PS mbledh të hënën grupin parlamentar, dy opsionet për sherrin Rama-Doshi. Nga pakti i heshtjes te pezullimi dhe përjashtimi nga partia

Feb 28, 2015 | 14:50
SHPËRNDAJE

Grupi Parlamentar socialist pritet të marrë një masë ndëshkimore ndaj deputetit Tom Doshi pas deklaratave të tij të forta para dy ditësh.

Edi Rama dhe Tom Doshi

“Panorama” shkruan sot se burime nga Grupi Parlamentar i PS bëjnë të ditur se mund të jenë disa opsione reagimi ndaj deputetit Doshi. Një opsion është që Grupi Parlamentar socialist, por dhe Kryeministri Rama të mos merren me deputetin e qarkut të Shkodrës, por dhe vetë Doshi të mos vazhdojë me akuzat ndaj Kryeministrit Rama dhe qeverisë që ai drejton.

Ky do të ishte një pakt i heshtur mes Doshit dhe Ramës për të tejkaluar këtë ngërç mes tyre. Një sinjal për të heshtur përkohësisht e dha dje deputeti Doshi, i cili i kërkoi kreut të qeverisë të përmbushë premtimet elektorale deri më 21 qershor, kur janë dhe zgjedhjet për bashkitë.

Një tjetër opsion është një qëndrim i ashpër i Grupit Parlamentar socialist ndaj deputetit Doshi, i cili nëse vazhdon kritikat e tij të ashpra ndaj Kryeministrit dhe qeverisë, të ketë pezullim dhe më pas përjashtim të tij nga Grupi. Zëra brenda Grupit Parlamentar socialist pohojnë se nëse do të vijohet me këtë gjuhë të ashpër, nuk duhet të tolerohet dhe grupi duhet të marrë qëndrim.

Mësohet se në mbledhjen e ditës së hënë të Grupit Parlamentar socialist, ku pritet të jetë prezent dhe Kryeministri Rama, deputetët të mbajnë qëndrime kritike ndaj deputetit Doshi, duke mbrojtur Kryeministrin dhe qeverinë. Nëse deputeti Doshi do të marrë pjesë në mbledhjen e së hënës, pritet që ai t’i kërkojë Kryeministrit Rama që të sqarojë Grupin Parlamentar se cilat janë interesat personale të tij, nga është nisur për të kritikuar qeverinë dhe akuzuar drejtorë për korrupsion dhe nepotizëm.

Të enjten, në një prononcim për mediat, deputeti i qarkut të Shkodrës Tom Doshi tha se ka nisur luftën me Kryeministrin Rama.

“Edi Rama është mosmirënjohës, bukëshkelës për mua dhe ata që e votuan në Shkodër dhe do ta shohë edhe në zgjedhjet lokale. Sapo ka filluar lufta mes meje dhe tij, nuk kam gjë personale. Ekonomia është më keq se në kohën e Berishës, por po pasurohen një grup njerëzish që ka rreth vetes. Edhe për sa i përket drejtoreshës së Tatimeve, Edi Rama duhet të japë përgjigje publikisht për lidhjet nepotike që ka emëruar ajo në Dogana, Tatime, Polici. Do t’ia bëj me dije Edi Ramës që sot e tutje, mes meje dhe tij, nuk ka më paqe dhe do ta shohim se kush është i humbur prej kësaj situate. Çdo gjë do t’ia bëj publike, por edhe ai t’i bëjë publike ato që thotë. Kur të flas unë, do t’i dridhen themelet maxhorancës dhe qeverisë”, u shpreh Doshi

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura