PS: 22 premtimet që nuk mbajti Basha në katër vjet

Mar 31, 2015 | 14:33
SHPËRNDAJE

Partia Socialiste renditi sot 22 premtime që nuk ka mbajtur, sipas saj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Blerina Gjylameti

Deputetja socialiste, Blerina Gjylameti tha në një konferencë për shtyp se kjo është arsyeja përse Basha ka vendosur të mos kandidojë sërish për Tiranën.

Deklarata e PS

Lulzim Basha mund të shpikë çfarë arsye të dojë për të justifikuar faktin që sot s’ka guxim t’u dalë përballë banorëve të Kryeqytetit. Por arsyet e vërteta janë krejt tjetër;

Premtoi se do të pajiste të gjitha shkollat e kryeqytetit me sistem ngrohje, por sot situata është më keq se ç’e gjeti me 50% të shkollave pa asnjë lloj sistemi dhe me pjesën tjetër me sisteme tërësisht të amortizuara.

Premtoi gjelbërim, parqe, kënde lojërash për fëmijët, por s’ka bërë asgjë. Ndërkohë që Plani Urbanistik i Tiranës i Bashës i mori kryeqytetit 16 zona të gjelbra dhe i shndërroi në sheshe ndërtimi. Duke filluar me Lulishten përballë Bibliotekës Kombëtare, atë pas Pallatit të Kulturës, Parkun e Namasgjasë, ku në një rast unik në botë tentoi t’i bashkëngjisë xhamisë një qendër tregtare. Ndër zonat e tjera të gjelbra që do shndërroheshin sipas Bashës në sheshe ndërtimi me planin e tij janë; zona e SHQUP-it, Parku i Fushës së Aviacionit, Qyteti Studenti, Fusha e Sportit prapa Stadiumit “Qemal Stafa”, ish-Shkolla “Kosova”, Zona e Fushave te “Ali Demi”, Ekspozita “Shqipëria Sot”, Zona e Lodrave tek “7 Xhuxhat”, Zona e Lulishteve te Vëllezërit Frashëri, Ndërtime mbi Digë, Zonën e Shkollës së Bashkuar, Zonën e Tregut dhe Zonën e Kinostudios.

Premtoi hapësira sportive, por ka lënë të degradojnë edhe ato hapësira që trashëgoi se për ndërtimin e hapësirave të reja as që bëhet fjalë.

Premtoi sistemimin e rrugëve e trotuareve, por e ftojmë të bëjë një xhiro me makinë nga treni tek Sheshi Nënë Tereza dhe të numërojë gropat për të parë në ç’gjendje janë sot rrugët.

Qytetarët e Tiranës do të jetojnë në një prej qyteteve më të pastra në Europë me sistem të diferencuar mbetjesh, premtoi Luli në 2011. E ftojmë sot të dalë e të na thotë qoftë edhe një gjë të vetme që ka bërë në këtë drejtim.

Brenda vitit të parë të mandatit do të çajmë tokën për të nisur punimet për Bibliotekën Universitare Bashkiake të Tiranës, thoshte Luli në 2011.

Do të rehabilitohen rrugët pa ndriçim, në shumë zona të qytetit, thoshte Luli në 2011.

Do të ndërtohet Parku tjetër i Madh i Tiranës.

Do të ndërtohet në çdo Njësi Bashkiake të paktën një qendër rekreative-sportive publike për të gjitha.

Do të lehtësohet dhe zgjidhet kaosi i trafikut dhe lëvizje e lehtë, e shpejtë dhe e sigurt e këmbësorëve dhe automjeteve në të gjithë qytetin dhe do të ndërhyhet në nyjen tek Dogana.

Ujërat e zeza nuk do të derdhen më në Lumin e Tiranës, por do të përpunohen.

Do të ndërtohet një Kampus i ri Universitar për UT në hapësirën mes Fakultetit Ekonomik-Filologjik

Do të ndërtohet Korridori Rekreativ i Lumit të Tiranës.

Do të çlirohen trotuaret nga zëniet abuzive.

Do të eliminohet mësimi me dy turne

Do të ndërtohen të paktën dy nënkalime për të lidhur dy zonat e banimit përgjatë segmentit rrugor nga Zogu i Zi tek Dogana.

Do të investohet për ngritjen e qendrave diagnostikuese mobile

Do të ndërtohen mbikalime, nënkalime, si dhe parkime nëntokësore. I ftojmë të gjithë qytetarët të shkojnë të parkojnë automjetet e tyre në parkimin nëntokësor tek stadiumi Qemal Stafa.

Duke filluar nga vera 2012, Bashkia do të financojë shkolla dhe kopshte verore për të gjithë fëmijët, nënat e të cilëve janë në marrëdhënie pune.

Do i jepet përparësi trotuareve, korsive për transportit urban dhe biçikletave dhe do të bëhen përshtatjet për nevojat e individëve me aftësi të kufizuara.

Për të kaluar pastaj tek dy premtimet madhore të Lulit Karta Studentore Bashkiake, me të cilën do të ofrohej transport falas dhe tarifa të reduktuara për shërbimet dhe Tramvaji i famshëm, që e ka kthyer Lulin tanimë në një personazh për barsoleta.

Natyrisht, të gjithë ne do të donim ta dëgjonim Lulin që krahas vendimit për mos rikandidim të bënte edhe një bilanc të punës së tij. Por bilancin ia kanë bërë tashmë qytetarët.

Pas 21 qershorit bashkia e Tiranës do të ketë një kryetar të ri dhe ky makth i quajtur Lulzim Basha do të mbarojë, duke i hapur rrugë mirëqeverisjes, zhvillimit, por edhe normalitetit që kaq shumë ka munguar në këto 4 vjet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura