PS i çon Kuvendit kërkesën për shkarkimin e Zgurit: E zgjodhëm në 18 maj, por e humbi besimin që i dhamë

Nov 14, 2017 | 15:03
SHPËRNDAJE

Deputetja e PS Klotilda Bushka ka bere me dije se deputetët e mazhorancës, i kanë paraqitur kryetarit të Kuvendit sot kërkesën për shkarkimin nga detyra të kryetarit të KQZ Klement Zguri për shkelje të rënda të ligjit të dekriminalizimit.

klotilda bushka

“Siç i kemi bërë me dije edhe më parë opinionit publik, kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve z. Klement Zguri arkivoi pa e shqyrtuar në KQZ vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për subjektin Agron Faslli Kapllanaj, kryetar i Bashkisë Mallakastër, person ky, i cili rezulton se është dënuar nga gjykata e shtetit italian me vendim të formës së prerë për vjedhje.

Vlerësimi individual që Klement Zguri i ka bërë kësaj çështjeje nga pozita e drejtuesit të KQZ është shkelje e hapur e ligjit nga ana e tij, pasi duhej të ishte Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve si organ kolegjial dhe jo kryetari i këtij komisioni si individ, organi që duhej të shqyrtonte (maksimalisht brenda 10 ditëve, sipas ligjit) në mbledhje publike rezultatet e vendimit të Prokurorisë për kryetarin e Bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj.
Z. Zguri është zgjedhur në detyrën e kryetarit të KQZ si pasojë e marrëveshjes politike të 18 Majit, pa marrë në konsideratë cilësitë që duhet të karakterizojnë nga aspekti i integritetit apo profesionalizmit një kryetar të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Pavarësisht kësaj, ai nuk arriti të ngrihet mbi të kaluarën partiake, duke humbur kështu dhe besimin e investuar për të në marrëveshjen politike të 18 Majit.

Ngjarja e fundit, ku ai përmes veprimeve e mosveprimeve të tij i shtyu sa mundi jetën politike një të përzgjedhuri lokal me rekorde të rënda kriminale, vetëm e vetëm sepse është i të njëjtit krah politik me të, është për ne shembull konkret i njëanshmërisë politike dhe mungesës së profesionalizmit.

Thënë këtë, dhe duke u bazuar në dispozitat e ligjit të dekriminalizimit që zbatohet me përparësi ndaj Kodit Zgjedhor dhe nenit 18, (pika dh) të këtij kodi, ne kërkojmë shkarkimin e z. Klement Zguri nga detyra e kryetarit të KQZ’, tha ajo ne nje njoftim per shtyp.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura