PS si histori suksesi dhe sfidat për modernizimin

Jul 3, 2015 | 12:33
SHPËRNDAJE

ANASTAS ANGJELI

    Dy vjet. Dy palë zgjedhje parlamentare dhe lokale. Dy sfida për PS dhe vendin tonë. Dy fitore. Dy fitore, që po i sjellin ndryshimin e madh vendit. Ndryshim, i cili duhet të vazhdojë me një dinamizëm te ri dhe gjithëpërfshirës.

Partia Socialiste-kontribut madhor në transformimin dhe zhvillimin e vendit
Kur vendi hyri në udhën e ndryshimit demokratik në fillim të viteve ‘90 të shekullit të kaluar, kishte nga ata që mendonin se Shqipëria do kishte pak nevojë ose aspak për një forcë të majtë të tipit socialdemokrat. Porse historia pothuaj 25-vjeçare e transformimeve demokratike të vendit dhe zhvillimi përmes ekonomisë sociale të tregut, gjithçka që është realizuar në këtë periudhë të ndryshimeve të vrullshme, e në shumë drejtime pothuaj të paimagjinueshme, në krye të herës, kanë pa dyshim në themel dhe kontributin, mundin, mendjen dhe vullnetin, ekspertizën dhe kulturën shtetërore e ligjformuese të Partisë Socialiste në përgjithësi dhe të personaliteteve të saj në veçanti. Është kjo parti që transformoi veten, ndaj edhe vendin si kur ka qenë në pozitë, ashtu edhe në opozitë.
Serioziteti ndaj fateve të vendit, përkushtimi ndaj reformave, kultura e drejtimit të shtetit, marrëdhëniet serioze me shoqërinë civile, kujdesi ndaj pushtetit të medias, raportet me shtresat e ndryshme të shoqërisë, moshumbja e fokusit ndaj problemeve sociale, interesimi për një zhvillim harmonik, kurimi me kujdes i plagëve të rënda ekonomike e sociale që ka krijuar transicioni, mbajtja e një dialogu konstant me faktorin ndërkombëtar dhe politika konstruktive e jashtme euroatlantike e rajonale etj., nuk mund të përballoheshin pa një parti të shëndetshme, që pa ndërprerje ka mbajtur mbi shpatulla këto përgjegjësi historike.
Është një histori çerekshekullore e zhvillimit demokratik të vendit. Unë besoj se nuk ka aspekt të transformimit të jetës politike, shoqërore, ekonomike, që nuk mban edhe vulën e kontributit të madh të Partisë Socialiste.

PS feston fitoren, por çfarë vjen pas?
Brenda dy vitesh, 2013-2015, elektorati i majtë dhe ai progresist na dha dhe ridha (dy herë) besimin, paçka se partia si organizëm politik, ideologjik dhe organizativ duket se ka nevojë për rigjallërim. Kjo sepse janë po këta njerëz seriozë dhe fisnikë, që mbajnë në shpatullat e tyre dhe në jetën e përditshme të familjeve kostot e rënda të reformave, edhe pse të nevojshme e të domosdoshme, dhe pasojat jo të dëshiruara të keqqeverisjeve të djathta në të gjithë nivelet e pushtetit. Veç respektit dhe mirënjohjes për votuesit që na besuan sërish edhe në këto zgjedhje, fitoret duhen lexuar me vëmendje, situatat duhen parë kudo si në zonat ku bashkitë janë fituar (që përbëjnë një shumicë absolute), por edhe në ato zona ku janë humbur. Lypset t’i kthehemi Partisë përmes një analize tërësore të situatës konkrete, jo thjesht atje ku kandidati mund të jetë refuzuar me votë, por se partia është mbështetur dhe anasjelltas. Jo “për të vrarë e prerë”(natyrisht qëndrime do mbahen), por për të kuptuar realitetin politik e partiak dhe atë ekonomik e social të vendit, më mirë. Ne duhet t’i kthehemi një analize jo thjesht të rezultatit sesa të jetës së Partisë, të organizimit dhe funksionimit të saj, të kontributit dhe interesave të saj.

Na duhet një raport i drejtë me prioritet shtim të anëtarësisë militante, me ideal e vizion dhe jo thjesht pragmatiste, përfituese, apo thjesht për interesa të momentit tërësisht personale. Më tej. Na duhet një kulture e re politike në gjithë Partinë. Kudo në rang vendi do duhet një analizë serioze e gjendjes së partisë në të gjitha këndvështrimet, dhe raportet me partitë aleate, si ato të spektrit të majtë dhe me ato të qendrës apo spektrit të djathtë, që iu bashkuan ASHE-së në zgjedhjet lokale qershor 2015. Nëse zgjedhësi beson te qeverisja jonë, te reformat e ndërmarra, te drejtimi i zgjedhur europianist, do duhet që ky besim të jetë po në të njëjtin nivel dhe intensitet edhe te Partia Socialiste dhe kjo është një çështje që nuk duhet anashkaluar. Ndërkaq, kjo nuk do të thotë se gjithçka është “rozë”. Atje ku duhet korrigjuar, nuk duhet ngurruar. Kjo është një sfidë e kohës përballë PS.  

Natyrshëm Partia Socialiste, pra ka nevojë për një riorganizim të ri, programor dhe në struktura, në drejtim dhe në jetën e saj në tërësi, përmes diskutimit dhe zgjedhjeve të reja në të gjitha strukturat në parti …shoqëria jonë është në ndryshim dhe zhvillim të vazhdueshëm. Edhe partitë politike duhet të ndryshojnë. E rëndësishme është kush ndryshon e para, më shpejt, më mirë dhe në drejtimin e duhur. Sepse pa një parti në proces të vazhdueshëm transformimi nuk mund të pretendohet se kemi mundësi që të ndërtojmë një shoqëri në proces të pandërprerë ndryshimesh. Kjo është një sfidë tjetër përballë synimit për modernizim të PS. Kudo dhe kurdoherë partitë politike e aq më tepër ato socialdemokrate janë organizata të tilla, ku zien një debat i hapur dhe konstruktiv për problemet e mëdha shoqërore, politike, ekonomike e sociale, ku në dekadat e fundit përfshihen ato të ngrohjes globale dhe mbrojtjes së ambientit, të zhvillimit të teknologjisë dhe inovacionit teknik, të arsimit dhe zhvillimit të familjes, luftës kundër varfërisë dhe punësimit, shërbimeve publike dhe shëndetit publik. Edhe Partia Socialiste e Shqipërisë do duhet të vijë në këta parametra, duke mbajtur në memorien dhe sjelljen e saj politike traditat më të mira, por se duke zgjeruar debatin e saj të brendshëm në të gjitha nivelet në këto problematika.

Ne duhet të mbërrijmë në një realitet të ri, siç ndodh edhe në simotrat socialdemokrate, që problematika dhe programimi partiak të jetë “materia” mbi të cilën ngrihen programet qeverisëse. Kjo do të mbajë partinë si një organizatë politike, ku ka interesa anëtarësimi në vazhdimësi, ku jeta e organizatave është e gjallë dhe e adresuar në problematika të gjera sociale. Prandaj çështja e rinovimit të programit të PS është një sfidë tjetër e radhës përballë saj. Njëherësh me programin, pa dyshim nevojiten ndryshime edhe në dokumentet e tjera të PS, në statut dhe rregulloret e saj. Unë besoj se këtu nuk është fjala thjesht për të ndërtuar ca “grupe pune” apo për të ndryshuar “disa nene në statut apo rregulloren e partisë”. Kjo do të ishte gjëja më e thjeshtë dhe natyrisht që duhet. Por që ajo të mos kthehet në një praktikë “demode” tashme “të konsumuar disi”, do të duhet që këto ndryshime, më së pari të jenë rrjedhojë e diskutimeve në parti dhe më gjerë dhe e reflektimit të realiteteve të zhvillimit dhe e angazhimit të forcave dhe kapaciteteve të fushave të ndryshme, të cilat PS-së nuk i kanë munguar.

Po pse këto ndryshime?
Natyrisht përballja me këto sfida të riorganizimit dhe modernizimit dhe zgjedhjeve në të gjitha strukturat, janë tërësisht të motivuara nga zhvillimet e brendshme dhe globale e rajonale, nga vetë zhvillimet dhe ndryshimet në të majtën.
Shqipëria dhe shoqëria jonë e sotme është pa dyshim shumë më ndryshe se 25 vjet më parë, dhe se 10 vjet më parë, kur ne nisëm jetën në opozitë apo dhe dy vjet më parë, kur ne erdhëm në pushtet si forcë politike. Ndryshimet janë politike, ekonomike, sociale etj.
Reformat qeverisëse të ndërmarra janë më të avancuara se ideologjia dhe filozofia partiake. Kjo ka brenda vetë riskun, sepse shumë njerëz edhe brenda partisë, duke mos kuptuar nevojën dhe domosdoshmërinë e tyre, nuk i mbështesin me ndërgjegje, për të mos thënë që ka raste që i pengojnë qoftë edhe duke shprehur pakënaqësi në debatet e përditshme verbale. Reformat nuk janë të lehta dhe pa kosto, ndaj kur ka paqartësi në radhët e anëtarësisë së partisë, dobësohet mbështetja shoqërore. E, nëse në reformat e ndërmarra nuk të mbështet partia jote ose një pjesë e saj, si mund të pritet që të të mbështesë anëtarësia e partive kundërshtare?

Njëherazi edhe shume faktorë të jashtëm kanë ndryshuar, evoluar. Dekada e fundit edhe në rang global ka bërë që shoqëria globale të njohë ndryshime të mëdha dhe të thella. Globalizmi me të gjitha reperkusionet e veta ka moduluar e rimoduluar programet dhe fizionomitë e partive politike. E majta klasike socialdemokrate i është nënshtruar një procesi rindërtimi, si filozofi, si mentalitet, si program, si fizionomi dhe si entitet politik e organizativ. Duhet mësuar nga sjellja e tyre politike në raportet me forcat e qendrës, por edhe ato të së majtës ekstreme, që në kushtet e valës antiglobaliste janë në një veprimtari të ethshme kundërshtuese. Në Europë, por edhe gjetiu, është riaktivizuar ekstremi i djathtë antiemigracion dhe deri te partitë e ekstremit të djathtë fashist. Internacionalja socialiste dhe PSE kanë humbur disi shkëlqimin e dikurshëm dhe rolin e saj në hapësirat ndërkombëtare, çka lë gjurmë edhe në densitetin e punëve dhe aktivitetit të partive anëtare të saj. Prandaj dhe ajo vetë është në proces zhvillimi. E majta galvanizon shumë parti të tjera, që duan të strehohen te shqetësimi social qytetar, me qëllim që të maksimalizojnë nivelin e tyre të përfaqësimit. Problemet sociale janë shtuar, janë bërë më komplekse, më të ndërvaruara dhe më të agravuara në shumë aspekte dhe drejtime. Përballë tyre nuk mund të heshtet, nuk mund të pritet apo më keq të vegjetohet. Udhëheqësia e partisë, kryetari  i partisë, forumet, grupi i deputetëve, personalitetet e saj në të gjithë brezat duhet të përfshihen në këtë ndryshim thelbësor. Por është e nevojshme të ndryshojmë kuptimin mbi vetë ndryshimin.

Partia Socialiste e Shqipërisë do duhet të mbajë këtë drejtim ndryshimi: ky është drejtimi i duhur. Është me interes që këto eksperienca të studiohen. Ç’do të thotë zhvillim i qëndrueshëm, rritje apo barazi sociale në kuptimin social demokrat gjerman, suedez apo britanik? Përgjigjja e ka emrin përvojë e gjatë e provuar dhe e sprovuar. Problematikat e modelit ekonomik, e prioriteteve të zhvillimit, ato bankare financiare dhe monetare, kriza në eurozonë,  terrorizmi ndërkombëtar, lufta kundër ekonomisë informale dhe korrupsionit, problemet e energjisë dhe të ujit, arsimi, problematikat e familjes, zhvillimi i qëndrueshëm dhe ambienti, rritja ekonomike, dhe barazia sociale etj; e kanë sjellë shoqërinë globale përballë sfidave shumë të mprehta. Përballimi dhe zgjidhja e tyre nuk mund të bëhet vetëm nga partitë politike pa qeverisjen, por as edhe vetëm nga qeverisja pa partinë si masë anëtarësie, por edhe si organizëm i gjallë dhe aktiv. Kështu, partia me burimet e saj njerëzore, me kapacitetet intelektuale dhe teknokrate, me think-tanket e saja do duhet të ushqejë mendimin krijues në çdo kohë, si në raste kur forca jonë politike është në opozitë dhe përgatitet të vijë në pushtet, ashtu dhe kur është në pushtet dhe përpiqet që të bëj realitet programin e vet…

Nuk ndodh që pa pasur një parti të tillë të vish dhe te rivish në pushtet dhe t’i hapësh rrugë zhvillimit, përfshi edhe atë të vetë partisë. Pa partinë dhe anëtarësinë e saj as vihet në pushtet, as mund të qëndrohet në pushtet. Ja përse të gjithë në PS jemi përballë këtyre sfidave dhe një detyrimi madhor për të rikonceptuar dhe rivitalizuar jetën e partisë.
Idealiteti dogmatik ka rënë në plan global sa kohë që përballë krizës globale dhe asaj në Eurozonë, edhe partitë e djathta të Europës Perëndimore dhe, më gjerë, u detyruan të përfshihen ne debatin “masa shtrënguese apo zhvillim i qëndrueshëm”. Madje, disa prej tyre të bënin e të vijojnë të kryejnë politika dhe ndërhyrje të tipit të kujdesit socialdemokrat. Teoria e “duarve të fshehura” ra. Sot flitet për ndërhyrje të zbuluara, madje edhe nga faktorë ekstraekonomikë që vijnë nga vendimmarrja politike, sepse parimi është sot “sa më pak gabueshmëri”. Ndaj kryesore është pikasja në kohën sa më të shpejtë të gabimit dhe ndërhyrja për korrigjim, duke i quajtur politikat qofshin edhe ato ekonomike- si thotë George Soros, “paragjykime pjellore”. Kjo ka bërë që shumë forca politike të ikin nga identitetet e tyre tradicionale filozofike e programore, sepse është në një dinamizëm imponues terreni politik, ekonomik, social, si dhe ndryshon përbërja antropo-ekonomike në anëtarësi.

Shtohet shtresa e mesme, vijnë gjenerata të reja, ndryshojnë mentalitet, ndaj në teoritë e sotme moderne nuk flitet për identitetin njëjës, por për strukturë shumës identitare ose për nënstrukturat e identitetit. Një ndërtim i tillë organizativ dhe strukturor dhe një filozofi e tillë e përshtatjes utilitare, me qëllim shmangien e pasojave të padëshiruara, sipas parimit të laburistëve britanikë, të menaxhohet risku që ai të mos kthehet në rrezik”, është i nevojshëm. Kjo lejon që falë një fleksibiliteti ndaj dogmatizmit ideologjik, edhe një parti e majtë socialdemokrate, siç është PS e Shqipërisë, do duhet të ndërmarrë reforma institucionale dhe ekonomike që kapërcejnë traditën dhe sjellin një frymë ndryshe, pa humbur asnjëherë, që aksi të mbetet zhvillimi i qëndrueshëm i përgjithshëm i vendit me një ritëm të përshpejtuar. Kjo filozofi sjelljeje, ky tejkalim i disa pikëpamjeve tradicionale do duhet të ndodhë fillimisht brenda vetë partisë. Ajo do duhet të mos ketë drojë të shohë më larg pa pasur vetëpengimin e tabuve ideologjike. Brezat e rinj kanë një formim të një lloj ideologjizmi ndryshe, jo dogmatik, ata janë më utilitarë dhe më të hapur për kompromisin me ndryshimin dhe më pak të shqetësuar nga kapërcimi i disa principeve, që më shumë janë tregues të një identiteti të tejkaluar, që më shumë mbetet si një e shkuar që duhet strehuar te kujtesa dhe që nuk mund të jetë më filozofi e sjelljes. Por, parti pa rregulla nuk ka, parti pa program nuk ka, parti pa struktura dhe udhëheqje nuk ka, parti pa përgjegjësi kolektive dhe individuale nuk ka. Partia është organizëm i gjallë dhe jo një klub ku shprehen hobitë dhe imagjinata!

***
Ndërtimi i një kulture të re pune modernizimi, organizmi dhe funksionimi të Partisë Socialiste, pra, është e mundur. Kjo parti ka treguar në çdo periudhë të këtyre 25 viteve se e ka pranuar ndryshimin, ka përballuar sfidat. Një Shqipëri europiane kërkon edhe një PS me europiane. Vetëm kështu, me një dinamizëm te ri politik, PS mund të shkoje e sigurt në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Le ta konsiderojmë këtë arsyetim si fillimin e një debati të gjerë dhe të gjallë në prag të procesit të fillimit të këtij aksioni të madh politik të PS
*Deputet i PS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura