Pse e mban në kokë kapelen republikë Uran Kostreci

Feb 6, 2018 | 11:49
SHPËRNDAJE

butkaURAN BUTKA

Me Uran Kostrecin jemi njohur në fillim të vitit 1991, pasi kishte dalë nga burgu, kur ai vinte nga Elbasani, të banonte për në Tiranë, ku e kishte selinë Shoqata e të Përndjekurve Politikë. Mandej, kur u themelua gazeta “Liria”, organ i kësaj shoqate dhe ai u caktua kryeredaktor i parë i saj, bashkëpunimi dhe miqësia jonë u shtua. Ai është një njeri krejt i veçantë. Profilin e tij, sidomos sjelljen, ia ka theksuar më së shumti jeta në burg, ku njeriu ose shkatërrohej krejtësisht, ose dilte më i fortë e më i mençur- siç ndodhi me Uranin.

U dënua për tentative arratisjeje dhe, natyrisht, sepse ishte i biri i Fuat Kostrecit, nacionalist dhe antikomunist nga Kostreci i Dangëllisë, i burgosur politik edhe ai, me akuzën e rreme se bënte pjesë në një grup armiqësor në Kolonjë. Në burgun e Burrelit, Urani pati fatin të njihte personalitete të shquara si Engjëll Çobën, i cili i dha mësime italishteje dhe e kalli në botën poetike të Dante Aligierit; Koço Tasin, që i dha mësime filozofie, Kudret Kokoshin, që e ushqeu me nacionalizmin, Dom Nikollë Mazrekun, që i forcoi besimin e faljen dhe mjaft të tjerë, nga të cilët mësoi, por edhe dha nga vetja, sidomos shembullin e mosbindjes dhe të qëndresës.

Kohën më të gjatë në burg e kalonte në vetmi, në birucë, nga që dënohej vijimisht nga komanda për kundërshtim dhe shpërfillje. Një herë, burgun e Burrelit e vizitoi një titullar i Ministrisë së Brendshme. Me këtë rast i mblodhën të burgosurit që ta dëgjonin. Ai ishte minoritar grek dhe nuk e fliste mirë shqipen. Shpesh përmendte emrat “Skipëri” dhe “skipëtar” në fjalën e tij. Kur mbaroi titullari i lartë, drejtori i burgut tha: “A ka ndonjë pyetje?”. U ngrit Urani më këmbë dhe foli kështu: “Faleminderit që na lejoni të bëjmë ndonjë pyetje. Unë kam lexuar mjaft dhe kam bërë, fatmirësisht, ca vite shkollë, po emrat “Skipëri” dhe “Skipëtar” nuk i kam dëgjuar.

Dhe nuk e di ku bien. A mund të na i thoni se në ç’anë bien?!” Mbledhja u mbyll menjëherë dhe Urani përfundoi 15 ditë në birucë, për tallje ndaj të deleguarit. Një herë tjetër shkoi në burg një i deleguar po nga Ministria e Brendshme, por më i nxënë, tip intelektuali. Ai foli për politikën e jashtme të RPS të Shqipërisë, ndërkohë që dënoi agresionin dhe ndërhyrjen ushtarake brutale të Brezhnjevit e të ushtrisë sovjetike në një vend sovran si Çekosllovakia, e cila donte të shkëputej nga kampi revizionist.

Ndërkohë, tha, që Shqipëria është larguar me të drejtë dhe largpamësi nga Traktati i Varshavës, përndryshe mund të bëhej edhe ajo pre e një agresioni të tillë, por që natyrisht, do të merrte përgjigjen dhe goditjen e merituar, se Shqipëria është shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut dhe çdo agresor do të thyejë kokën atje, tha i deleguari. Në përfundim të ligjërimit, i deleguari, i kënaqur pyeti nëse kishte ndonjë gjë të paqartë. – Jam në një mendje me zotërinë tuaj, që mësymja kundër Çekosllovakisë është një agresion i pastër kundër një vendi sovran dhe bëri mirë qeveria jonë që e denoncoi,-tha Urani.

Po përse nuk e bëri qeveria jonë këtë denoncim edhe në vitin 1956, kur ushtria sovjetike e pushtoi dhe e përgjaku Hungarinë? – Nuk ka lidhje. Janë dy gjëra të ndryshme, – tha i deleguari dhe u err në fytyrë. Po Urani vazhdoi. – Janë të ngjashme si dy pika uji, por qëndrimi juaj është i ndryshëm. – Mendimi yt është i ndryshëm!-u hakërrua i deleguari dhe e mbylli mbledhjen. Këtë herë Uranin e lidhën me pranga, e torturuan dhe e hodhën rrëshqanthi në një birucë me ujë. Kjo i ndodhte shpesh Uranit përgjatë 20 vjetëve që vuajti në burg, madje s’kishte muaj që të mos dënohej për kundërshtim të urdhrave të eprorëve, apo për pyetje provokuese.

Gradualisht, ai u kthye në një rebel, që ndihej mirë vetëm kur ironizonte apo kundërshtonte urdhrat e padrejta dhe fyerjet e dhunimet, që u bëheshin të burgosurve. Gjithsesi, në heshtjen dhe vetminë e qelisë, Urani, i pranguar dhe i dhunuar, zbuloi alteregon e tij dhe nisi të hahej me të. Ajo ishte një qenie e brishtë, e ndjeshme, poetike, ndryshe nga dukja e ashpër, e palëkundur, rebele e Uranit. Ai kishte brenda poetin, që jetonte në një botë ideale dhe që e bënte edhe zhguallin e tij fizik të mbijetonte. Poeti krijonte në mendje, ndonjëherë edhe në ndonjë copëz letër, sonetet lirike, mandej, edhe poemën “Epopeja e karkalecave”.

Dhe, kur disa nga ato fletushka ia sekuestruan gardianët, ai u tha “I kam në mendje”. Edhe për këtë përgjigje u dënua sërish dhe u mbyll në birucë sepse i paskësh pasur mendimet dhe vargjet e fshehura në mendje! Mirëpo, ndonjëherë kur shpirti poetik prekte realitetin e dhimbshëm, torturat dhe poshtërimet e burgut, atëherë jeta s’kishte më kuptim dhe vihej në pyetje ekzistenca e saj. Përse duhet të jetonte? Kështu, një çast dëshpërimi, ai iu drejtua telave me gjemba, që ngriheshin mbi muret e burgut, jo për t’i kapërcyer e për t’u arratisur, por për të prekur fundin e tij. Zgjati duart drejt telave, dëgjoi thirrjet e rojave: “Ndal! Ndal!”, mandej krismat e automatikëve dhe vërshëllimat e plumbave, që i shpuan xhupin, nga i cili dolën flluska pambuku të zi.

Një plumb e fshiku mbi ballë dhe e përgjaku. Mandej, duart e rojeve që e zaptuan, e goditën dhe e tërhoqën zvarrë deri në birucë, ku e kishte vendin dhe hodhën atje si një kufomë. Dhe kur trupi i tij nuk ndiente më, kishte vdekur, shpirti i poetit gjallonte, gëlonte nga dëshira për jetën, gëzonte që kishte mbetur gjallë, ndonëse për një çast dëshpërimi kishte kërkuar mortjen.

Ishte dashuria instiktive për jetën, sido që të ishte ajo! E kini vënë re që Uran Kostreci mban mbi krye vazhdimisht një kapele republike? Ai nuk e heq kurrë, veçse kur fle, gjithnjë i vetmuar dhe i heshtur, si në burg, ndonëse tashmë i lirë. Ai e mban kapelën në kokë, që të mos i duket shenja e plumbit mbi ballë, që të mos duket si hero apo si viktimë, por si një njeri i zakonshëm, kur të tjerët mburren për çdo gjë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura