë shumë më lirë se këtu ndërkohë që pagat atje janë shumë më të larta se sa këtu.

Sepse miliardat e buxhetit grabiten me koncesione, PPP dhe me tendera sekrete me dhjetfishin e çmimit dhe asnjë lek nuk shkon për qytetarët për t’i mbrojtur nga inflacioni? Sepse qindra milionë euro të ardhura që vijnë nga rritjet e çmimeve, gllabërohen nga PPP-të pa fund dhe asnjë lek ndihmë nuk iu jepet qytetarëve.

Sepse mbi shpatullat e qytetarëve dhe bizneseve bie pesha e borxhit shumë të rëndë publik që ka arritur 14 miliardë euro, që po e çon vendin drejt greminës financiare. Në vitin 2013 borxhi publik ishte 62.4% dhe “Rilindja” premtoi se do ta vendoste me ligji kufirin e borxhit, sot ky borxh nuk e di askush se sa është në të vërtetë.

Nëse Maqedonia e Veriut e shlyen borxhin e saj me 1 vit eksporte, në Shqipëri nevojiten 13 vite eksporte për të shlyer këtë borxh dhe kjo bëhet se ky merr borxhe për të larë borxhe, që ky të fluturojë në luks dhe shqiptarët të zhyten në mjerim. Kjo Qeveria e kapur për gryke nga oligarkët dhe nga mafia, po bën gjithçka që të asgjesojë prodhimin vendas me taksa të reja dhe akciza të jashtëzakonshme dhe po godet pa mëshirë shtresën e mesme, që t’i dobësojë e t’i detyrojë të largohen nga vendi.

Prej kohësh ajo i ka shpallur luftë shtresës së mesme. Akti më i fundit nuk kurseu as profesionet e lira.

Përfitimi vjetor nga kjo taksë e re e shtuar për profesionistët e lirë është vetëm 17 milionë euro për buxhetin e shtetit, ose sa vlera e 700 metrave rrugë të re, sipas standarteve të “Rilindjes”.

Grabitqarët e “Rilindjes” detyrojnë qytetarët të paguajnë borxhe miliarda euro, që vetëm janë vjedhur dhe nuk kanë prodhuar asgjë përveç varfërisë dhe mjerimit.

Të gjithë peshën e krizës, kjo Qeveri ia ka faturuar popullit përmes mosrritjes së pagave dhe pensioneve dhe përmes taksave të reja shtesë.

Ajo nuk ka vullnet për indeksimin e pagave dhe pensioneve spese ka prioritet të vazhdojë të vjedhë dhjetra milionë euro për inceneratorin e Tiranës, që nuk ekziston, sepse i duhet të vjedhë me shtatë PPP-të e reja për buxhetin e ardhshëm; sepse qindra milionë euro do paguhen për arbitrazhet e gjyqet e humbura nga korrupsioni i rilindjes.

Këta rilindas janë kaq të pashpirt sa siç e dini të gjithë arritën të vjedhin edhe bukën e jetimëve.

Sepse kjo qeveri mafioze vetëm shtyp të varfërit dhe fukarenjtë dhe mbron dhe amniston të fortët, mafiozët, trafikantët dhe oligarkët.

Fjala juaj është ligj!

Fjala juaj është urdhër për veprim!

Fjala juaj është mision!

Fjala juaj është e vërteta e padiskutueshme e popullit dhe e vetmja e vërtetë legjitime në këtë tokë!

Së bashku me Partinë Demokratike kemi firmosur një marrëveshje historike për t’u dhënë një herë e përgjithmonë të gjithë fuqinë për të qenë Zot të vendit tonë: Referendumin!

Përpara për të shpëtuar Shqipërinë e flamurit tonë kombëtar, Shqipërinë e familjeve tona! Pyetjes aq të ndjerë të udhëheqësve tanë fetarë të bërë publike pak ditë më parë, se kujt do t’ia dorëzojmë këtë tokë të bekuar, sot i kemi dhënë përgjigje: Askujt, përveç të rinjve dhe të rejave tona patriote. Askujt veç Olsit, Klarës dhe mijëra e dhjetëra të rinjve këtu dhe kudo në të gjithë Shqipërinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura