PS: Ku mendon Basha se do t’i gjejë aq shumë dibranë që gënjehen?

Aug 26, 2016 | 13:51
SHPËRNDAJE

Partia Socialiste reagon për çeljen e fushatës sot nga PD-ja në Dibër. Në një deklaratë për mediat thuhet se komuniteti dibran “pati mundësinë të bënte dallimin mes takimit dinjitoz të koalicionit qeverisës për prezantimin e Muharrem Ramës dhe mitingut me ulërima të Partisë Demokratike për prezantimin e Sherefedin Shehut”.

PS selia

“Në të njëjtën sallë, shumica qeverisëse foli për çka është bërë dhe do të bëhet për Dibrën duke nxjerrë në pah vlerat e një qytetari të nderuar si Muharrem Rama; ndërsa Partia Demokratike shau, shpifi, iku pasi ngriti në qiell një kandidat të ardhur me telekomandë nga Shqupi në Dibër, pasi ka vënë në zotërim gjatë jetës së tij në Tiranë plot 5 apartamente”.

“Ku mendon Lulëzim Basha se do t’i gjejë aq shumë dibranë jobudallenj që gënjehen nga llafet e tij?! Ku do t’i gjejë Lulëzim Basha aq shumë dibranë që të besojnë se Partia Demokratike e la gati Rrugën e Arbërit?! Ku do t’i gjejë Lulëzim Basha aq shumë dibranë që të besojnë se varfërinë, papunësinë, rrënimin shumëvjeçar në Dibër e solli Edi Rama për tre vjet?! Po aq shumë dibranë që të besojnë se plagët e vjetra të Dibrës do t’i shërojë Partia Demokratike me Sherefedinin, ku do t’i gjejë Lulëzim Basha?!”, ngre pyetjet PS-ja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura