PS-PD bien dakord për ndryshime në ligjin për dosjet e ish-Sigurimit! Balla: Gati të mbështesim propozimet! Tabaku: Do i sjellim në ditët në vijim

Jul 29, 2022 | 8:03
SHPËRNDAJE

KELMENT BAÇI/ Maxhoranca dhe opozita duket se kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të bërë ndryshimet e nevojshme në ligjin për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Një ditë pas debatit që nisi nga një kërkesë e Autoritet të Dosjeve drejtuar Kuvendit për ndryshime në ligj për shkak se një profil i lartë politik me iniciale I. M., ish-Presidenti Ilir Meta, figuronte në dosjet e ishSigurimit, palët kanë shprehur në Parlament qëndrimet e tyre për këtë çështje.

Pjesa e PD-së që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj, ka bërë të qartë qëndrimin e saj për dekomunistizimin e politikës dhe shkëputjen nga e kaluara. Një ditë më parë, ai i tha Nikollës se:

“PD jo vetëm ka kërkuar, por ka përgatitur edhe projektligjin për dekomunistizimin. Kemi depozituar projektligjin për kthimin e Spaçit dhe Tepelenës në muze kombëtarë. Kemi kërkuar sistematikisht deklasifikimin e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, madje edhe 1 javë më parë në Kuvend, e do të depozitojmë iniciativën përkatëse për këtë qëllim”, duke kërkuar mbështetjen e maxhorancës për nismën.

Gjatë seancës së djeshme, kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla, iu përgjigj pozitivisht kësaj thirrjeje, duke thënë se maxhoranca është gati të mbështesë çdo iniciativë ligjore, duke i “hapur rrugë” një propozimi të mundshëm nga PD.

“Sot duhet t’i japim një mbështetje të plotë Autoritet për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, i cili është vënë sot qoftë nën shënjestrën e ‘non grata’- ve dhe qoftë nën sulmet e bashkëpunëtorit të shtetit. “AIDSSH kanë alarmuar Kuvendin ku kanë arritur bashkëpunëtorët. Duhet t’u japim drejtim atyre ndërhyrjeve ligjore që zoti Alibeaj tha dhe shpresoj që zoti Alibeaj të mbajë fjalën deri në fund. Kërkoj që Autoriteti i Dosjeve të rishikojë certifikatën e pastërtisë së kujtdo që kanë hyrë në politikë me përgjues në trup si shërbëtorë të Sigurimit të Shtetit. Do jemi këtu, Grupi i PS-së është gati dhe do mbështesë propozimet ligjore edhe në Kodin Zgjedhor. Shpresoj që PD të reflektojë. Nëse doni ju ta merrni iniciativën, bujrëm, ne do t’i votojmë dhe mbështesim ato ndryshime”, tha Balla, duke kërkuar që PD të jetë iniciatore dhe të propozojë ndryshimet ligjore bazuar edhe në kërkesat e autoritet të dosjeve.

Por deputetja Jorida Tabaku ka shkuar edhe më tej, duke u shprehur se PD është për hapjen e dosjeve me anë të një ligji, ashtu siç e kemi propozuar, duke nënkuptuar atë të dekomunstizimit.

“PD ka ndërmarrë iniciativa të shumta përgjatë këtij viti, që janë rrëzuar nga ana e Kryetares së Parlamentit. Sot ne donim të diskutonim edhe për iniciativën që kemi lançuar që javën e kaluar për hapjen e dosjeve. Unë e kuptoj luftën politike, po ashtu si z. Alibeaj, dua të theksoj se jemi për parimin për hapjen e dosjeve me anë të një ligji, ashtu siç e kemi propozuar dhe në ditët në vijim do ta sjellim me anë të një ligji, i cili do të sigurojë një herë e mirë ndarjen e Shqipërisë nga tranzicioni.

Unë besoj se është në nder të këtij Parlamenti që të mos përdorë luftën kundër komunizmit, aq më tepër Partia Socialiste që nuk ka asnjë moral që të përdorë luftën kundër komunizmit për sa i përket luftës së brendshme të tyre politike. Besoj që të gjithë deputetët do të bien dakord bashkë me ligjin për lustracionin. Ashtu siç e kemi kërkuar që në vitin 2015, duhet patjetër të ndodhë dhe duhet të jetë një nga prioritetet e Parlamentit të ardhshëm”, tha Tabaku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura