LISTA/ Zbardhen negociatat brenda të majtës. Ja bashkitë që marrin PS, LSI dhe PDIU. Frroku kërkon Pukën

Feb 23, 2015 | 20:25
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë nisur negociatat për kandidatët e tyre të përbashkët për zgjedhjet vendore të 21 qershorit.

KRYEMINISTRI RAMA DHE KREU I KUVENDIT, META

Mësohet se Kryeministri Rama dhe kryetari i Kuvendit, Meta kanë kontaktuar ditët e fundit dhe kanë folur konkretisht për 61 bashkitë e hartës së re zgjedhore. Takimi është mbajtur larg vëmendjes së mediave, ndërsa mësohet se shumë nga bashkitë janë përcaktuar në takimin e djeshëm. 

Mësohet se Lëvizja Socialiste për Integrim do të dalë me kandidatët e saj të mbështetur nga PS në 25-30 për qind të bashkive të vendit. Ndër këto bashki, ka dhe nga ato që konsiderohen si kategori e parë, si bashkia Fier, Berat, Lezhë, Pogradec, Pukë etj. Ndërsa Partia Socialiste ka kërkuar të ketë kandidatët e saj në bashkinë e Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Korçës, Gjirokastrës.

Ende e papërcaktuar mbetet nga cila parti e koalicionit do të jenë kandidatët për bashkitë e Shkodrës dhe Vlorës.

PDIU

Duket se zgjedhjet për pushtetin vendor të 21 qershorit do t’i shtojnë maxhorancës qeverisëse edhe një aleat nga e djathta.

Kryeministri Rama dhe kryetari i Kuvendit, Meta, kanë vendosur që Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet të ketë kandidatët e saj të mbështetur nga maxhoranca në tri bashki, në Rrogozhinë, Konispol dhe Patos. Pas përfshirjes së kësaj partie të koalicionit të djathtë në diskutimin dhe votimin e hartës së re territoriale, duke pranuar amendimet e saj në minutën e fundit, zgjedhjet vendore do të vulosin bashkëpunimin e maxhorancës me PDIU-në të paktën gjatë këtij mandati.

Koalicioni qeverisës, edhe sipas marrëveshjes gjatë diskutimit të hartës së re territoriale, ka lënë dy zona të pastra për minoritetin grek, bashkinë e Finiqit dhe Dropullit dhe bashkinë e Pustecit për minoritetin etnik maqedonas në qarkun e Korçës. Por pritet që edhe një aleat i maxhorancës aktuale, Partia Kristiandemokrate, të kërkojë Bashkinë e Pukës për kandidatin e saj të mbështetur nga maxhoranca.

Nëse PKD nuk i jepet zonë e lirë në Pukë, mësohet se kjo parti mund të dalë përballë koalicionit të majtë dhe të djathtë me kandidatin e saj në këtë bashki. Duket që 30 partitë e tjera të koalicionit të majtë që fitoi zgjedhjet më 23 qershor 2013, nuk do të përfaqësohen me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale dhe gara e tyre do të bëhet vetëm për këshilltarët.

Pas mosrespektimit të marrëveshjes së nënshkruar më 19 prill 2013 mes tyre dhe Partisë Socialiste, Skënder Gjinushi, Paskal Milo të cilët janë në politikë që në 1991, do të rishohin pozicionin e tyre në këtë koalicion në ditët e ardhshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura