‘Pse e do Meta arrestimin e Balilit, ping-pongu me Nishanin për të zhytur Ramën”

Jan 27, 2017 | 11:48
SHPËRNDAJE

“Kundërsulm të kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, në dëm të bashkëkryetarit në qeverisje, Rama”.

ANDI_BUSHATI_PORTRET_96

Kështu e sheh analisti Andi Bushati reagimin e fundit të Metës, me kërkesën drejtuar kreut të shtetit, Nishani për mbledhjen e Këshillit Kombëtar për çështjen e mosarrestimit të Klement Balilit, akuzuar gjerësisht si personi që kishte mbrojtjen e LSI, ndaj edhe nuk prangosej.

Në një opinion të sotëm, publikuar në Lapsi.al, Bushati analizon përse-në e lëvizjes së fundit të Metës, jo thjesht si propagandë, por si një kundërsulm i hapur.

Sipas Bushatit, fushata me emrin Balili, deri më dje, jo fare pa të drejtë, konvergonte në një pikë: Klement Balili mbrohet drejtëpërdrejt nga Ilir Meta.

‘Ky ishte preteksti që i leverdiste policisë për të përligjur dështimet e saj. Ky ishte justifikimi që i duhej rilindasve që akuzoheshin për një lidhje më shumë me krimin. Kjo ishte alibia që i leverdiste edhe politikisht dyshes Tahiri –Rama. Pikërisht për të prishur këtë Konsensus rreth një fakti të pranuar nga të gjithë, Ilir Meta ka ndërhyrë fort të mërkurën, jo vetëm për t’u shfajësuar, por edhe për të kundërsulmuar”- shkruan ai.

Sipas tij, thirrja e tij për të mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare është thjeshtë propagandë.

“Ajo s’ka të bëjë asgjë direkte dhe as mund të ndihmojë konkretisht në arrestimin e të shumëkërkuarit. Ajo është një lojë ping-pongu mes Metës dhe Nishanit, për t’i ngritur njëri tjetrit topat që zhysin drejt Ramës. Kjo lëvizje nuk mohon gjithashtu as lidhjet e dikurshme mes klanit të Balilëve me LSI-së. Por, nga ana tjetër ajo ka një synim të mirëpreçizuar politik. Ajo godet drejt e mbi Ramën”- analizon Bushati.

Ai thekson se në debatin e hapur në mënyrë permanente në Shqipëri, ajo shenjon një hendek mes Metës dhe rivalit të tij.

“Së pari, ajo do të japë imazhin se edhe kur bashkëpunon me trafikanët, Ilir Meta e ka forcën t’i shesë, ndryshe nga kryeministri që mbetet peng i tyre. Së dyti, ajo do të demaskojë slloganin që Edi Rama trumbeton prej tre vjetësh, se megjithëse në Shqipëri vazhdon të ketë krime, ndryshimi me kohën e Berishës është se kriminelët nuk largohen më në drejtim të paditur”- shkruan ai.

Por, sipas tij, faktet tregojnë të kundërtën, se që nga Mark Frroku që i iku policisë duke mbajtur të fshehur një trafikant, e deri tek Balili, këtu është instaluar bashkëpunimi me krimin.

“Pikërisht këtë ka dashur të tregojë këtë mesjavë Ilir Meta. Duke iu adresuar presidentit, ai nuk ka dashur thjeshtë të luajë në mbrojtje. Ai ka dashur të kundërsulmojë. Dhe tani topi është në fushën e Edi Ramës që po akuzohet përsëri, se po merr në mbrojtje një trafikant më shumë”- përfundon Bushati.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura