PS denoncon në Prokurori shitjen e 4 HEC-eve

Jan 14, 2013 | 19:16
SHPËRNDAJE
Eduard Shalsi

Partia Socialiste ka depozituar sot në prokurorinë e Tiranës një denoncim për vendimin e qeverisë për të shitur Hidrocentralet e Ulzës, Shkopetit dhe Bistricës 1 e 2. Deputeti i PS-së, Eduard Shalsi, i cili depozitoi padinë tha se, nisur nga ndryshimi i çmimeve rezulton se me shitjen e 4 HEC-eve interesave të shqiptarëve u është shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 100 ml euro.

Sipas deputetit socialist, në dy shitjet e Hidrocentraleve që ka bërë qeveria në një hark të shkurtër kohor është vërejtur një diferencë e madhe në çmim.

“Hidrocentrali i Lanabregasit ju shit pushtetit vendor me një çmim prej 3 ml euro për 1 mega wat fuqi e instaluar, ndërsa , Ulza, Shkopeti dhe Bistrica 1 e 2 ju shitën një kompanie private me një çmim prej 1.4 ml euro për 1 mega wat fuqi e instaluar.”- tha për mediat, Shalsi.

Pas depozitimit të padisë, Shalsi tha se nesër shqiptarëve do t’u shpjegojmë thjesht dhe qartë faktet dhe të vërtetën e arsyes së shitjes së 4 HEC-eve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura