Luzi me të majtët, kundër Gjinushit. Ja debati me kreun e PSD

May 23, 2015 | 8:08
SHPËRNDAJE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dje dy kërkesat e Partisë Socialiste dhe një kërkesë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të çregjistruar kandidatët e PSD-së së Skënder Gjinushit për Bashkinë e Përrenjasit, Malësisë së Madhe dhe Selenicës. 

KQZ

Vendimet janë miratuar falë votës së kryetares së KQZsë, Lefterije Luzi (Lleshi), e cila është pozicionuar dje në një linjë me tre përfaqësuesit e maxhorancës së majtë. KQZ ka miratuar dje me 4 vota pro edhe 3 kundër kërkesën e PSsë për të çregjistruar kandidatin e PSD në Përrenjas, Artur Topi, pasi sipas socialistëve firmat e dorëzuara në KQZ janë të falsifikuara.

Për këtë vendim kryetarja Luzi ka votuar pro bashkë me anëtarët e zgjedhur nga shumica e majtë, Denar Bibën, Edlira Jorgaqin dhe Gëzim Veleshnjën. Ndërkohë që anëtarët e propozuar nga opozita, Klement Zguri, Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanaj kanë kërkuar që KQZ të miratojë kandidatin e PSD-së, pasi në Përrenjas gëzon mandate në këshillat e komunave dhe se firmat nuk janë të nevojshme.

Po me 4 vota pro dhe 3 kundër, KQZ vendosi të mos regjistrojë kandidatin e PSD-së në Malësinë e Madhe, Ardian Hysen, po ashtu edhe Kandidatin e PSD-së në Selenicë, Adem Hoxhajn. Vota e Kryetares së KQZ-së është ironizuar nga tre kolegët e mbështetur nga opozita, të cilët kanë thënë se e dinin se si Lefterije Luzi do të votonte. Ndërkohë që kryetarja e KQZ-së u përgjigj po me ironi “Aman sa të zgjuar që jeni”.

HETIMI
PS dhe LSI për të tri bashkitë kishte dërguar për ekspertim në Drejtorinë e Policisë Shkencore firmat e tre kandidatëve të PSD-së, të cilat kanë rezultuar të kenë firma të hedhura nga e njëjta dorë. I pranishëm në mbledhje kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, ka deklaruar se PS ka dërguar në Ministrinë e Brendshme hetimin e firmave, ndërkohë që PSD në këto bashki ka mandate në Këshillin Bashkiak.

Gjinushi ka akuzuar PS-në se po tallet me partitë e vogla. “Pse çfarë jemi ne? Nuk jemi subjekt pa të drejta. Boll u tallët, se gjoja është parti serioze PS. Ju këtu keni kaluar çdo logjikë njerëzore. Ju keni humbur toruan”, tha Gjinushi. Kreu i PSD, partia e të cilit ka dalë jashtë koalicionit, tha se do të ankimohet sërish në Kolegjin Zgjedhor, por në të njëjtën kohë pohoi se vendimi i kolegjit detyron KQZ-në që të korrigjojë vendimet e saj të gabuara. “Jeni të detyruar të shqyrtoni dhe vendimet që janë ndjekur nga vendimi juaj. Këto që janë në proces, absolutisht jeni të detyruar të shpreheni sipas vendimit të Kolegjit Zgjedhor”, tha ai.

Skënder Gjinushi: Keni bërë ju ekspertizë, ia keni kërkuar shtetit tuaj në mënyrë të paligjshme…
Genc Gjoncaj: Shteti është i të gjithëve, jo i imi…
Lefterije Luzi: Zoti Gjinushi fjalën këtu e jap unë…
Skënder Gjinushi: Pse çfarë jemi ne? Nuk jemi subjekt pa të drejta. Boll u tallët se gjoja është parti serioze PS. Të zbatojë ligjin. 5% të firmave kërkon Kodi, kur 16 prej tyre kanë rezultuar dubël sipas këtij, në 500 copë nuk i bie asnjë e tyre.
Lefterije Luzi: Po përgjegjësinë për falsifikimin e listave kush e mban?
Skënder Gjinushi: Ju merreni vetëm me rregullsitë e dokumenteve, nuk merreni me ligjshmërinë.
Firmos burri për gruan, firmos dhe kontrata shtëpie. Ju këtu keni kaluar çdo logjikë njerëzore. Ju keni
humbur toruan.
Hysen Osmanaj: Për listën e firmave të çuar në laboratorin shkencor të qeverisë, ne s’duhet ta
marrim fare në konsideratë…Me këtë të merret Prokuroria.
Skënder Gjinushi: Vendimi i Kolegjit është detyrues, ka fuqi prapavepruese dhe ka karakter normativ. Ju jeni të detyruar si institucion që të gjitha ata që janë dëmtuar nga rregulli pa rregull, të vendoset e drejta. Jeni të detyruar të shqyrtoni dhe vendimet që janë ndjekur nga vendimi juaj. Këto që janë në proces, absolutisht jeni të detyruar të shpreheni sipas vendimit të Kolegjit Zgjedhor.
(Kryetarja e KQZ-së i heq fjalën, Gjinushi largohet nga salla)
Skënder Gjinushi: S’merrem me ju, do shkoj në Kolegjin Zgjedhor.

 
FATION BINJAKU 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura