Pse duhet Reforma Zgjedhore

Nov 11, 2019 | 10:30
SHPËRNDAJE

KASTRIOT ISLAMI kastriot_islami

Rama s’është i interesuar për Reformën Zgjedhore. Ai gjykon, përveç të tjerave, se status quo-ja është në favorin e tij dhe se Reforma Zgjedhore s’i sjell asnjë përfitim, veçse kokëçarje. Po ashtu, angazhimi serioz për të kryer sa më shpejt Reformën Zgjedhore i duket sikur rrit shanset apo oreksin e kundërshtarëve për zgjedhje të parakohshme. Por, i “detyruar” nga ndërkombëtarët, Rama do të tentojë ta përdorë Reformën Zgjedhore përmes një “procesi fake”, për të provokuar e përçarë opozitën, duke tentuar ndërkohë të fajësojë PDnë e LSI-në në sytë e ndërkombëtarëve, siç u soll me Reformën e Drejtësisë. Madje, Rama s’shqetësohet as për faktin se moskryerja e Reformës Zgjedhore është në disfavor të hapjes eventuale të negociatave vitin e ardhshëm, sepse edhe hapja e negociatave s’përbën prioritet për të. Nga ana tjetër, opozita jashtë Parlamentit ka përgatitur një platformë relativisht të gjerë për realizimin e një Reforme të thellë Zgjedhore, por duket se shanset e kryerjes së një procesi reformues konsensual dhe të gjetjes së një konsensusi me Ramën, qoftë edhe për disa çështje themelore të ndryshimit të Kodit Zgjedhor, janë shumë të vogla, për të mos thënë zero. Kjo, ndryshe do të thotë se gjasat më të mëdha janë që Reforma Zgjedhore të zvarritet e madje të dështojë, apo edhe nëse bëhet diçka në minutat e fundit, siç ka ndodhur në shumicën e rasteve, ajo të jetë minimale, por gjithnjë pa mundur të ndërtojë besimin minimal reciprok mes opozitës e maxhorancës për të realizuar Reformën Zgjedhore e mbi të gjitha, për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme.

REFORMA ZGJEDHORE ËSHTË E DOMOSDOSHME…

Reforma s’ka asnjë dyshim se duhet bërë domosdoshmërisht, për rëndësinë e madhe që kanë si procesi i reformimit, ashtu edhe përmbajtja e reformës. Madje, po aq rëndësi, për të mos thënë më tepër sa ç’ka procesi i reformimit të Kodit Zgjedhor, kryesisht në funksion të ndërtimit të besimit reciprok mes palëve, aq ka edhe përmbajtja e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor për të mbyllur të gjitha hapësirat e shtigjet në Kodin Zgjedhor për ata, që do të tentonin të kryenin manipulime zgjedhore. Për më tepër që në rastin e Shqipërisë, eksperienca ka treguar se s’do të thotë domosdoshmërisht se zgjedhjet do të mund të jenë të lira e të ndershme nëse kryhet Reforma Zgjedhore. Eksperienca ka treguar se s’do të thotë po ashtu, që përmes Reformës Zgjedhore do të shmangen dukuritë negative, të cilat kanë çuar vendin në krizën më të thellë dhe më të gjerë në këto 30 vjet; sepse Reforma Zgjedhore, sado e përkryer qoftë, ajo asnjëherë nuk ka mundur të imunizojë zgjedhjet nga manipulimet, të cilat veçse janë sofistikuar nga njëra palë zgjedhjesh në tjetrën. Kjo praktikë, sidomos gjatë zgjedhjeve të viteve të fundit, ka ardhur sepse ka munguar vullneti politik për të zbatuar ndershmërisht kodin elektoral. Eksperienca e zgjedhjeve të fundit ka treguar se gjithnjë janë bërë tentativa diabolike për të gjendur hapësirat (që gjithmonë ekzistojnë, sado e përkryer të kryhet Reforma Zgjedhore, apo pavarësisht sa perfekt do të ishte Kodi Zgjedhor) për të ndryshuar rezultatin zgjedhor. Konkretisht, dukuritë e blerjes së votës dhe kërcënimit të votuesve, të njohura edhe në literaturën botërore të zgjedhjeve, konsiderohen praktika vështirësisht të zbulueshme e për rrjedhojë, edhe pothuajse të pamundura për t’u adresuar përmes ndryshimeve ligjore në Kodin Zgjedhor nëse nuk ekziston vullneti politik për zgjedhje të lira e të ndershme. Pavarësisht të gjitha këtyre argumenteve, reforma zgjedhore detyrimisht duhet kryer, për më tepër që ajo mund të konsiderohet nga njëra anë një proces i testimit të vullnetit politik të palëve dhe nga ana tjetër, mekanizëm efikas për ndërtimin e besimit reciprok mes palëve, që do të mund të garantonte fillimisht një Reformë Zgjedhore relativisht të suksesshme dhe më tej një proces elektoral të ndershëm, ose të paktën një rezultat zgjedhor të gjithëpranuar.

DY SHTYLLAT MBI TË CILAT MBËSHTETET REFORMA ZGJEDHORE

Një Reformë Zgjedhore, gjithnjë mbështetet mbi dy shtylla: procesi për të kryer reformën dhe përmbajtja e ndryshimeve.

Suksesi për kryerjen e procesit përcaktohet nga vullneti politik i palëve dhe besimi reciprok mes të gjithë aktorëve politikë e me publikun.

Në kushtet aktuale, kur Rama s’ka vullnet për të kryer Reformën Zgjedhore dhe tenton ta përdorë Reformën Zgjedhore si taktikë politike për të provokuar dhe përçarë opozitën, janë të ulëta gjasat për të ndërtuar një proces reformimi të suksesshëm. Nga ana tjetër, ndërtimi i besimit reciprok mes palëve, në kushtet e një krize të thellë shumëpërmasore, duket pothuajse i pamundur. Ndonëse mund të ketë një “mirëkuptim minimal në distancë” për disa çështje të parëndësishme të përmbajtjes së Reformës Zgjedhore, përderisa do të mungojë shtylla e parë, gjasat janë që Reforma Zgjedhore të dështojë. Ose Rama do të kryejë një “fake reformë” për të krijuar alibinë se ai është “djali i mirë” përballë “djalit të keq opozitar”, madje duke tentuar të krijojë perceptimin se në vend ka dy opozita, njëra e mirë brenda Kuvendit, me të cilën ai bashkëpunon dhe tjetra e keqe jashtë Kuvendit, me të cilën ai nuk bashkëpunon sepse është destruktive. Një film neveritës tashmë i parë disa herë, që s’të çon asgjëkund dhe veçse e thellon krizën.

MEKANIZMI, MËNYRA E MIRATIMIT DHE PËRMBAJTJA E REFORMËS…

Për sa i përket procesit për kryerjen e Reformës Zgjedhore e veçanërisht në kushtet kur refuzohen zgjedhjet e parakohshme e për më tepër opozita gjendet jashtë Parlamentit, apo s’ka as Gjykatë Kushtetuese e Gjykatë të Lartë për të zgjidhur konfliktet mes palëve, do të duhej që të gjitha forcat kryesore politike të përcaktonin me konsensus të gjithë hapat për i) ngritjen e trupës/mekanizmit, që do të merrej me hartimin e Reformës Zgjedhore dhe ii) për përcaktimin e mënyrës adekuate për miratimin në Parlament të projektit të Reformës Zgjedhore. Për sa i përket aspektit tjetër, në diskutimet për përmbajtjen e Reformës Zgjedhore do të duhet të përshiheshin ndër të tjera rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, çështjet e financimit të partive politike e fushatave zgjedhore;

të administrimit të zgjedhjeve, konkretisht
të përbërjes së komisioneve zgjedhore;
të identifikimit biometrik e votimit/ numërimit elektronik;
të pjesëmarrjes së balancuar të medias në procesin zgjedhor;
të mospërdorimit të mjeteve dhe mekanizmave administrative;
të penalizimit të manipulimeve elektorale;
por edhe
të rishikimit të sistemit zgjedhor apo;
të pjesëmarrjes së emigrantëve në zgjedhje.

Të gjitha këto çështje do të duhej të merrnin përgjigje, qoftë edhe joshteruese; ato duhet së paku të shtroheshin për diskutim edhe në rastin kur do të gjykohej me argumente e transparencë se zgjidhja do të ishte për më vonë.

PARIME MBI TË CILAT DUHET TË KRYHET REFORMA

Së pari, Reforma duhet të jetë “inkluzive”, pra, për hartimin dhe miratimin e saj duhet të garantohet një konsensus i plotë i maxhorancës dhe opozitës dhe një konsensus sa më i gjerë i të gjitha forcave kryesore politike. Por jo vetëm. Do të duhet të sigurohet pjesëmarrja e shoqërisë civile. E grupeve të interesit…Përse jo, edhe e qytetarëve…

Së dyti, Reforma duhet të kryhet integralisht e njëkohësisht. Të gjitha çështjet që do të përfshihen për diskutim e miratim, duhet të jenë pjesë e një kalendari unik, thënë ndryshe, reforma s’duhet të copëtohet e fragmentohet as në kohë dhe as në përmbajtje, sepse e fragmentuar do të mund të kthehej lehtësisht në një lodër për taktikat politike të forcave të ndryshme politike.

Së treti, Reforma duhet të jetë transparente. Reforma duhet të debatohet me të gjithë aktorët politikë në sytë e publikut e të qytetarëve, madje për ndonjë çështje të veçantë (nëse ka divergjenca mes aktorëve politikë, mund të imagjinohet edhe referendum). Media duhet të pasqyrojë momentet dhe hapat për kryerjen e kësaj reforme.

Së katërti, Reforma duhet të jetë profesionale…Për hartimin e Reformës duhet të angazhohen ekspertët më të mirë vendës dhe të ftohen edhe ekspertë ndërkombëtarë të spikatur, si për shembull nga ODIHR apo Komisioni i Venecias.

Së fundi, Reforma Zgjedhore duhet t’u japë përgjigje shqetësimeve kryesore të publikut. Veçanërisht duhet të hartohen e miratohen me konsensusin politik të opozitës e maxhorancës, çështjet që garantojnë një proces elektoral të ndershëm, apo që japin garanci se vota s’do të blihet e votuesit s’do të kërcënohen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura