PS-LSI nuk miratojnë dot ligjet, Idrizi dhe Doda i lënë “në baltë”

Mar 5, 2016 | 8:53
SHPËRNDAJE

Pasi miratoi dje me konsensus aktet nënligjore të ligjit të dekriminalizimit, punimet e Parlamentit ngelën pezull për shkak të largimit të deputetëve të opozitës.

kuvendiPakica është larguar nga Parlamenti, duke thënë se nuk janë plotësuar kushtet e tjera, ai për miratimin e shtesës në ligjin e dekriminalizimit që përjashton nga Parlamenti deputetët e arrestuar në kushtet e flagrancës.

Pas qëndrimit të dhënë nga nënkryetari i Grupit të PD-së, Eduard Halimi, deputetët e djathtë u larguan nga salla. Në total të pranishëm në sallë ishin 114 deputetë dhe me largimin e 42 deputetëve të Partisë Demokratike dhe aleatëve të PR-së, në sallë mbetën vetëm 72 deputetë.

Nga radhët e Partisë Socialiste ra në sy mungesa e disa deputetëve, të cilët ishin në aktivitetin e Kryeministrit Rama në Elbasan. Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, pasi nisi shqyrtimin e projektligjeve të mbartura nga seanca e shkuar, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, dhe deputetja e ardhshme e kësaj partie, Mesila Doda, janë larguar nga salla. Duke qenë se numrat e deputetëve zbritën në 70, pra, u shkaktua mungesa e kuorumit, kreu i Parlamentit është detyruar të shtyjë votimin e projektligjeve për seancën e ardhshme.

Në sallë ra në sy mungesa e Kryeministrit Edi Rama, e deputetëve Taulant Balla, Evis Kushi, Anastas Angjeli, Ben Blushi, Fidel Ylli, Parid Cara, Eduard Shalsi, Vangjel Tavo dhe Ylli Shehu. Pas përfundimit të mbledhjes, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ftoi opozitën që të tregohet konstruktive për të vijuar punën për Reformën në Drejtësi.

“Unë besoj se ekzistojnë të gjitha premisat dhe të gjitha mundësitë që të punojmë së bashku për Reformën në Drejtësi, si edhe për të gjitha reformat e tjera që i interesojnë vendit”, tha dje Meta.

Munguan nga PS

• Edi Rama
• Ben Blushi
• Taulant Balla
• Anastas Angjeli
• Evis Kushi
• Eduard Shalsi
• Fidel Ylli
• Parid Cara
• Musa Ulqini
• Koço Kokëdhima

Munguan nga LSI
• Vangjel Tavo
• Ylli Shehu

U larguan
• Shpëtim Idrizi
• Mesila Doda

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura