Pse çështja çame zgjidhet në bazë të ligjeve ndërkombëtare

Jun 27, 2020 | 8:46
SHPËRNDAJE

NEXHAT MERGJYSHI genocidi-came-730x480

76 vjet nga gjenocidi grek ndaj shqiptarëve çamë dhe akoma heshtje varri nga të gjithë. Një statuskuo, që i madhi Gjergj Fishta do ta etiketonte kështu: “Statuko është fjal’ e huj që don me thanun me mihun në ujë”, por unë dua të bëj një analizë të zgjatur në kohë të kësaj shëmtire njerëzore që do ta kishin zili vetëm egërsirat. Kjo shëmtirë i vuri një njollë të zezë asaj kulture mahnitëse të lashtësisë greke, ku shumë autorë, historianë, filozofë grek dhe të huaj; grekët e sotshëm i quajnë modernë, që nuk ngjajnë me ata të lashtësisë. Grekët e lashtë ishin shumë kundër Hubrisit (përfaqësues i megalomanisë, ndjenjës së më të fortit, arrogancës etj.). Ata e luftonin Hubrisin, kurse modernët i kanë këto “virtyte” dhe nëpërmjet tyre e quajnë Greqinë sikur është qendra e botës. Latinët kanë një proverb që u shkon për shtat grekëve modernë. “I dashuruari me vetveten nuk ka rivalë”. Europianët janë dashuruar pas grekëve modernë duke pasur parasysh lashtësinë. Grekët modernë besonin se ishin pasardhësit e vërtetë të Perikliut, Sokratit, Leonidhës dhe Lekës. Është e vërtetë që demokracia lindi në këtë pjesë të botës, por nuk është e vërtetë që pasardhësit e grekëve modernë janë po ata që e krijuan atë. Grekët e sotëm janë një përzierje e tribuve të Ballkanit: shqiptarë, arvanitas, sllavë, vllehë; dhe më vonë u përzien dhe Afrikanë të Veriut, Armenë dhe tribu tjetër nga Anadolli.

Kur Greqia do të pranohej në BE, Presidenti i Francës, Zhishkar D’Esten, i thoshte vazhdimisht Ortolit, komisionerit për zgjerim, që pse po vonohet futja e Greqisë në BE. Ortolli i thoshte që nuk i ka plotësuar kushtet, dhe ai i thoshte “nuk mundet të luajë Platoni në kategorinë e dytë”. Nuk kam asgjë me popullin grek e as me fenë e tyre, por disa të vërteta duhen thënë për brezat. Populli shqiptar i Çamërisë nuk duhet të pranojë parullën e dëmshme greke (që e kanë pasur për zemër dhe politikanët tanë): “ta lëmë të kaluarën dhe të shikojmë përpara”. Ky slogan nuk duhet harruar, se na dënojnë të parët tanë… Kriminelëve zervistë u ngrihen buste për merita, se kanë vrarë njerëz, kurse qeveria e tyre nuk kërkon akoma falje. Një proverb latine thotë: “Ai që nuk bindet, nuk di as të komandojë”. Europianët ishin dashuruar me grekët, natyrisht me grekët e lashtë. Mjeshtërit grekë të aftë për të marrë gjënë e tjetrit dhe për t’u mbushur mendjen europianëve që ne jemi pasardhësit helenë, më vonë europianët kuptuan se kush ishin grekët e vërtetë. Dhimitër Epikuris shkruan:”Europianët që ëndërronin kozmosin e lashtë helen, kanë një lloj përgjegjësie për identitetin e rremë që u është dhëne grekëve modern”. Pra Greqia përfitoi shumë nga lavdia e lashtësisë duke pasur mbështetjen europiane, duke pretenduar se ata (grekët modernë) janë pasardhësit e helenëve të lashtësisë, dhe me ndihmën e kishës ortodokse, grekët modernë arritën të zgjerohen në kurriz të popujve të tjerë. Pas vitit 1832, dhe sidomos pas mbretërisë greke, në Kotoko, jashtë kufirit grek, mbetën territore që grekët i quanin të tyret, kështu Thesalia, Maqedonia, Thraka, Epiri dhe ishujt e Egjeut nuk përfshiheshin në këtë Greqi. Jani Koleti, ish-Kryeministër në parlamentin e vitit 1844 lëshoi atëherë thirrjen: “Mbretëria e Greqisë nuk është vetëm Greqia. Greku nuk është vetëm ai që banon në mbretëri, por edhe ai që banon në Janinë, Selanik, Adrianopoje, Stamboll, Kretë, Samos etj. Helenizmi ka dy qendra: Athinën dhe Kostandinopolin”.

Ish-guvernatori i Epirit, Patihaqi foli më trashë: “Mos ushqeni asnjë iluzion, edhe në rast se do të detyrohemi nga fuqitë e mëdha të braktisim Epirin, përfshi edhe Vorio Epirin, nuk do të lëmë asgjë nga pas, veçse tokë djerrë. Çdo gjë që ngrihet mbi këtë tokë do të rrafshohet”. Tamam ashtu siç vepruan me çamët dhe me masakrat në Përmet, Këlcyrë, Korçë më 1913 – 1914-ën. Uria për të marrë gjënë e tjetrit shprehet dhe vetë nga autorët grekë. “Kapobandat greke pas vitit 1844 dhe në vazhdim, gjatë marshimeve drejt krahinave me banorë te etnisë jogreke, por nga feja dhe kombësia, inkurajoheshin me parullën e njohur shoviniste: “Përpara me një dorë kryqin dhe në tjetrën thikën”.

Jo më kot themi që të kaluarën kurrë mos ta harrojmë. Trajtimi çnjerëzor që grekët i bënë popullatës shqiptare myslimane vazhdoi edhe më vonë… Antishqiptari Eleftero Venizellos, më 1919 në Paris deklaronte: “Edhe territoret shqiptare pa shumicë të pastër greke, duhet patjetër t’i kalojnë Greqisë.

Populli shqiptar zotëron një qytetërim inferior dhe duhet t’i nënshtrohet popullsisë greke. Është e pamundur të lejohen shqiptarët barbarë të jetojnë të pavarur në djepin e qytetërimit grek”. Babëzia greke për të formuar një shtet në bazë të imagjinatave të lashtësisë me “Iliada” dhe “Odise” i bënë ata uzurpatorë të tokave të të tjerëve. Masakrat vazhdojnë në luftën për marrjen e Janinës në 1913-ën. Masakrat çnjerëzore të ushtarëve grekë i përshkruan edhe historiani grek Fassopullo:

“Pas pushtimit të Janinës dhe gjithë Çamërisë nga forcat greke, ushtarët Helenas lanë kujtime të hidhura në popullsinë shqiptare të Çamërisë: banda me ushtarë, të drejtuar nga kryetari Manilis Montaqis nga Granica, nuk kursyen asgjë të gjallë ndër myslimanët”

Ndërsa Jorgo Kallanxhi bën edhe një lloj justifikimi kur thotë: “Grekët nuk u përndoqën dhe u vranë nga ushtritë e ligjëruara të qeverisë greke, por nga forca andarte që u udhëhoqën nga një komandë e lindjes së mesme. Këtu duhet të pranojmë që jo të gjithë çamët ishin bashkëpunëtorë të armikut, mirëpo qëndrimi i më të fortit dhe i shumicës mori poshtë dhe të tjerët”. Një justifikim të ngjashëm për masakrat e shpreh kjo gazetë po në këtë datë: “Çamët myslimanë, si shtetas grekë me kombësi shqiptare, u rekrutuan në ushtrinë greke në Kakavijë, sepse të gjithë ishin shqiptarofilë dhe italofilë. Kjo detyroi qeverinë greke që pjesën e mbetur ta internojë në ishujt e Egjeut”.

Çamët i internuan si bashkëpunëtorë, por bashkëpunimi nuk kishte ardhur akoma. Greku Fanarioti Alaksandër Ipsilanti thotë dhe një të vërtetë: “Shumë kurajoz kryetar Pronjo dhe Cepari dhe gjithë çamëve, ju përshëndes! Prinjës burrëror dhe aleatë besnikë. Tani të bashkuar me ne, për liri, konsideroheni si vëllezërit tanë”

Po ky Ipsilant kërkonte të bënte një shtet ortodoks. “Si kryetari i Shoqërisë së Miqve, Filiqi Eteria, u bëj thirrje orthodoksve grek, bullgar, shqiptar, rumun, armen, që të ngrihen kundër turqve në një kryengritje që do të ngjante si një kryqëzatë dhe do të synonte formimin e një shteti orthodoks me kufinjtë e perandorisë Bizantine dhe me kryeqytet Kostandinopolin”. Pra, Ipsilanti kërkonte një shtet të pastër etnik, për të cilin fituesi i çmimit Nobel për paqen, çeku Havel thotë: “Ajo që duhet të shikojmë për të ardhmen tonë është utopia e shtetit të pastër etnik. Ky mesazh është mesazhi më i tmerrshëm që kam dëgjuar në jetën time”.

Masakrat greke karshi shqiptarëve myslimanë çamë dhe shqiptarëve të Shqipërisë së Jugut nuk kanë të sosur. Ekziston një dokument në arkivin e Komunës së Paramithisë (Dhimarhio i Paramithisë) dhe një dokument në Arkivin e Shtetit tonë (dosja 1, dokumenti 22) ku Komanda Ushtarake Italiane i dërgon Komandës Italiane të Paramithisë në 1917-ën për vrasjen e 72 burrave në përroin e Selanit në 1913-ën. Komanda Italiane e Paramithisë nuk e verifikoi asnjëherë. Dokumenti thotë “më 19 mars 1913, Furarhio i Paramithisë mblodhi kryetarët Petro Ringa, Vasil Ringa, Dhimitër Ringa, Apostol Zogani, Mitro Caci dhe Jorgji Pabro. Këta, me në krye dhespotin e Paramithisë, vendosën të arrestojnë parinë shqiptare të Paramithisë. Arrestuan shumë shqiptarë, por komisioni vendosi të vrasë 72 burra dhe për të kryer detyrën u caktua Gjiritiasi Deljanaqi. Të verifikohet”. Kjo ishte masakra më e madhe masive që konsiderohet krim njerëzor i grekëve ndaj shqiptarëve myslimanë çamë. Midis çamëve të arrestuar ishte dhe gjyshi im nga nëna, Maliq Çano (Hasani), Bollati, i cili bënte pjesë në kryepleqësinë e Paramithisë, sipas gazetes “Ipiros 1913”, që e përmend dhe historiani grek Vasil Krapsiti te libri “Imuslimani Camidhes tis Thesprotias”. Të kudondodhurit gjiritas, si mjeshtra për të kryer krime njerëzore, ishin pjesëtarë të bandave greke, në përroin e Selanit (vetë Deljanaqi ishte gjiritas). Më 1913-1914-ën në masakrat greke në Përmet, krimet më të mëdha i bënë gjiritasit, adjutantët e Zervës. Sidomos te shkolla 9-vjeçare e Paramithisë “Dhimotiko Skolio”, ku çamëve u prisnin gishtërinjtë e duarve, veshët, hundën, organet gjenitale dhe përsëri autorët ishin Gjiritas. Masakrat bëheshin me armë të ftohta (karakteristike e grekëve) dhe në fshehtësi të plotë. Shkolla e Paramithisë ishte pak e veçuar nga popullata dhe vendi u gjet si i tillë pasi ishte larg syrit njerëzor. Të tilla masakra grekët bënë dhe brenda kufirit shqiptar: të paharruara janë krimet në Korçë, Përmet, Gjirokastër, Kolonjë më 1913-1914-ën. Në arkivat britanike, franceze, hollandeze, italiane dhe shqiptare gjenden dëshmi rrëqethëse që nuk duhen harruar. Për këto krime flet qartë misionari britanik në Shqipëri në vitet 1909-1918, Aubrey Herbert: “Këto dëshmi janë paraqitur në Konferencën e Paqes në Paris, 1918, në një raport që titullohet ‘Raport of masacre comminet in south Albania by greeks’ (Paris, 1914, f. 40-41).

Sot unë kam në dorë një armë të fuqishme: Ligjet e Europës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, që kanë dhe fuqi prapavepruese. Pra Evropa ka një kushtetutë për të drejtat e minoriteteve.

DËBIMI I POPUJVE

“Asnjë nuk mund të dëbohet me anë masash individuale ose kolektive nga territori i shtetit, shtetas i të cilit është” (Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e vitit 1948, neni 31). Dëbimin e popujve nuk e njeh as Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, as Pakti Ndërkombëtar Për të Drejtat Civile e Politike, as Konventa Europiane Për të Drejtat e Liritë Themelore etj, etj. Gjenocidi nuk mund të jetë çështje e brendshme e cilitdo vendi qoftë.

Përkufizim i gjenocidit: “Gjenocid është çdo akt që bëhet me qëllim për të shkatërruar plotësisht ose pjesërisht, grupe kombëtare, raciale ose fetare, duke vrarë pjesëtarë të atij grupi me qëllim eliminimin fizik pjesërisht ose totalisht” (Konventa e OKB-së e vitit 1948).

Masakrat në Çamëri duhet të ishin detyrë parësore e historiografisë sonë zyrtare. Nuk e fshijmë dot të kaluarën, pa kërkuar akoma falje. Edhe Kushtetuta e Shqipërisë ka si detyrë parësore mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo që ndodhen.

Grekët për krime janë mjeshtra. Më 1914-ën në Përmet trupat greke vranë dhe një vajzë të vogël. Pse? Sepse mbante në dorë një libër shqip. Në Gjirokastër u vranë 9 veta, njëri i prerë copa-copa. Një ngjashmëri me 1943-shin, kur unë isha i vogël në Paramithi u vranë në mal djemtë e Nurejve, Sulejmani, Hamidi dhe Eqeremi, të cilëve pasi iu grabitën bagëtitë, njërin prej tyre e copëtuan, dhe kur shkuan të marrin të vrarët, mezi i mblodhën këmbë e duar veç e veç, dhe i futën në një thes. Në Kolonjë, në fshatin Dukë, i vranë të gjithë banorët. Grave shtatzëna u prenë barkun me bajonetë; në Luadhë u vranë 29 burra dhe gra, e në fund trupat e tyre i dogjën. Në Korçë, Kolonjë morën 600 burra dhe i burgosën në Selanik, sepse kishin deklaruar se ishin shqiptarë. Raporti ka të renditur mbi 200 shqiptarë, emër më emër, të vrarë mizorisht. Çfarë donin grekët brenda kufijve shqiptarë? Në provokacionet e gushtit 1949 prapë cenim i tokës shqiptare, në Peshkëpi po ashtu. Vetë Zerva më 1944-ën u kërkoi aleatëve që me forcat e tij të kalonte te minoriteti grek në jug. Për ta mbrojtur atë nga pushtuesit gjermanë, aleatët nuk e lejuan Në këtë shkrim kam pasur parasysh, autorë grekë, europianë dhe amerikanë, si Gustav Majer te Raporti Britanik i nënkolonel Palmerit, i vitit 1945 “force-399”, i cili thotë: “Urrejtja greke karshi shqiptarëve është tradicionale”. Kur them grekë, e kam fjalën për elitën politike dhe kishtare greke.

Të gjitha dokumentet që disponoj tregojnë urrejtjen greke karshi shqiptarëve islamë. Kjo urrejtje e ka qendrën në Athinë dhe nxitet nga krerët politikë dhe kishtarë grekë. Frymën e urrejtjes e kanë futur dhe te disa klerikë shqiptarë. Historiani grek Nikolla Stavro shprehet: “Futja në dorë e kishës orthodokse shqiptare”.

Urrejtja e Kishës Greke karshi islamit ka të bëjë edhe me megalomaninë dhe ndjenjën e më të fortit kundra islamizmit, por edhe kundra katolicizmit, protestantizmit, judaizmit e të gjitha feve te tjera. Ata kujtojnë se krijuan kristianizmin lindor dhe e përhapën atë. (BEja ka si parim krahas lirisë së besimit, edhe respektin për të gjitha besimet). Në BE është Greqia, e cila lufton gjithë fetë e tjera për të dominuar veten, por BE-ja shprehet: “BE-ja ka si parim, krahas lirisë së besimit, dhe respektin për të gjitha besimet”.

Çamët në Greqi u quajtën popull humbës, dhe u trajtuan si të tillë, duke u etiketuar turko-çamë apo turko-alvanos, më vonë si italofilë, dhe në fund si bashkëpunëtorë të gjermanëve. Më 1944-ën nga disa autorë grekë u quajtën edhe shqiptaro-çamë. Me një marrëveshje me qeverinë turke në vitet 1922-‘23- ‘24 u vu në zbatim “Andallaija” (ndërrimi i popullsisë).

Çamë me grekët e Azisë së Vogël. Lozana më vonë vendosi që të ndërpritej “Andallaija”, sepse çamët nuk ishin turq, por shqiptarë. Vetë ish-Kryeministri i Greqisë, armiku i shqiptarëve, Eleftero Venizellos, do të deklaronte në letrën që i dërgonte Sekretarit të Lidhjes së Kombeve, Sir Erik Drummond. “I telegrafova qeverisë sime, për t’i tërhequr vëmendjen për pozicionin e myslimanëve, shtetas grekë, por me kombësi shqiptare, të cilët nuk duhet të barazohen me turqit në zbatimin e Konventës për Shkëmbimin e Popullsisë”. (Dhimitër Mihalopullos tek “I Camidhes”, fq. 59).

Dhe për t’i dhënë fund këtij debati, përfaqësuesi grek në Lozanë “Kakllamanos” deklaroi: “Greqia nuk ka ndërmend të vazhdojë me shkëmbimin e myslimanëve shqiptarë. Shqiptarët jetojnë në një rajon të përcaktuar të Epirit, dhe, edhe pse janë të së njëjtës fe me turqit, nuk janë bashkatdhetarë me ta” (Dhimitër Mihalopullos tek “I Camidhes” fq. 57)

Pra, minoriteti shqiptar në Greqi mori aprovimin e Lidhjes së Kombeve dhe do të trajtohej si i tillë në bazë të ligjeve ndërkombëtare, gjë që nuk u realizua asnjëherë. Megjithëse çamët nuk ishin minoritet, por shqiptarë autoktonë, të cilët jetonin në një territor të caktuar të Epirit. Dhe për ta vërtetuar këtë vijnë në ndihmë shumë autorë të huaj, ku njëri prej tyre është profesori historisë së Universitetit të Harvard-it , amerikani Albert Bushnet Hart, i cili shkruan: “Grekët erdhën në atë tokë që jetojnë rreth 25 shekuj më parë. Romakët 20 shekuj, bullgarët rreth 11 shekuj, por shqiptarët gjendeshin aty, ku janë sot, para se grekët e parë të shfaqeshin në ato toka” (Gazeta “Panorama”, 30 janar 2012).

Ky popull flet ende një gjuhë aq të vjetër sa edhe ajo e etruskëve. Ky popull nuk është asimiluar nga pushtuesit, e po ashtu civilizimi nuk ka mundur të depërtojë dhe askush nga fuqitë ballkanike nuk e ka forcën fizike apo potencialin njerëzor për ta çuar Shqipërinë drejt civilizimit, ky popull është malësori skocez i Ballkanit, indiani amerikan.

Jam zgjatur pak për të arritur atje ku ne, shqiptarët e Çamërisë dhe gjithë shqiptarët e tjerë aty ku ndodhen, të marrin vesh dhe të njohin në themel tragjedinë e këtij populli martir, tragjedinë që të huajt thonë se kullon akoma gjak. Unë, si i mbetur i pakët (mund të jemi akoma sa gishtat e dorës) dua të falënderoj gjithë të tjerët që kanë shkruar për Çamërinë (gjest patriotik), për gjenocidin që pësoi ky popull, për masakrat çnjerëzore që do ta kishin zili kanibalët. Unë gjithmonë i qëndroj pranë kësaj katastrofe njerëzore, duke u bazuar tek autorë, historianë, filozofë të huaj, përfshirë edhe ato grekë, që të nxjerr në pah të drejtën njerëzore për t’u dhënë përgjigje fëmijëve të mbetur jetimë që pyesin PSE, PSE, PSE ndodhi dhe çfarë u kemi bërë? Për të tundur politikën greke, politikën tonë dhe atë europiane, që heshtin ndaj një të vërtete të madhe, ndaj therjes së fëmijëve në sy të prindërve të tyre, ndaj nxjerrjes së syve të atyre që donin t’u mësonin gjuhën shqipe fëmijëve, atyre që besonin në një Zot të përbashkët, por me fe të ndryshme.

Masakrat do t’i vendos në gojën e tyre (pra le t’i thonë vetë grekët dhe të huajt), sepse ne i kemi shënuar të gjithë në Kllogjër, te varrezat. Autori grek Niko Zhango te libri “Imperializmi Anglez dhe lufta e popullit grek për liri”, botim i vitit 1985, rendit emër për emër çamët që zervistët vranë dhe masakruan. Unë nuk do t’i përmend të gjithë, por disa vrasje të spikatura.

Meko Pronjo – motra e Lik Pronjos, pasi e vranë, e kryqëzuan në mur me perona.
Dautin – lypsarin bari: e vranë duke e ditur që ishte me të meta mendore dhe shumë i varfër.
Sanije Nurin (Bollati) pasi e përdhunuan, e dogjën me benzinë.
Malo Kekecin (fshesaxhiu i qytetit) e therën në oborrin e shkollës si kec.
Vranë disa fëmijë nën 15 vjeç:
Xhavit Abdullai dhe motra e tij, fëmijët e myftiut, 14-15 vjeç;
Djali i Muharrem Bollatit, 12 vjeç;
Harun Iljazi, 14 vjeç;
Fuat Bollati, 15 vjeç;
Djali i Qani Bollatit, 11 vjeç;
Djali i Tahir Bilit, 8 vjeç;
Dy vajzat e Rexho Berberit, 8-10 vjeç;
Dy djemtë e Nuh Dinos, 10-13 vjeç;
Dy fëmijët e vajzës së Nuh Dinos, 1 dhe 3 vjeç;

Abdulla Salica, 16 vjeç etj. Xhelal Minit i presin kokën me bajonetë mbi trupin e myftiut, 80 vjeç. Malo Muhos i presin kokën dhe trutë i kërcejnë të shoqes në prehër.

Të gjitha këto vrasje nuk i them vetëm unë, por greku (historian dhe shkrimtar) Niko Zhango.

Vranë Omer Muratin duke i hequr me bajonetë lëkuren e trupit (“Nuk ka një plumb për mua?”, tregon dëshmitari).

(Analogji me oficeren naziste Mariza Koh, e cila i kishte qejf abazhurët me lëkurën e hebrenjve).

Vranë të parin në rrugë Myftiun e Paramithisë. Trupi i tij ishte gjysmë i zhveshur. Vranë në shkollë vëllezërit Gani dhe Abedin Bako. Pasi i vranë u nxorën sytë. Pastaj dy zervistë sytë ua sollën motrave, Hajries dhe Mekos në burgun e grave. Atyre u ra të fikët. I vetmi faj i tyre ishte se u mësonin fëmijëve çamë gjuhën shqipe.

Pasi i vranë djalin, zervistët shkuan te Ballkizeja dhe ia dhanë të vrarë. Ajo u tha me gjithë dhimbjen që ndjeu: “S’ka gjë. Luftë është, kam dhe tre të tjerë”

Para masakrave vranë myftiun e Filatit, Mehmet Zeqiriajin, dhe Fejzo Bakiun nga Paramithia për të njëjtën arsye. Vranë Haxhi Shehin në Paramithi dhe e varën në një çengel. Masakruesi, që e hiqte veten si Kasap, bërtiste: “Hajde mish, ç’pjesë doni”. Para se ta vrisnin i thonin “pu tin ejis ti shqilla” (ku e ke femrën e qenit), sepse Haxhiu ishte dhe anëtar i KESHILLIT të myslimanëve.

U ekzekutuan 18 veta tek Përroi i Kariotit.
U ekzekutuan 11 veta në Shën Panaja.
U ekzekutuan 27 veta poshtë vendit ku u vranë 49 grekë nga gjermanët.
U ekzekutuan të tjerë në shtëpitë e tyre, në shkollë, në rrugë e kudo gjendeshin.
U ekzekutuan Hamdi Demi, me tre djemtë.
U ekzekutuan Lik Pronjo, Veli dhe Azem Pronjo.
U ekzekutuan Isuf Pronjo, Qazim Rexhepi, Salih Hafuzi me djemtë (Nuhu dhe Tati dhe nipi Haki Myftarit).

U ekzekutuan Meko Pronjo (motra e Likut), të cilën e kryqëzuan pastaj me gozhda.

Vranë lypsarin-bari (Dautin), i cili s’ishte në gjendje për asgjë, veç të tregonte për mungesën e tij mendore dhe rrobat copë e çikë.

Ekzekutuan myftiun e Paramithisë (Hasan Avdullanë) me gruan dhe fëmijët.

U ekzekutua Muharrem Bollati, me të birin, Brahon, me të shoqen dhe djalin 12-vjeçar.

U ekzekutua e shoqja e Rahmi Nurit, Sanije Nuri (Bollati), të cilën e dogjën me benzinë. U ekzekutua Harun Iljazi, 14 vjeç, Agako Bollati, Beqir Hyseni, Xhelal Bollati me të birin, Myzaferin.

U ekzekutua Luf Bollati, me të birin, Fuatin, 15 vjeç.

U ekzekutua Qani Bollati, me të birin 11 vjeç. U ekzekutua djali i Tahir Bilit 8 vjeç.

U ekzekutua Rexho Berberi me gruan dhe vajzat 8-10 vjeçe. U ekzekutua Avdo Hima, Gani dhe Abedin Bako, Fejzo Baki, Rexhep dhe Vesel Breka.

U ekzekutua gruaja e Nuhut të Asim Dinos me vajzën dhe djemtë (Lutfiu 14 vjeç dhe Asimi 10 vjeç) dhe dy fëmijët e vajzës (3 dhe 1 vjeç), si dhe burri i vajzës, Ahmet Beu i Fuat Pronjos.

U ekzekutua Omer Murati dhe Omer Merxhushi; vellezërit Esat, Emin dhe Enver Elezi, Met Elezi, Haxhi Shehi; djali i Agako Beqo Sadikut, Nedini 11 vjeç.

Malo Kekecin e therën te shkolla si kec. U ekzekutua Malo Salica, Avdulla Salica 17 vjeç, Hajri Kupi me shokun e tij, Mustafanë; Kupin e Dem Beqirit (Maksut Beqirin) me të shoqen e tij etj., etj. SHENIM I AUTORIT: Nga mania për të gjetur para, disa andartë gati sa nuk u vranë me njëri-tjetrin. Në shtëpinë e madhe (burg) të Sali Hafuzit vdiqën mbi 30 fëmijë nën 3 vjeç, sepse përdornin qumësht pluhur, ku si sheqer përdorej xham i thërrmuar. Masakrat më çnjerëzore të kriminelëve zervstë u bënë në Paramithi, në shkollën 9-vjeçare “Dhimotiko Skolio”, ku sot bëhet mësim akoma, ku nxënësit marrin kulturë.

Në këtë shkollë torturoheshin më parë, pastaj vriteshin.

I hidhnin nga kati i tretë i shkollës, të lidhur. Dëshmitari Estref Tare (që ishte fshehur ditët e masakrave) u caktua bashkë me dy të tjerë që t’i varrosnin trupat e çamëve të lidhur në gropa masive. Unë i di ku janë këto gropa.

Po të doje Evropa dhe politikanët tanë, unë ua tregoj. Niko Zhango vazhdon:

– Në Margëlliç gjetën plakun 80-vjeçar, Qamilin, dhe e vranë bashkë me gruan.

– Në Karbunarë vranë një nënë me 5 fëmijë të vegjël.

– Në Pargë shqiptaro-çamët e mbetur u paraqiten tek anglezët me fëmijët e tyre për ndihmë.

Këta i dërguan te zervistët dhe trimat helenë i vranë në Kala. Niko Zhango zënien e Paramithisë e përshkruan kështu “Nuk është e mundur të jepet numri i saktë i shqiptaro-çamëve të Paramithisë që u ekzekutuan nga zervistët në grupe ose veças, sepse në Paramithi kishin gjetur strehë dhe disa shqiptarë të fshatrave përreth, por dua të theksoj, se me 27 qershor 1944, pasdite, u përhap nëpër shtëpitë e Paramithiotëve një hije e zezë.

Andartët me pushkë në dorë hynin në shtëpitë e shqiptaro-çamëve dhe bënë atë që menduan si deshën” (faqe 259-261). Gjithë çamët e gjetur u vranë dhe u hodhën nëpër kanale. Vranë 3 vajzat e Muharrem Agushit, nusen e Hantos dhe Aishe Agushin(faqe 270).

Artikullin po e mbyll, por çështja çame do të qëndrojë e hapur deri sa të gjejë zgjidhjen e duhur në bazë të ligjeve ndërkombëtare që kanë edhe fuqi prapavepruese. Jo me dhunë dhe as me rivendikim kufijsh.

Ajnshtajn thoshte: “Problemet nuk mund të zgjidhen me mentalitetin që ato u krijuan, por me kalimin e kohës ato kërkojnë një mentalitet të ri”, dhe këtë mentalitet e solli demokracia dhe ne duhet ta shfrytëzojmë atë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura