PS-ja riorganizohet pas zgjedhjeve, si do të jetë skema e re organizative

Aug 29, 2015 | 22:19
SHPËRNDAJE

Partia Socialiste ka nisur riorganizimin e strukturave të saj, sipas ndarjes së re administrativo-territoriale, duke e ndarë Shqipërinë në gjashtë rajone.

 

ap828846149369

Për secilin nga rajonet do të ngarkohet një deputet apo një ministër i qeverisë Rama, i cili do të jetë koordinatori për njësinë territoriale, ku do të ketë si kompetencë riorganizimin e degëve të selisë rozë, procesin e investimeve, si dhe emërimet në administratën e pushtetit vendor.

Një rajon do të përbëhet nga dy qarqe. Dje gjatë takimit të zhvilluar me deputetët e qarkut të Vlorës, Kryeministri Rama ka prezantuar koordinatorin e rajonit të Jugut, që përbëhet nga qarqet Vlorë- Gjirokastër, deputetin socialist, Koço Kokëdhima.

Gjatë takimit të zhvilluar në Vlorë me deputetët e këtij qarku, ra në sy mungesa e deputetes Valentina Leskaj dhe Fatmir Toçit. Ndërkohë që të pranishëm ishin deputetët Mira Shehu dhe Andrea Marto.

RAJONET

Kryeministri Rama pritet të zyrtarizojë në ditët në vijim dhe koordinatorët e 5 rajoneve të tjera. Dy qarqet Berat dhe Fier do të kenë si drejtues, ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi. Rajoni kryesor, që përbëhet nga dy qarqet Tiranë dhe Durrës, do të drejtohet nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Ndërkohë që Elbasani dhe Korça, që do të jenë në një rajon të vetëm, do të kenë si koordinator nënkryetarin e grupit të PS, Taulant Balla.

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, është përzgjedhur nga Kryeministri Rama për të drejtuar rajonin që do të përbëhet nga Kukësi dhe Dibra. Burimet bëjnë të ditur se nuk është përzgjedhur ende koordinatori i Rajonin që do të përbëhet nga qarku i Shkodrës dhe Lezhës. Ndërkohë është vendosur që Kryeministri Rama do të ketë nën mbikëqyrje tre rajonet e veriut, ndërsa Gramoz Ruçi tre të jugut.

DORËHEQJET

 Ristrukturimi i degëve të Partisë Socialiste do të shtrihet në të gjithë vendin, por puna kryesore do të përqendrohet në degët që PS kanë humbur më 21 qershor. Drejtuesve të degëve të selisë rozë në qytetet ku PS nuk arriti rezultat pozitiv, mësohet se u është kërkuar të japin dorëheqje për t’i hapur rrugën riorganizimit të strukturave.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura