Pse digjen dhe e kujt është përgjegjësia e zjarreve në pyje?

Aug 7, 2017 | 11:50
SHPËRNDAJE

jamarber-malltezi-847x477_1471688542-2968653-550x302JAMARBËR MALLTEZI

Plot 60,000 hektarë pyje janë djegur këto kohë në gjithë vendin. Pa dyshim që ka shume çobanë të papërgjegjshëm që djegin shkurret për të hapur kullotë dhe që natyrisht temperaturat e larta i favorizojnë zjarret që dalin jashtë kontrollit dhe shkrumbojnë pyjet. Por, a bëjmë dot disa pyetje më tej që të kuptojmë nëse ka edhe faktorë të tjerë që kanë luajtur rol të rëndësishëm në këtë fenomen? Në 2014 me një shkresë të ministrit Koka të LSI-së u shkarkuan plot 710 inxhinierë pyjesh nga puna.

Pra, i gjithë Shërbimi Pyjor i Shqipërisë u shpërbë brenda ditës me një firmë ministri. Në vend të këtyre thuajse 1000 inxhinierëve pastaj u punësuan disa qindra militantë të RILINDJES që nuk kishin as shkollën përkatëse dhe asnjë ndjeshmëri për pyjet. Nga 466 punonjës në sektorin e pyjeve në 2015 vetëm 89 prej tyre ishin specialist pyjesh, të tjerët thjesht militantë jashtë profesionit. Nuk jam aq naiv që të mendoj se ata që u hoqën ishin të gjithë shenjtorë që mbronin pyjet, por ama ishin persona me shkollë përkatëse dhe që jetën e tyre e kishin lidhur me pyllin dhe sado dëm të bënte ndokush prej tyre që mund të ishte korruptuar nga shfrytëzuesit e pyjeve, prapë kishin ndjeshmëri më të madhe sesa të tjerë krejt pa shkollë dhe pa njohuri për vlerat e pyjeve.

Sot bëj pyetjen: Do të ishte më mirë apo më keq situata sot nëse do të ishin në detyrë 900 inxhinierë pyjesh të shpërndarë sipas zonave më problematike? A mban ndokush përgjegjësi për këtë kasaphanë në shërbimin pyjor? Për më keq, disa profesionistë pyjesh që vijuan punën u pushuan nga puna kur shkelën në kallo të interesave të taulantëve të pushtetit. P.sh. inxhinieri i devotshëm, Pashuk Lulashi, në Pukë mbrojti pyjet nga shfrytëzuesit barbarë dhe çoi në ndjekje penale vëllain e administratorit (kreut) të Fushë-Arrësit.

Për pasojë, në vend që të burgosej dëmtuesi i pyjeve u shkarkua Pashuku nga puna! Në mënyrë të ngjashme, banda dhe banditë të shfarosjes së pyjeve të Librazhdit janë të lidhur ngushtë me deputetin e mender rilindjes. Inxhinieri Petrit Kuko me përvojë 30- vjeçare u pushua nga puna kur zelli i tij për mbrojtjen e pyjeve ra ndesh me interesat e bandave që shfarosin pyjet e Librazhdit dhe që kolliten te taot e pushtave të shtetit. Tani kur inxhinierët e pyjeve shohin që banditi i pyjeve të Librazhdit merr poza zjarrshuarë- si kësaj i thonë “adding insult into injury”.

As këta inxhinierë që kishin lidhur jetën me pyllin nuk janë në punë. Në vend të tyre janë vendosur disa militantë që nuk kanë lidhje me profesionin, por që blejnë dhe shesin vota sipas dëshirave të tao-taove. Së fundmi, unë personalisht në profilin tim në Facebook kam denoncuar dhjetëra raste zjarrvënie të qëllimshme qysh në janarshkurt në një kohë ngricash. Këto zjarrvënie qysh në dimër nuk janë nga çobanët, por nga trafikantët e drogës që i djegin për të hapur sipërfaqe të lira ku të mbjellin hashashin. Këto zjarrvënie kanë ndodhur edhe m’u pranë zonave të banuara si në Dukat, Radhimë, etj. Më thoni një rast të vetëm kur ndonjë trafikant droge është kapur nga Qeveria për dëmin ndaj pyllit.

Pra, kemi (i) shkatërrim të qëllimshëm të shërbimit pyjor për t’u zëvendësuar me militantë partie pa njohuri dhe as ndjeshmëri për pyllin, (ii) shkarkim nga puna nëse prisheshin interesat e shfrytëzuesve të pyjeve që ishin të lidhur me tao-taot e pushtetit, (iii) prerjen e pyjeve për hapje parcelash të lira për mbjellje masive hashashi. Nëse ne do të kishim një shtet ligjor të përgjegjshëm, përgjegjësia nuk do ndalej te ndonjë çoban që kapej kuturu, por do duhej të fillonte qysh nga ministri i LSI-së, ku t’i kërkohej përgjegjësi penale pse kishte shkatërruar me një të rënë të lapsit shërbimin pyjor shqiptar, një investim kolosal dhjetëravjeçar.

Më pas, do të duhej që të kërkohej përgjegjësi penale për trafikantët e drogës dhe ish-ministrin që mbushi Shqipërinë me hashash. Sipas ligjit, qoftë policia dhe qoftë pushteti vendor është penalisht përgjegjës për parcelat me hashash. Ku dhe kur pati një përgjegjësi të vetme për këto ngjarje të rënda? Për fat të keq busulla morale është prishur në këtë vend.

LSI-ja që është përgjegjëse për shkatërrimin e shërbimit pyjor kërkon llogari për zjarret në pyje, kur edhe sot që flasim është vetë përgjegjëse për pyjet. Edvini kos po han, miliona po përlan dhe asnjë përgjegjësi s’mban. Opozita vijon e trullosur, ndërsa shoqëria e mpirë shqiptare po sheh si telenovelë episodet sesi një i çmendur gjithë vendin çmend.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura