PS fut kishën në fushatë, kandidon pastorin

May 24, 2015 | 10:40
SHPËRNDAJE

Fushata “rekruton” përfaqësuesit e fesë. “Panorama” shkruan sot se rasti i pazakontë është regjistruar në Bashkinë e Maliqit, ku predikuesi i Kishës Ungjillore të Libonikut, Plator Çollaku është bërë pjesë e listës së këshilltarëve bashkiakë.

Pastori Plator Çollaku

Në listën e Partisë Socialiste për Bashkinë Maliq, Çollaku renditet i 7 mes këshilltarëve dhe mbështetësve të kësaj force. Sipas të dhënave, pastori Plator Çollaku është përfshirë në listën e këshilltarëve pas kërkesës së të rinjve, tek të cilët ai predikon.

I njohur për punën vullnetare që bën në ndihmë të të varfërve dhe familjeve në nevojë, të rinjtë kanë kërkuar që zëri i tyre të përfaqësohet edhe në Këshillin Bashkiak, duke sugjeruar që në listë të përfshihet pastori i tyre. Menjëherë ata kanë gjetur mbështetjen e Partisë Socialiste, e cila mes emrave të tjerë për këshilltarë ka renditur edhe Plator Çollakun. Burime të PS-së në Maliq pohojnë se pas këtij vendimi, pastori ka nisur intensivisht punën në mbështetje të partisë.

Më parë ai nuk ka qenë i përfshirë në asnjë subjekt politik. Pavarësisht se ai është përfshirë në Këshillin Bashkiak si përfaqësues i një grupi qytetarësh, Çollaku ka preferuar që të angazhohet politikisht pa lënë mënjanë edhe punën vullnetare dhe predikimet e tij në Kishën Ungjillore në Libonik.

Çollaku ka përfunduar studimet në universitetin “Fan Noli” të qytetit të Korçës dhe prej vitesh ai është angazhuar në Kishën Ungjillore të Libonikut. Kjo komunë me ndarjen e re territoriale i përket Bashkisë së Maliqit, duke u shkrirë në të.

NDERIMI NGA KOMUNA
Nuk dihet vendimi se kur pastori iu bashkua Partisë Socialiste, por dhe më parë ai është vlerësuar nga e majta. Në faqen e Kishës Ungjillore të Libonikut në Facebook janë postuar fotografi nga ceremonia e mbajtur në komunën Libonik, më 23 prill të këtij viti.

Komuna e nderoi pastorin Plator Çollaku këtë ditë me titullin “Qytetar nderi i Komunës Libonik”, për angazhimet e tij në komunitetin e zonës. Gjatë kësaj ceremonie të organizuar nga komuna e kreu i saj, Petrit Kupe (i PS-së), ishte i pranishëm dhe kreu aktual i Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu, i cili kandidon sërish për këtë post nën siglën e Partisë Socialiste. Pas kësaj ceremonie është diskutuar përfshirja e Çollakut në vendimmarrjet e Këshillit Bashkiak dhe për të arritur këtu është bërë miratimi i emrit të tij në listën e anëtarëve që do të votohen nga qytetarët e Bashkisë së Maliqit.

Emri i Çollakut është i shtati në renditjen e bërë publike nga Partia Socialiste për Bashkinë e Maliqit. Vetëm pas zgjedhjeve të 21 qershorit pritet që të mësohet nëse pastori do të marrë nga votuesit e Libonikut dhe të Bashkisë së zgjeruar të Maliqit votat e mjaftueshme për ta bërë pjesë të Këshillit Bashkiak. Kjo është hera e parë kur një përfaqësues aktiv i fesë, siç njihet në Libonik pastori i Kishës Ungjillore, është i përfshirë zyrtarisht në politikë. Nëse zgjidhet, Çollaku do të betohet para kushtetues dhe jo para biblës.

DHORJELA ÇULE

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura