PS bëhet gati për zgjedhje lokale në 6 bashki, skema pas vendimit të Kushtetueses për njohjen e “30 qershorit”

Oct 30, 2021 | 10:06
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Socialistët po përgatiten për zgjedhjet e pjesshme lokale që pritet të zhvillohen në 6 bashki, të cilat janë pa kryetar të zgjedhur.

zgjedhjet e 25 prillit

Këtij qëllimi i shërbeu edhe mbledhja e djeshme e kryesisë socialiste, nën drejtimin e kryesocialistit Edi Rama ku në fokus ishte organizimi dhe raportimi nga sekretarët lidhur me punët e bëra nga struktura dixhitale, organizimi i të rinjve, organizimi i grave.

Sipas sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Damian Gjiknur,i ky organizimin e partisë ka si qëllim “mbajtjen e PS-së në një forcë të aftë nga pikëpamja elektorale, jo vetëm në periudha zgjedhore”. Sipas Gjiknurit, PS-ja është gati edhe për skenarin e zgjedhjeve lokale të pjesshme të parakohshme.

“Ne jemi gati edhe për zgjedhje të pjesshme vendore nëse Presidenti, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, do t’i dekretojë ato. Kjo është një çështje që do të qartësohet pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Mendoj se Gjykata Kushtetuese nuk ka pse të vonojë me vendimin, sepse opinioni i Venecias ishte shumë i qartë. Kjo do të thotë se brenda 45 ditësh, siç e ka Kushtetuta, Presidenti duhet të dekretojë zgjedhjet. Ne jemi të gatshëm në çdo moment të marrim pjesë në zgjedhje dhe patjetër t’i fitojmë ato”, tha Gjiknuri.

VENDIMI

Komisioni i Venecias lë në fuqi zgjedhjet e 30 qershorit dhe nuk këshillon Gjykatën Kushtetuese që t’i përsërisë zgjedhjet e 30 qershorit. Në opinion inkurajohet Kuvendi që të bëjë një vlerësim për zgjedhjet, ndërsa Gjykata Kushtetuese të bëjë një vlerësim të bazës zgjedhore.

“Komisioni i Venecias është i mendimit se këshilltarët dhe kryetarët e bashkive janë ‘funksionarë të organeve të parashikuara në Kushtetutë’ në kuptimin e nenit 131 (1) e) të Kushtetutës. Megjithatë, kompetenca e Gjykatës Kushtetuese nuk përfshin shqyrtimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve vendore. Kjo nuk e pengon Gjykatën Kushtetuese të ushtrojë kontrollin e saj mbi legjislacionin zgjedhor”.

Gjithashtu, opinioni i “Venecias” i jepte përgjigje edhe debatit për zhdekretimin nga Presidenti të datës 30 qershor.

“Parimet e periodicitetit të zgjedhjeve dhe të pluralizmit politik nuk ka gjasa të bien ndesh me njëri-tjetrin, pasi ato shprehen në lloje shumë të ndryshme rregullash. Pluralizmi mund të jetë një qëllim legjitim për të ndërhyrë në periodicitet, por që të mbizotërojë ai qëllim, ndërhyrja duhet të ketë një bazë ligjore dhe të jetë proporcionale. Parlamenti ka një hapësirë të gjerë për të vendosur për sigurimin e një baze ligjore për shtyrjen e zgjedhjeve; në mungesë të një baze të tillë, Gjykata Kushtetuese mund ta konsiderojë shtyrjen si antikushtetuese”, thuhet në opinion. Tani është radha e Gjykatës Kushtetuese që t’i përgjigjet kërkesës për pavlefshmërinë e zgjedhjeve.

VAKANCAT

Pas këtij vendimi, pritet që Presidenti Meta, i cili i është drejtuar Kushtetueses për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, duhet ët dekretojë zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për 6 bashkitë që kanë mbetur pa kryetar të zgjedhur. Shkodra ishte bashkia që do të krijonte precedentin e parë të drejtimit pa kryetar. Në zgjedhjet lokale të qershorit 2019, për shkak se prekej nga ligji i dekriminalizimit, Valdrin Pjetri dha dorëheqjen nga marrja e detyrës.

Ndaj, në krye të Bashkisë vijon të jetë Voltana Ademi, mandati i së cilës ka përfunduar prej 2 vitesh. Saga e bashkive pa kryetar do të vazhdonte më pas me Durrësin. Pas një deklarate të pamatur, pak ditë pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit kryetarja Valbona Sako dha dorëheqjen nga posti, për t’u zëvendësuar me Emirjana Sakon.

E radhës do të ishte Bashkia e Vorës, ku shkak do të bëhej sërish ligji i dekriminalizimit, i cili do të prekte kryetarin e saj, Agim Kajmaku. Ky i fundit u zëvendësua nga Gentian Picari. Ndarja nga jeta e kryetarit të Bashkisë Rrogozhinë, Haxhi Memolla, do të vendoste në krye të këtij institucioni nipin e këtij të fundit, Edision Memollën.

Ndërsa në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, kryetari i Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj, do të garonte për deputet, ndaj karrigen e tij në krye të Bashkisë e zuri Shkëlqim Murrja.

I fundit që do të mbyllte sagën e bashkive pa kryetar ishte kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, i cili u shkarkua nga Kryeministri Rama, pasi u arrestua për korrupsion nga SPAK-u. Vendin e tij e zuri nënkryetarja e Bashkisë, Eriselda Sefa.

VAKANCAT NË BASHKI

Valdrin Pjetri, Shkodra, për shkak të dekriminalizimit

Valbona Sako, Durrës, për shkak të dorëheqjes

Agim Kajmaku, Vorë, për shkak të dekriminalizimit

Dionis Imeraj, Dibër, kandidoi për deputet

Haxhi Memolla, Rrogozhinë, ndahet nga jeta

Fatos Tushe, Lushnje, për korrupsion

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura