PS e PD bashkojnë votat kundër LSI-së për fondin e pastrimit në Berat

Jun 30, 2016 | 11:57
SHPËRNDAJE

Dy partitë rivale bëhen bashkë për të rrëzuar një propozim të LSI-së për të shtuar fondin e pastrimit në Bashkinë e Beratit. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike mblodhën këshilltarët e tyre në një vendim unanim, duke rrëzuar me votë shtimin e buxhetit prej 10 milionë lekësh.

Nga mbledhja e Këshillit Bashkiak në Berat
Nga mbledhja e Këshillit Bashkiak në Berat

Maxhoranca e majtë pësoi çarje ditën e djeshme, pasi socialistët nuk pranuan të votonin pro vendimit të marrë nga administrata e Bashkisë së Beratit. Ata janë ndihmuar në këtë vendim të tyre nga këshilltarët e djathtë, duke bërë shumicën prej 19 votash dhe duke rrëzuar 9 votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sipas tyre, nuk duhet që të vendoset për shtimin e fondit të pastrimit të qytetit, duke e quajtur të panevojshme për momentin miratimin e shumës prej 10 milionë lekësh.

Ndonëse në dy mbledhjet e mëparshme për shtimin e tarifës prej 10 milionë lekësh të pastrimit kishte gjetur rezistencën e këshilltarëve të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste, dje administrata e Bashkisë e ka sjellë për të tretën herë një propozim të tillë.

Në këtë mbledhje është kërkuar për një ndryshim dhe shtesë në vendimin e VKM-së. nr 14, datë 11.03.2014, “Për miratimin e studimit të përllogaritjes së kostos për kryerjen e shërbimit të pastrimit në qytetin e Beratit”. Vendimi i Këshillit Bashkiak në vitin 2014 ka përllogaritur koston e kryerjes së këtij shërbimi me vlerën 54.665.921 lekë. Ndërsa së fundit u kërkua që të shtohen 10 milionë lekë për 311 ditë, me TVSH, duke futur edhe ditët e diela.

Nga ana e drejtuesve të Bashkisë është kërkuar votimi i këtij vendimi, duke shpresuar se këshilltarët e PS-së do të votonin pro tij. Por ka qenë e kundërta, pasi siç kishin paralajmëruar dhe më parë, këshilltarët socialistë e kanë lënë në baltë partinë tjetër të koalicionit të tyre.

Namir Lapardhaja, sekretari i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Bashkiak, është shprehur se këshilltarët demokratë e kanë kundërshtuar shtesën e fondit, duke kërkuar që pastrimi të bëhej në 7 ditë të javës, brenda shumës në kontratën aktuale. Sipas këshilltarëve që votuan kundër, Bashkia e Beratit nuk e ka luksin e harxhimit të tillë. Për këtë arsye, 19 vota ishin të mjaftueshme për të rrëzuar ato të 9 këshilltarëve socialistë. d.xh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura