PS s’ka votat e aleatëve për të rrëzuar dekretin e Nishanit, shtyn votimin për kamerat e sigurisë

Jun 23, 2016 | 13:21
SHPËRNDAJE

Maxhoranca është përçarë në Komisionin e Sigurisë gjatë shqyrtimit të dekretit të Presidentit Bujar Nishani, i cili ktheu për rishikim në Kuvend projektligjin “Për masat shtesë të sigurisë publike”, ose siç u njoh ndryshe: ligji i kamerave të sigurisë.

Kamerat në qytetin e Tiranës
Kamerat në qytetin e Tiranës

Kjo e ka detyruar edhe këtë të enjte në Kuvend që të tërhiqet dhe të shtyjë votimin e dekretit.

PS kërkoi sot heqjen nga rendi i ditës së projektligjit të kamerave të sigurisë. Por nuk i ka votat e aleatëve, LSI dhe PDIU.

Partia Socialiste është braktisur në Komision nga dy aleatët e saj gjatë votimit të dekretit të Presidentit. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, që në Komisionin e Sigurisë përfaqësohet nga deputeti Aqif Rakipi, ka bashkuar votat me deputetët e Partisë Demokratike. PD dhe PDIU kanë votuar që dekreti i Presidentit të mos rrëzohej.

Por, duke qenë të pakët në numër, Flamur Noka, Asllan Dogjani dhe Aqif Rakipi kanë mundur të mbledhin vetëm tri vota pro. Ndërsa nga ana tjetër, gjatë thirrjes për votim, Lëvizja Socialiste për Integrim ka votuar abstenim.

Katër deputetët e LSI-së, Spartak Braho, Luan Rama, Shkëlqim Selami dhe Ylli Shehu kanë abstenuar duke lënë në baltë socialistët. Por, nëse LSI dhe PD do të kishin votuar kundër rrëzimit, atëherë socialistët nuk do të kishin mundur të kalonin në seancë dekretin e Presidentit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura