Pse dështoi seanca e parë për inceneratorin e Elbasanit/ Tre biznesmenët në arrati nuk kapen nga Policia, por i gjejnë avokatët. U morën prokurë përfaqësimi

Mar 31, 2023 | 8:33
SHPËRNDAJE

NIKOLETA KOVAÇI

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zyrtarisht duhej të niste dje gjykimin e çështjes ndaj të akuzuarve për aferën korruptive për inceneratorin e Elbasanit.

-1200-630-800-0-Stela-Gugallja-dhe-Klodian-Zoto-e1652727843234

Ndërkohë që një e pandehur mungonte pasi nuk ishte gjendur të njoftohej, ndonëse sipas SPAK, ajo është në arrest shtëpie. Po ashtu një tjetër të pandehure i mungonte avokati, pasi sipas saj, ishte jashtë Shqipërie.

Por ajo që ra në sy në seancën e shtyrë të së djeshmes është fakti që Gjykata ende nuk është në dijeni nëse janë ekzekutuar urdhër-kërkimet ndërkombëtare për tre biznesmenët, të cilët janë edhe personat e gjithëpërfshirë në aferën qindra miliona euroshe të impianteve të djegies së mbetjeve në vendin tonë.

Gjyqtarja e çështjes pasi la ca detyra që lidhen me të pandehurit e dosjes, mësoi se tre të kërkuarit, të paktën siç pretendon Prokuroria e Posaçme, kishin përfaqësues ligjorë e madje me prokura të posaçme.

Megjithatë, ata ende nuk ka mundur t’i gjejë Policia, SPAK, BKH dhe Interpol. Gjykata njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet një javë më vonë, ndërkohë që u kërkuar që e pandehura në arrest shtëpie të gjendet dhe të sillet në sallë.

SEANCA E SHTYRË

Seanca e parë për çështjen në ngarkim të të akuzuarve për aferën e inceneratorit të Elbasanit dështoi të zhvillohej të enjten, më 30 mars 2023, pasi nuk ishte arritur të gjendej dhe të njoftohej e pandehura Jonida Zeqo, e cila gjendet nën masën e sigurimit personal “arrest në shtëpi”.

Relatorja e çështjes, gjyqtarja Elsa Ulliri, la si detyrë që për në seancën tjetër të shoqërohen të pandehurit që gjenden në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Gjykata la detyrë të njoftohej edhe avokati i së pandehurës Etleva Kondi, për të cilin kjo e fundit shpjegoi në seancë se e kishte zgjedhur së fundmi, por ai gjendej jashtë vendit të paktën sipas informacioneve të saj për ditën e djeshme.

Po ashtu, Ulliri kërkoi që t’i kërkohet informacion zyrës së Interpol Tiranës nëse janë ekzekutuar urdhrat e kërkimit ndërkombëtar për të pandehurit Mirel Mërtiri, Stela Gugallja e Klodian Zoto, tre biznesmenët e akuzuar se kanë korruptuar zyrtarët e nivelit të lartë dhe kanë pastruar para. Në përfundim, gjykata vendosi të shtyjë seancën për më datë 7 prill në orën 14:30 dhe seancat vijuese duke filluar nga data 20 prill, çdo të enjte në orën 09:00.

TË KËRKUARIT ME PËRFAQËSUES LIGJOR

Në seancën e ditës së djeshme, mes të pandehurve dhe avokatëve të pranishëm gjendeshin edhe përfaqësuesit ligjorë të të shpallurve në kërkim ndërkombëtar, Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto.

Mërtiri dhe Zoto sipas të dhënave figurojnë në arrati, ndërsa Gugallja prej gati dy muajsh është në proces ekstradimi nga një gjykatë austriake në Vjenë të Austrisë.

Ose të paktën kështu pretendojnë institucionet tona. Nga sa u bë me dije në Gjykatë, tre biznesmenët e pandehur kanë lëshuar prokurorë të posaçme për përfaqësuesit e tyre ligjorë që në nëntor të vitit 2022, kohë kur kanë qenë të shpallur në kërkim.

Zoto dhe Gugallja u shpallën në kërkim prej dhjetorit të dy viteve më parë dhe Mërtiri rreth një vit më vonë, megjithatë ata kanë mundur që të paraqiten para noterëve dhe të lëshojnë prokurë të posaçme për t’u mbrojtur në procesin e gjykimit të ngritur prej tyre nga SPAK.

SPAK dërgoi për gjykim në dhjetor të vitit 2022 çështjen për inceneratorin e Elbasanit, duke vendosur nën akuzë ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-deputetin Alqi Bllako, të dy të arrestuar.

Ata nuk u paraqitën në seancën e parë të gjykimit të enjten, duke njoftuar Gjykatën se do të mbroheshin nga avokatët e tyre, të cilët ishin të pranishëm.

Koncesioni sipas akuzës

Sipas akuzës, zyrtarët e qeverisë dhanë një koncesion me prokurim pa shpallje duke përdorur një metodë prokurimi të paparashikuar në legjislacionin e prokurimeve publike. Zyrtarët që morën pjesë në procedura, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri e Serafin Papa, janë nën akuzën e abuzimit të detyrës ndërsa ish-ministri Koka është nën akuzë të trefishtë për abuzim me detyrën, korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

Bllako akuzohet për shpërdorim detyre në aferën e inceneratorit të Elbasanit, ndërkohë që ai është marrë i pandehur edhe për falsifikim të të dhënave për tokën mbi të cilën është ndërtuar inceneratori i Fierit, duke i ndryshuar kartelën nga “tokë arë” në “tokë truall”.

Ish-deputeti i PS-së akuzohet gjithashtu se ka përfituar padrejtësisht me anë të punësimit të babait të tij, Edmond Bllako, pranë kompanisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” të inceneratorit të Tiranës.

Qeveria ka dhënë tre kontrata koncesionare për ndërtimin e inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, te një grup kompanish të lidhura me njëra-tjetrën, nën pronësinë e personave pa eksperiencë të mëparshme në këtë fushë. Prokuroria thotë se dy kompanitë e inceneratorit të Elbasanit kanë paguar rreth 329 milionë lekë (afërsisht 3 milionë euro) fatura për punë të pakryera, skema përmes të cilës dyshohet se Lefter Koka ka përfituar paratë e korrupsionit.

HETIMET E KONTESTUARA

Vetë Prokurorisë e Posaçme bëri me dije se përmes kompanive të përfshira janë pranuar fatura fiktive dhe janë kryer pagesa për punë të pakryera për afro 3 milion euro. Më shumë se 90 për qind e kësaj vlere, ka shkuar sipas prokurorisë, në formën e ryshfetit, në favor të ish-ministrit Koka “duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij”.

Mbi rastin e inceneratorëve ka pasur debate të shumta dhe janë hedhur dyshime se shumë aspekte apo fakte të dala në dritë, nuk janë hetuar siç duhet. Por Prokuroria sqaroi më herët se ajo ka vendosur ndarjen e çështjes penale për “rrethanat dhe faktet që lidhen me pretendimet se janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin në procedurën e kalimit për miratim në Këshillin e Ministrave të projektvendimit të propozuar nga Ministria e Mjedisit, mbi bazën e të cilit është miratuar më pas vendimi i qeverisë që ka miratuar sigurimin e financimit të nevojshëm të kontratës së koncesionit”.

Muaj më parë, SPAK bëri me dije edhe se po vijojnë hetimet paraprake për abuzime të mundshme nga funksionarë të ministrive të ndryshme, “përfshirë edhe provat dhe dokumentet që janë gjetur dhe janë nxjerrë nga kompjuterët e sekuestruara në banesën e të pandehurit Klodian Zoto”.

Po hetohen sipas Prokurorisë dhe pretendimet se ka pasur mungesë kontrolli në zbatimin e kontratës koncesionare, apo rrethanat dhe faktet që lidhen me personat e tjerë nën hetim, persona fizikë dhe personat juridikë, apo bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar me të pandehurit për pastrimin e parave, apo dhe elementë të tjerë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura