Provokim tjetër nga Përmeti, festë me fotot e Enverit për 71-vjetorin e Kongresit

May 25, 2015 | 18:48
SHPËRNDAJE

Enveristët dalin sërish në mbështetje të komandantit të tyre në 71-vjetorin e Kongresit të Përmetit. Parulla, portrete të Enver Hoxhës dhe brohoritje në mbështetje të veprës së ish-diktatorit komunist, kanë qenë prezente përgjatë ceremonisë së djeshme përkujtimore me rastin e ngjarjes, e cila hodhi themelet e para të krijimit të shtetit shqiptar të pasluftës.

Gjatë festimeve për 71-vjetorin e Kongresit të Përmetit

Ceremonia e zhvilluar në qytetin e Përmetit nisi me vendosjen në monumentin e luftëtarit partizan të kurorave dhe buqetave me lule nga ana e organizatorëve të veprimtarisë, me rastin e 71-vjetorit të kësaj ngjarjeje historike. Gilberto Jaçe kreu i Bashkisë së Përmetit, Anastas Angjeli deputet i PS për qarkun e Gjirokastrës, kanë qenë personalitetet e vetme që kanë marrë pjesë në këtë event përkujtimor, ndërkohë që binte në sy mungesa e deputetit tjetër të PS për Përmetin, Vladimir Kosta.

Prezenca e shumtë e ithtarëve të Enver Hoxhës dhe komunistëve ka qenë e dukshme në momentet e para të zhvillimit të ceremonisë në qendër të qytetit, por askush nga Policia Bashkiake apo dhe ajo e Rendit, nuk ndërhyri për të zmbrapsur reklamimin e portreteve të ish-diktatorit apo dhe parullave enveriste.

Edhe organizatorët kanë qëndruar indiferent karshi këtij fakti e njëkohësisht ata që mbanin në duar pankartat dhe fotot e ish-diktatorit qëndruan përgjatë gjithë kohës edhe në simpoziumin e mbajtur në sallën muze të Kongresit të Përmetit, aty ku 71 vjet më parë, Enver Hoxha, organizoi kongresin, i cili i dha drejtim krijimit të shtetit komunist.

Gjatë festimeve për 71-vjetorin e Kongresit të Përmetit

Pas fjalimit të kryebashkiakut Jaçe dhe deputetit socialist Angjeli, Orhan Frashëri ish-partizani 96-vjeçar, i vetmi më i vjetër në sallë dhe njëkohësisht kryetar i Komitetit të Veteranëve të LANÇ të Beratit, ka qenë ai që ndezi enveristët në sallë në momentin, kur evokoi luftën partizane dhe vlerësoi rolin e Enver Hoxhës.

Menjëherë në sallë, u dëgjuan brohoritje për Enver Hoxhën dhe PKSH si “Lavdi komandantit Enver Hoxha”, “Rroftë LANC”, “Rroftë PKSH” etj. Organizatorët dhe të pranishmit në sallë, nuk kanë reaguar apo të ndërhyjnë për të qetësuar enveristët, duke i lënë ata të mbaronin vetë dhe ashtu ndodhi.

E njëjta skenë, u përsërit edhe një vit më parë kur në 70-vjetorin e Kongresit të Përmetit, kanë qenë prezent kreu i Kuvendit Popullor, Ilir Meta, kreu i Grupit Parlamentar të PS Gramoz Ruçi, si dhe personalitete të tjera. PIRO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura