PS ngre grupin, kush do t’i kontrollojë emërimet në shtet

Sep 2, 2015 | 11:08
SHPËRNDAJE

Pakënaqësitë në radhët e socialistëve për punësime të pakta në administratën publike kanë vënë në lëvizje Partinë Socialiste.

musa_ulqiniOrganizimi i ri në këtë parti do të kalojë në sitë edhe performancën e administratës në funksion të zgjedhjeve të 2017-s. Pas ndarjes së vendit në 6 rajone të mëdha, dhe emërimit në krye të tyre të koordinatorëve rajonalë, kreu i PS-së ka menduar të krijojë dhe një grup pune që do të bëjë një vlerësim të performancës së deritanishme të emërimeve dhe kapaciteteve që kjo parti ka, si kandidatura të mundshme për t’u përfshirë në administratë.

Grupi i punës drejtohet nga deputeti i qarkut të Elbasanit, Musa Ulqini, ndërsa pjesë e tij do të jenë tre deputetet, Blerina Gjylameti, Evis Kushi dhe Erjeta Alhysa. Blerina Gjylameti do të kontrollojë punën dhe problematikën e administratës në rajonin që koordinohet nga ministri Blendi Klosi, Fier-Berat dhe atë që koordinohet nga deputeti Koço Kokëdhima, Vlorë-Gjirokastër.

Ndërsa deputetja Evis Kushi do të monitorojë problematikën në rajonin që koordinohet nga deputeti Taulant Balla, Elbasan- Korçë, dhe atë që koordinohet nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, Tiranë-Durrës.

Deputetja që do të kontrollojë qarqet e Veriut, Erjeta Alhysa, do të kalojë në sitë problematikat në administratën publike në rajonin që koordinohet nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, Shkodër-Kukës dhe rajonin që koordinohet nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, Lezhë-Dibër.

KOMPETENCAT
Njësia e analizës dhe vlerësimit të performancës së administratës publike dhe kapaciteteve profesionale që Partia Socialiste ka në çdo qark, do të përpiqet që të minimizojë pakënaqësitë, problematikat që kanë dalë nga emërimet e deritanishme.

Aty ku ka probleme me përputhjen e kritereve, ankesa nga qytetarët për punonjës të caktuar të administratës, grupi do ta evidentojë dhe do ta raportojë në qeveri, ku do të kërkohet dhe lëvizja e punonjësit dhe kandidati i mundshëm për ta zëvendësuar, në ato raste ku nuk ka konkurs të statusit të nëpunësit.

Një nga problematikat që është raportuar shpesh në Partinë Socialiste ka qenë edhe influencat e ministrave, por dhe deputetëve të ndryshëm, në emërimet në administratë.

Përmes këtij kontrolli partiak, do të synohet që e gjithë piramida e qeverisjes të kontrollohet dhe të shmangen sa të jetë e mundshme pakënaqësitë e krijuara në këto dy vite. Nuk dihet nëse kjo analizë e performancës do të përfshijë edhe punonjësit e emëruar nga partitë aleate të koalicionit, apo vetëm ata të emëruar nga Partia Socialiste

Aristir Lumezi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura